Nis puna për hartimin e paketës ligjore për garantimin e të drejtës së votës së shtetasve shqiptarë jashtë territorit të Shqipërisë.
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë ka miratuar ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës, i cili ka si qëllim hartimin e paketës ligjore për garantimin e të drejtës së votës së shqiptarëve në Diasporë.
Grupi ndërinstitucional do të kryesohet nga ministri i Shtetit për Diasporën dhe në përbërje të tij janë përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Instituti i Statistikave.
Në bashkëpunim me Komisionin e Reformës Zgjedhore në Kuvendin e Shqipërisë, grupi ndërinstitucional ka për detyrë të koordinojë punën e Komisionit të Reformës Zgjedhore, të realizojë konsultime dhe të marrë mbështetje nga përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë të jashtëm si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.
Paketa ligjore do të hartohet dhe do të paraqitet për miratim në Këshillin e Ministrave, brenda muajit dhjetor të këtij viti. Hartimi i saj është në përputhje të plotë me rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe modelet e vendeve anëtare të tij.
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KËSHILLI I MINISTRAVE
U R DH Ë R
Nr.124, datë 18.9.2019
PËR
NGRITJEN E GRUPIT NDËRINSTITUCIONAL TË PUNËS
PËR HARTIMIN E PAKETËS LIGJORE PËR GARANTIMIN
E TË DREJTËS SË VOTËS PËR SHTETASIT SHQIPTARË JASHTË
TERRITORIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të pikës 3, të nenit 102, të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 12, të
ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të
Ministrave”, dhe të shkronjës “f”, të pikës 3, të vendimit nr.510, datë 13.9.2017,
të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore
të ministrit të Shtetit për Diasporën”,
U R DH Ë R O J:
1. Ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për hartimin e paketës ligjore për
garantimin e të drejtës së votës për shtetasit shqiptarë jashtë territorit të
Republikës së Shqipërisë.
2. Grupi ndërinstitucional i punës të kryesohet nga ministri i Shtetit për
Diasporën dhe në përbërje të tij të ketë anëtarë, përfaqësues nga
institucionet, si më poshtë vijon:
a) Ministria e Brendshme;
b) Ministria e Drejtësisë;
c) Ministria e Financave dhe Ekonomisë;
ç) Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
d) Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme;
dh) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
e) Instituti i Statistikave.
2
3. Grupi ndërinstitucional i punës të bashkëpunoje me Komisionin e Reformës
Zgjedhore në Kuvendin e Shqipërisë. Ai koordinon punën me Komisionin e
Reformës Zgjedhore dhe u përgjigjet në emër të Kryeministrit kërkesave të
punës bashkëpunuese, të cilat lidhen me realizimin e qëllimit të këtij urdhri.
4. Metodologjia e hartimit të paketës ligjore për garantimin e të drejtës së votës
për shtetasit shqiptarë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të bazohet
në rekomandimet e Bashkimit Evropian për këtë qëllim, si dhe në praktikat
dhe modelet më të mira të vendeve anëtare të tij.
5. Në hartimin e paketës ligjore për garantimin e të drejtës së votës për shtetasit
shqiptarë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, grupi ndërinstitucional
i punës mund të kryejë konsultime e të marrë mbështetje nga përfaqësues të
shoqërisë civile, ekspertë të jashtëm apo përfaqësues të organizatave
ndërkombëtare.
6. Paketa me ndryshime ligjore për garantimin e të drejtës së votës për shtetasit
shqiptarë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të hartohet e të
paraqitet për miratim në Këshillin e Ministrave, brenda muajit dhjetor 2019.
7. Ngarkohen titullarët e institucioneve të përmendura në pikën 2, të këtij
urdhri, të dërgojnë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e tij,
emrat e përfaqësuesve të tyre pranë ministrit të Shtetit për Diasporën.
8. Ngarkohet ministri i Shtetit për Diasporën që, brenda 15 (pesëmbëdhjetë)
ditëve nga hyrja në fuqi e këtij urdhri, të sigurojë fillimin e veprimtarisë së
grupit ndërinstitucional të punës.
9. Ngarkohen ministri i Shtetit për Diasporën dhe të gjitha institucionet e
përmendura në pikën 2, të këtij urdhri, për zbatimin e tij.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
diaspora.gov.al


Leave a Reply