Enciklopediku i vlerave intelektuale shqiptare
Ngjitesha shpesh në shkallët e gurta të shtëpisë së vjetër, asokohe një vogëlush i mbështjellë me ëndërrimet sa të mugëta aq dhe vigane, për të mësuar e kuptuar diç përtej rrethanave dhe kushteve të kohës. Në ballkonin e shtëpisë së hershme qëndronte gjithnjë i ulur në qoshkëzën e tij mbretërore gjysh Hyseni. Kështu e thërrisja unë, dhe jo vetëm unë në fakt, por që të gjithë, pasi në të vërtetë ai ishte xhaxhai i sime mëje, Hysen Lohja, e ngaqë unë nuk e kisha njohur tim gjysh, Selim Lohjën, për mua, e për të gjithë nipërit e mbesat e fisit të madh Lohja, padyshim që Hysen Lohja ishte dhe mbetej gjithnjë GJYSHI ynë.
Ballkoni i shtëpisë së vjetër ishte shumë i thjeshtë, i voçkël dhe tejet komod në fakt, qëndronte ashtu i butë, i brishtë, sikur na thërriste përherë në ngrohtësinë e tij, e që këtë ngrohtësi ia jepte gjithnjë e më shumë prania e gjysh Hysenit. S’mund të kishte qoftë edhe një rast të vetëm që gjysh Hysenin të mos e shihje të preokupuar ose me një lexim gazete ose duke dëgjuar buletinin informativ në radio ose me ndonjë libër apo dorëshkrim në dorë,
Të mahniste paraqitja e tij. Një burrë trupmesëm, me një fytyrë ëngjëllore, veshur ngado me një bardhësi të ngrohtë e të ëmbël, që të dukej sikur të përkëdhelte dhe të ledhatonte çdo çast të çdo vështrimi të hedhur. Rrudhat e tij flisnin shumë, jo vetëm për një përvojë tejet të gjatë jetësore të kaluar padyshim me shumë dinjitet dhe fisnikëri, por edhe për një kultivim intelektualiteti të kulluar, që buronte nga një përgatitje skrupuloze e nisur që në hapat e para të një vegjëlie të hershme.
Pasqyra e një burri shteti, që pavarësisht kushteve dhe rrethnave kishte ndërtuar dhe skalitur në mendjen e tij të urtë dhe brilante një epope të hekurt e të lavdishme: të një mësuesi të përkushtuar dhe profesionist, jo vetëm të lëndës së Gjuhës shqipe dhe Letërsisë, që natyrshëm kish qenë dhe mbetej pasioni i tij, por edhe të lëndëve të tjera shkencore e sociale, të një sportisti, që sportin e kish kuptuar dhe pranuar si një vigjilencë mjeshtërore dhe artistike, të një nismëtari të zjarrtë i shumë organizimeve sociale, kulturore e atdhetare.
Gjysh Hyseni kishte shërbyer në Rrethin e Parë Çiklistik të Shqipërisë në vitin 1925 duke u bërë edhe gjyqtari i garës. Ai kishte qenë ndër shtyllat kryesore organizative të këtij eventi, që shënjoi edhe histori në sportin ballkanik dhe europian.
Gjysh Hyseni kishte qenë edhe pjesëmarrës i mbledhjeve të rëndësishme të elitës shkodrane të viteve 30‘, nga të cilët mund të përmendim shkrimtarin e madh Migjenin, studiuesin e shquar Skënder Luarasin…, si dhe bashkëthemelues i organizatës nacionaliste “Besa shqiptare“ E të mendoje të bashkëudhëtoje e të bashkëideoje me kolosin e letrave shqipe siç ishte Migjeni, qasjet dhe arsyetimet e të tillë intelektualëve kapërcenin kufijtë ideor lokalizues duke marrë përmasa universale. Të mendosh nga ana tjetër që kushtet dhe rrethanat jetësore të viteve 30‘ qenë si mos më keq, gjysh Hyseni, Migjeni, Luarasi e shumë veprimtarë të tjerë qenë mendjet e ngritura të vendit, që do t’i jepnin dritë një mase të gjerë popullore për të dalur nga errësira që kish kapluar vendin prej vitesh e shekujsh.
Gjysh Hysen Lohja kishte qenë brezi i parë i të diplomuarve nga Normalja e Elbasanit, një institucion i Arsimit të Lartë, që nxirrte kuadro të rëndësishëm në fushën pedagogjike dhe jo vetëm. Kishte qenë gjithashtu nxënës i studiuesit dhe diplomatit të njohur Aleksandër Xhuvanit.
Në 93‘ ishte lauruar me çmimin e lartë asokohe “Mësues i popullit” duke nxjerrë në pah vlerat e larta intelektuale në fushën e pedagogjisë së mësimdhënies, si një njohës i shkëlqyer i shkencave natyrore e shoqërore, i metodikave të mësimdhënies, i teknikave të komunikimit me brezin e ri, i metodologjive të përpunimit të njohurive shkencore, i vizionit dhe largpamësisë në trajtimet praktike të këtyre njohurive.
Bindjet e tij të përpunuara dhe gërshetuara prej vitesh e bënë atë një intelektual të dallueshëm nga elitat shkodrane, pasi botëkuptimet e tij ishin shumë bashkëkohore dhe largpamësia kapërcente kufijtë e një vendi. E si i tillë ai ishte dënuar me burgim në vitet 46‘ – 51‘ e më pas nuk do të vononte as internimi i mbarë familjes për idetë dhe pikëpamjet revolucionare për kohën.
Arsimimi i tij i lartë, pjesëmarrja në shumë evente sportive kombëtare e ndërkombëtare, veçanërisht në çiklizëm, nismat dhe bashkëpunimet e tij në ngritjen dhe gjallërimin e vatrave sociale e kulturore në vend i kishin përftuar një emancipim të magjishëm duke e kthyer në një njohës, jo vetëm të kulturës dhe traditës shqiptare, por mbi të gjitha një diplomat në zgjidhjen e çështjeve parimore dhe jetike të kohës. Për rrjedhojë ishte kthyer në një enciklopedi të mirëfilltë me një memorie historike e kulturore të paimagjinueshme.
Bisedat me të ishin shumë virtuoze dhe jetëdhënëse. I donte dhe i vlerësonte të gjithë nipërit dhe mbesat që e rrethonin me plot dashuri dhe kënaqësi çdo ditë që takoheshin me të. Edhe unë si vogëlushët e tjerë, përpiqesha të strukesha në ngrohtësinë e tij shpirtërore dhe ideore. E admiroja së tepërmi për vullnetin dhe pasionin që zotëronte për leximet e rregullta, për të cilat thoshte gjithnjë se ishin një ilaç shërues dhe një ëmbëlsirë për një memorie të shëndetshme. Ishte abonues i rregullt i gazetave të përditshme, të cilat i lexonte me një përpikmëri dhe përkujdesje të veçantë. Informohej çdo ditë për aktualitetin dhe qe kthyer në një urë lidhëse mes së shkuarës së kryer dhe së tashmes që i vlonte së brendshmi për zhvillimet që ndërmerreshin.
Informohej për kulturën, për arsimin, për ekonominë, për historikun e qytetit dhe të vendit në përgjithësi. Memorien e kish kultivuar deri në atë pikë sa të shumtë ishin njerëzit vizitorë që konsultoheshin me të për figurat e mëparshme, për çështjet vendore e kombëtare, e mbi të gjitha për strategjitë e ndërtimit të një të ardhmeje më të qartë e më të sigurtë.
Fliste qartë, pastër, rrjedhshëm, me një elekuencë virtuoze, ku fjala merrte tjetër peshë dhe vlerë, ku mendimi thurej me një vijë melodike inspiruese dhe joshëse. S’ngutej asnjëherë gjatë bisedave që bënte. Tregohej i rregullt në përpunimin e mendimeve duke shfaqur një koherencë admiruese. Fjalët vinin të përzgjedhura nga goja e tij. Peshoheshin, përpunoheshin, e më pas dilnin si kristale të arta nga një mendje e urtë që të falte gjithnjë besim e siguri.
S’u lodh kurrë së kontribuari dhe rrëfyeri të ngjarjeve të ndryshme dhe të shumta historike e kulturore, dëshmitar dhe pjesë e të cilave kishte qenë vazhdimisht. Në çdo rrëfenjë të dukej sikur bashkëudhëtoje në retrospektivën e larmishme që të ofronte. Të dukej sikur bëheshe vetë protagonist i ngjarjes, sikur udhëtoje për një çast me makinën e kohës drejt epokave të hershme duke i sjellur ato ashtu origjinale në atë realitet.
Viti 2005 do të shënjonte për fat të keq edhe largimin e tij nga kjo jetë, por vetëm atë fizik. Me shpirtin dhe mendjen e tij të florinjtë arriti të përjetësonte plot 101 vite të një cikli jetësor, me një zemër të gjerë dhe një mendje të freskët dhe plot gjallëri. Pasi deri në çastet e fundit të jetës ai gëzonte një shëndet të plotë me një mendje vitale. Vitet e para të demokracisë do të ishin edhe vitet e fundit të jetës së tij. Largohej nga kjo jetë i përmbushur në të gjitha drejtimet duke lënë pas, jo vetëm një familje të mirëkonsoliduar, por edhe duke plotësuar shërbime të shumta që do të linin gjurmë të pashlyeshme në boshtin qëndror të ndërtimit të një shoqërie, që e deshi, e vlerësoi, e respektoi dhe e pranoi si birin e saj të pavdekshëm.
Vitet rodhën me të shpejtë. Ne u rritëm. Ballkoni i shtëpisë së vjetër tashmë nuk është më. Gjysh Hyseni (i ndjerë) mbetet përherë në memorien time, nipërve, mbesave, e të gjithë pasardhësve si emblema e urtësisë dhe legjenda e patjetërsueshme e fisit Lohja.
Burimi/Facebook/GEGNISHT


Leave a Reply