Për rreth 20 vjet, qytetarët pritën shtet të fortë, drejtësi dhe mirëqenie, por u përballën me premtime të pambajtura, keqpërdorime dhe luftë për pushtet. Sot, vota e qytetarit është përgjigjja më e fuqishme ndaj politikës që harron se shteti nuk është pronë private.
„Kur të nemë populli, të vret Zoti!” Me sa duket, populli e ka nemur opozitën, sepse ajo ende nuk po arrin ta kuptojë mesazhin që qytetarët ia dhanë përmes votës demokratike.
Po më kujtohet një thënie e akademik Esat Stavilecit:
“Kujdes se edhe budallenjtë bëjnë garë: kush është më budalla se tjetri! Edhe budallenjtë bëhen rresht: u prin budallai më i madh!”
Kjo thënie e akademikut Esat Stavileci është domethënëse për gjithë botën shqiptare, sepse na shtyn të mendojmë për përgjegjësinë e politikës, mungesën e unitetit dhe dëmin që i shkaktojnë kombit ambicia personale, egoizmi dhe lufta e pakufishme për pushtet.
Kësaj thënieje do t’ia shtoja edhe urtësinë dhe mendjen e ndritur të Ibrahim Rugovës, i cili diti ta rreshtonte popullin drejt fitores politike e kombëtare; ironinë therëse të Faik Konicës ndaj politikës shqiptare; porositë atdhetare të Gjergj Fishtës dhe trimërinë e pashoqe të Adem Jasharit.
Faik Konica, me satirën e tij të njohur, shprehu zhgënjimin ndaj politikës shqiptare me fjalët:
“Zoti që e bëri Shqipërinë për inat të politikanëve shqiptarë.”
Kjo ironi e Konicës godet një plagë që vazhdon të na shoqërojë: kontrastin ndërmjet dashurisë për atdheun që politikanët e shpallin me fjalë dhe përgjegjësisë që duhet të dëshmojnë me vepra.
Edhe Gjergj Fishta i kritikonte përçarjet, mendësinë e ngushtë dhe fjalët boshe të atyre që e vendosnin interesin personal mbi interesin kombëtar.
Ndërsa Adem Jashari dhe familja e tij u bënë simbol i sakrificës sublime për liri. Sakrifica e tyre na kujton se liria nuk u fitua për t’u shndërruar në pronë të pushtetarëve, por për t’i dhënë popullit të drejtën të jetojë i lirë, me dinjitet dhe në një shtet të drejtë.
Një komb nuk dëmtohet vetëm nga armiqtë e jashtëm. Shpesh plagët më të rënda ia shkaktojnë ata që betohen se po e mbrojnë, por në të vërtetë mbrojnë karrigen, partinë, pasurinë dhe interesin e tyre personal.
Akademik Esat Stavileci na ka lënë një thënie që duhet të bjerë si kambanë alarmi për të gjithë politikanët shqiptarë: në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut dhe kudo ku jetojnë shqiptarët.
Por sot, kjo kambanë duhet të dëgjohet veçanërisht nga politikanët e Kosovës, sepse liria dhe shteti nuk u ndërtuan që disa individë ta trajtojnë pushtetin si pronë private.
Kosova nuk është pronë e politikanëve! Ashtu siç mendon opozita në Kosovë, dhe pikërisht për këtë humbi, për të mos u kthyer më kurrë në pushtet. Të gjorët nuk e dinin se pushteti është i përkohshëm, por vendimi i popullit është sovran!
Burimi/Facebook


Leave a Reply