Gjyshi im nga baba ishte një burrë që fliste pak. Mendohesh gjatë përpara se t’i nxirrte nga goja ato pak fjalë.
Aty nga vitet shtatëdhjetë, një mik i tij nisi të ndërtonte një shtëpi jo vetëm të bukur, por edhe jashtëzakonisht të madhe.
Ndoshta ishte shtëpia më e bukur e stilit modern e ndërtuar deri atëherë në Malësinë e Gjakovës. Fasada ballore kishte, as më shumë e as më pak, plot gjashtëmbëdhjetë dritare të rrethuara me qemerë, si dhe një ballkon të dalë në mes, që të kujtonte shtëpinë ku u shpall Pavarësia në Vlorë.
Thoshin se shtëpia kishte gjashtëmbëdhjetë dhoma, secila me nga dy dritare të mëdha.
Gjyshi im e kishte porositur jo një herë mikun e tij, të cilin e donte dhe e çmonte fort:
«Mos e ba shpinë ma të madhe se komiteti, se nuk bie mirë në sytë e Partisë dhe të pushtetit!»
Por ai nuk e dëgjoi. Shtëpia e re shkëlqente në sytë e udhëtarëve, pasi, për dreq, ishte ndërtuar edhe buzë rrugës nacionale.
Nuk kaloi shumë kohë dhe Tropojën do ta vizitonte vetë Mehmet Shehu, kryeministri gjakatar i asaj kohe.
Kur makina e tij kaloi pranë asaj shtëpie të rrallë, ai pyeti:
«Çfarë institucioni është ky?!»
Ai që e shoqëronte në makinë iu përgjigj se ishte shtëpi private dhe i përkiste filanit.
Akoma nuk kishte mbërritur uji i Valbonës të përzihej me atë të Bunës, kur të zotin e shtëpisë e arrestuan. Për familjen e tij nisi saga e vuajtjeve, e cila do të zgjaste deri në vitin 1990, kur ndryshoi sistemi.
Nuk e di nëse gjyshi im e dinte që porosia e tij për mikun ishte, në njëfarë mënyre, edhe një rregull i pashkruar urbanistik i qytetërimeve të hershme, që nga ai romak e bizantin e deri te ai osman: asnjë ndërtesë në qytet nuk duhej të ishte më e lartë se katedralja, kisha apo minarja e xhamisë.
Edhe regjimi komunist ndoqi një lloj statukuoje të pashkruar, të trashëguar ndër shekuj.
Ai që guxonte të ndërtonte një shtëpi që binte më shumë në sy se komiteti, pra më të madhe e më madhështore se godina e pushtetit, rrezikonte të ndëshkohej me burg, të denigrohej dhe të përfundonte i deklasuar.
Për ironi të fatit, miku i gjyshit tim, edhe pse njeri i nderuar, e mbylli jetën në moshën nëntëdhjetëvjeçare me një plumb në kokë, të cilin ia dha vetes. Njëlloj si ish-kryeministri gjakatar, Mehmet Shehu.
Me një ndryshim: ky i fundit e kishte plumbin në zemër.
Dyshimi se nuk ia kishte dhënë vetes, por ia kishte lëshuar dikush tjetër, lindi që natën e (vetë)vrasjes së tij dhe vazhdon të jetojë edhe sot e kësaj dite.
Sa herë që kaloj semaforin në Rrugën «Xhorxh Bush», pranë Urës së Lanës, për të dalë në Bulevardin «Gjergj Fishta», më rikthehet kjo histori.
Në të djathtë më shfaqet Xhamia e Re, më e madhja në Ballkan, me sa kam dëgjuar, ndërsa në të majtë, përtej Lanës, më bën hije kulla më e lartë në Shqipëri.
Dhe kujtesa më çon te ajo shtëpi e dëgjuar dhjetëra herë, por edhe e përjetuar, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.
Ndryshimi mes këtyre dy artefakteve të kohëve tona është se buzë «shtëpisë më të madhe se komiteti» rridhte lumi më i pastër në Europë, ndërsa midis «kullës më të lartë se xhamia e qytetit» rrjedh lumi më i pistë i botës.
Burimi/Facebook


Leave a Reply