Një udhëtim në kërkim të emrit dhe të drejtave të fëmijëve
Na ishte njëherë, në një pyll të blertë, të dendur e plot lule shumëngjyrëshe, një arush i vogël, i bukur si një lodër prej pambuku. Ai sapo kishte ardhur në jetë dhe ishte aq i imët, sa mund të fshihej fare lehtë brenda një kove të mbushur me mjaltë. Gëzofi i tij ishte i butë si mëndafshi, ndërsa sytë i shkëlqenin si dy rruaza të zeza.
Por, megjithëse pylli ishte plot jetë, këngë e hare, arushi i vogël kishte një brengë që ia rëndonte zemrën: ai nuk kishte ende një emër.
Çdo ditë shihte kafshët e tjera teksa luanin dhe thërrisnin njëra-tjetrën me emrat e tyre.
– O Ketrush Kiki, hajde këtej! – thërriste dhelpra.
– O lepurushi Pupi, shiko sa lart kërceva! – i përgjigjej iriqi.
Sa herë dëgjonte këto thirrje, arushi ulej mbi një gur të madh, në anë të rrugës, mbështeste kokën mbi putrat e vogla dhe psherëtinte:
– Po unë? Kush jam unë? Pse askush nuk më thërret me emër? A nuk kam edhe unë të drejtë të kem një emër timin?
Një mëngjes, ndërsa rrezet e para të diellit përkëdhelnin majat e pemëve, arushi mori një vendim të rëndësishëm. Do të nisej në një udhëtim nëpër pyll, për të zbuluar kush ishte dhe cilat ishin të drejtat që i takonin.
Takimi me Dhelprën Finoke
Sapo kaloi kodrën e parë, pas një shkëmbi të madh iu shfaq Dhelpra Finoke. Ajo kishte një bisht të gjatë e të kuqërremtë dhe një buzëqeshje aq të ëmbël, sa mund të të mashtronte që larg.
Kur pa arushin e vogël të trishtuar, iu afrua dhe i foli me një zë të ëmbël:
– O arush i vogël, ku po shkon kështu, krejt i vetëm? Pse e ke ulur kokën? Ç’të duhet ty një emër? Emri nuk të sjell as lodra, as kënaqësi! Eja me mua në fushën e madhe. Atje ka plot lodra, por duhet të punosh pak për mua që t’i fitosh.
Arushi u mendua për një çast. Fjalët e dhelprës nuk i pëlqyen. Diçka brenda tij i thoshte se pas asaj buzëqeshjeje fshihej një qëllim jo i mirë.
Ai kujtoi se nuk duhej t’i besonte kujtdo që i premtonte dhurata, sidomos kur nuk e njihte.
– Jo! – iu përgjigj me guxim. – Unë nuk vij me ty. Jam ende i vogël dhe nuk duhet të bëj punë që nuk janë për moshën time. Kam të drejtë të jem i mbrojtur, të luaj dhe të jetoj i lirë, pa u mashtruar nga askush!
Dhelpra, kur pa se nuk mund ta mashtronte, ngriti bishtin me inat dhe u zhduk mes shkurreve.
Arushi vazhdoi udhëtimin, këtë herë më i kujdesshëm dhe më i vendosur.
Takimi me Breshkën e Urtë
Teksa ecte përgjatë një shtegu të ngushtë, arushi po nxitonte aq shumë, sa nuk e vuri re një gungë të madhe mbi tokë. U pengua dhe për pak sa nuk u rrëzua.
Por gunga nisi të lëvizte ngadalë. Papritur, nga brenda saj doli një kokë e vogël me sy të butë e të mençur.
Ishte Breshka e Urtë.
– Ndal pak, o vogëlush! – i tha ajo me zërin e saj të qetë. – Pse po nxiton kaq shumë? Dhe pse dukesh i shqetësuar?
– Po kërkoj të drejtat e mia dhe dua të zbuloj kush jam! – iu përgjigj arushi. – Rrugës takova Dhelprën Finoke. Ajo donte të më merrte me vete dhe të më detyronte të punoja për të.
Breshka e shikoi me dashamirësi dhe tundi kokën.
– Ke bërë shumë mirë që nuk shkove me të, vogëlush. Shiko zhguallin tim! Ai më mbron nga shiu, nga të ftohtit dhe nga shumë rreziqe. Edhe ti, si çdo fëmijë, ke të drejtë të jesh i mbrojtur dhe të jetosh i sigurt. Askush nuk ka të drejtë të të lëndojë, të të frikësojë apo të të detyrojë të bësh gjëra që nuk janë të përshtatshme për moshën tënde.
Arushi e dëgjoi me vëmendje dhe ndjeu se zemra iu qetësua.
– Po ku mund t’i mësoj të gjitha këto? – pyeti ai.
– E di unë! – u përgjigj breshka. – Do të të shoqëroj te Mësues Bufi. Ai është shumë i ditur dhe do të të ndihmojë të kuptosh më mirë të drejtat e tua.
Dhe kështu, të dy morën rrugën drejt lisit të vjetër, ku jetonte mësuesi më i urtë i pyllit.
Mësues Bufi dhe emri i shumëpritur
Mbi një degë të trashë të lisit shekullor qëndronte Mësues Bufi. Me syzet mbi sqep dhe librin e hapur përpara, ai lexonte nën hijen e gjetheve.
Kur pa breshkën dhe arushin e vogël, zbriti nga dega dhe u ul pranë tyre.
– Mirë se erdhët, miqtë e mi! Çfarë ju sjell deri këtu? – pyeti ai.
Arushi iu afrua me ndrojtje.
– Mësues Bufi, unë nuk e di ende kush jam. Të gjitha kafshët kanë një emër, ndërsa mua askush nuk më thërret. Ndonjëherë ndihem sikur nuk më vëren askush.
Bufi e pa me dashuri dhe i foli me urtësi:
– Vogëlush, çdo fëmijë ka të drejtë të ketë një emër, një identitet dhe një familje që e njeh, e do dhe kujdeset për të. Emri është pjesë e rëndësishme e identitetit tënd. Ai të dallon nga të tjerët dhe të bën të veçantë.
Pastaj buzëqeshi dhe shtoi:
– Që sot e tutje, emri yt do të jetë… Dudi!
Sytë e arushit shkëlqyen nga gëzimi. Ai nisi të kërcente rreth lisit dhe të thërriste me sa fuqi kishte:
– Dudi! Unë jam Dudi! Tani kam edhe unë një emër! Sa i bukur qenka emri im!
Breshka dhe Bufi qeshën të lumtur, duke parë gëzimin e tij.
E drejta për ushqim dhe shëndet
Pasi u përshëndet me miqtë e rinj, Arush Dudi vazhdoi udhëtimin. Tashmë ecte më i lehtë, sikur mbi shpinë të mos mbante më asnjë brengë.
Kur mbërriti pranë një lumi të kristaltë, barku nisi t’i këndonte nga uria:
– Krruk-krruk-krruk!
Në atë çast, nga qielli zbriti Zogu Këngëtar. Ai mbante në sqep disa kokrra manaferra të egra, të pjekura dhe të ëmbla.
– Merre, Dudi, dhe shijoje! – i tha zogu. – Çdo fëmijë ka të drejtë të ushqehet shëndetshëm, të ketë kujdesin e nevojshëm dhe të rritet i fortë e plot shëndet.
– Faleminderit, Zog i mirë! – tha Dudi, duke shijuar manaferrat.
Pas pak, ndjeu se i ishin kthyer forcat dhe vazhdoi rrugën me hapa të gëzuar.
E drejta për lojë dhe argëtim
Pak më tutje, pranë një shtëpize të vogël, Dudi pa një familje lepujsh që po luanin me një top të madh, të bërë me gjethe dhe degë të buta.
Ai u afrua ngadalë dhe, me pak ndrojtje, i pyeti:
– Përshëndetje! A mund të luaj edhe unë me ju?
Lepujt ndaluan lojën, e panë me buzëqeshje dhe iu përgjigjën njëzëri:
– Sigurisht që po! Në lojën tonë ka vend për të gjithë!
Një lepurush i vogël shtoi:
– Të gjithë fëmijët kanë të drejtë të luajnë, të argëtohen, të pushojnë dhe të kalojnë kohë të bukur me shokët e tyre.
Dudi u bashkua me ta. Kërceu, vrapoi, u rrokullis mbi barin e butë dhe qeshi aq shumë, sa për një çast harroi edhe lodhjen e udhëtimit.
Atë ditë kuptoi se loja nuk ishte thjesht një kënaqësi, por një e drejtë që i përkiste çdo fëmije.
Dashuria e familjes
Dalëngadalë, dielli nisi të fshihej pas maleve dhe mbi pyll u shfaq hëna e argjendtë.
Ndërsa Dudi luante ende me lepurushët, Mami Arushë kishte dalë ta kërkonte. E shqetësuar, ajo kalonte nga një shteg në tjetrin dhe thërriste me zë të dridhur:
– Dudi! Dudi, ku je, biri im?
Kur mbërriti te lëndina e lepujve, më në fund e pa të voglin e saj. Ai ishte i lodhur, por fytyra i shkëlqente nga lumturia.
Mami Arushë vrapoi drejt tij, e mori në krahët e saj të ngrohtë dhe e përqafoi fort. I përkëdheli kokën, i pastroi putrat dhe e mbështolli me kujdes, që të mos e zinte të ftohtit e mbrëmjes.
– O biri im, sa shumë të kërkova! – i pëshpëriti ajo, duke e puthur në ballë.
Dudi u mbështet në gjoksin e saj. Për herë të parë atë ditë, ndjeu se kishte gjetur jo vetëm emrin, por edhe vendin ku i përkiste.
Ai mbylli sytë dhe, para se ta merrte gjumi, pëshpëriti:
– Unë jam Dudi! Kam një emër që më përket mua, kam të drejtë të jem i mbrojtur, të ushqehem shëndetshëm, të luaj me shokët dhe të jetoj pranë familjes që më do. Tani e kuptoj se këto janë të drejtat e mia!
Mami Arushë e shtrëngoi edhe më fort në përqafimin e saj.
Që nga ajo ditë, Arush Dudi u rrit i lumtur, i sigurt dhe plot dashuri. Sa herë takonte kafshë të vogla në pyll, u tregonte me krenari udhëtimin e tij dhe u kujtonte se çdo fëmijë ka të drejta që duhen njohur, respektuar dhe mbrojtur.
Sepse fëmijëria është një kopsht që duhet ujitur me dashuri, kujdes dhe siguri, në mënyrë që çdo fëmijë të rritet i lirë, i lumtur dhe me dinjitet.
Burimi/Facebook


Leave a Reply