Ka çaste kur historia pushon së qeni një rrëfim i largët dhe troket në derën e secilit prej nesh.
Besoj se një çast i tillë ka ardhur.
Gjyshja me flamur në dorë dhe nxënësi me çantën e shkollës nuk kanë nevojë për ideologji të përbashkët. Atyre u mjafton një vend ku ligji nuk është mall dhe ku një ishull, një lumë apo një bregdet nuk shitet në tavolina të mbyllura.
Sot në shesh, po përplasen dy ide: Njëra që kërkon të sundojë me paftyrësi dhe tjetra që kërkon të jetojë në një vend ku të mos ndihet e turpëruar.
Prandaj, kjo letër u drejtohet atyre që, pavarësisht se për kë kanë ka votuar, nuk mund të durojnë dhunën ndaj një studenti, poshtërimin e një vajze apo heshtjen përballë padrejtësisë.
Sot nuk kemi nevojë të duam të njëjtën parti. Kemi nevojë të duam të njëjtin vend.
Le të dalim të bashkuar, pa flamuj partiakë, pa udhëheqës të vetëshpallur, pa nostalgji për pushtetet e vjetra. Kjo protestë duhet t’u përkasë qytetarëve të së ardhmes.
Ka vetëm një perjashtim, dhe e them pa urrejtje:
Jashtë këtij bashkimi qytetar duhet të qëndrojnë të gjithë deputetët, anëtarët e qeverive të 36 viteve të ashtuquajturës demokraci dhe figurat publike që kanë qenë të lidhura dhe i kanë shërbyer pushteteve të kësaj periudhe. Jo për t’u mohuar të drejtat qytetare,
Por për arsyet të logaridhënies që është një çështje më vete.
Mos lejoni që politika t’ju ndajë përsëri.
Mos ia falni askujt të ardhmen e fëmijëve tuaj. Mos prisni që dikush tjetër të mbrojë dinjitetin që ju takon.
Sepse shqiptari i mirë nuk është ai që mbron partinë e vet edhe kur ajo gabon. Është ai që mbron të drejtën edhe kur ajo i përket kundërshtarit të tij.
Shqiptari i mirë nuk pyet se kujt i përket protesta. Pyet pse fëmijët e këtij vendi janë detyruar të dalin në rrugë për të kërkuar një të ardhme?
Le të mos jemi më spektatorë të fatit tonë. Le të jemi qytetarë të tij.
E ardhmja nuk ndërtohet me ata që e kanë shkatërruar të tashmen.
Ecni përpara. Ora nuk pret.
Robert Aliaj Dragot
Burimi/Facebook


Leave a Reply