Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkoi të shtunën në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, në një vizitë të paparalajmëruar duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit.
Ai qëndroi edhe në liqenin e Gazivodës, që është edhe një nga pikat e nxehta të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një deklaratë pas vizitës ai tha se “ishte një vizitë e zakonshme fundjave” ndërsa ritheksoi se “Kosova është një, e pandashme, e pavarur dhe shumetnike”.
Ai tha se bisedimet me Serbinë, që po zhvillohen në Bruksel, do të jenë për paqe dhe qëndrueshmëri, për njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi dhe për ardhmërinë euroatlantike.
Mediet serbe thanë se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka urdhëruar ushtrinë që të jetë në shkallën më të lartë të gatishmërisë, ndërsa ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviç, tha se ka urdhëruar policinë të jetë në gjendje gatishmërie.
Mediet serbe thanë se forcat e posaçme të policisë morën nën kontroll liqenin, pohime që u hodhën poshtë më pas nga policia e Kosovës, njësitë e së cilës ishin vendosur në zonë për të siguruar vizitën e presidentit Thaçi, kundër ideve të të cilit për “korrigjim kufijsh”, u protestua nw Prishtinw.
Mediet serbe thanë se presidenti i Serbisë, i cili do t’i drejtohet opinionit në orët e mbrëmjes për këtë cështje, ka kërkuar reagimin e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, tha se Bashkimi Evropian është në kontakt me të gjitha palët, përfshirë edhe NATO-m dhe ” si gjithmonë, llogarisim që të gjitha palët të reagojnë me qetësi dhe vetëpërmbajtje”.
Thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje bënë edhe forcat e KFOR-it “pas raportimeve kundërthënëse rreth zonë së liqenit të Gazivodës”. Në një komunikatë të KFOR-it thuhet se “prania e mëhershme e policisë së Kosovës në atë zonë është konfirmuar dhe bëhet fjalë për policët e ngarkuar me sigurinë e zotit Thaçi, i cili po vizitonte zonën e Zubin Potokut”, thuhet në njoftim në të cilin nënvizohet se KFOR-i po mbikëqyrë situatën me patrulla dhe helikopterë.
Tre javë më parë liqenin e kishte vizituar presidenti serb Vuçiç, vetëm një ditë pasi kishte dështuar një raund i ri bisedimesh të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian
Një pjesë e liqenit artificial që është ndërtuar vitet e 80-ta, shtrihet në Serbi dhe ka rëndësi për furnizimin më ujë të termocentraleve të Kosovës dhe në muajt e verës edhe të disa komunave të Kosovës. përfshirë edhe kryeqytetin.
Paraditen e sotme e kalova duke shijuar bukuritë natyrore me barkë rreth liqenit të Ujmanit dhe duke pirë kafe në veriun e Republikës së Kosovës. I takova edhe policët dhe doganierët tanë, pjesëtarë të të gjitha komuniteteve, në vendkalimin kufitar në Bërnjak. Kosova është e bekuar me natyrën dhe qytetarët e saj. HTH
Burimi/Zeri i Amerikes



Leave a Reply