PAPA LEONI XIV PRET IMZOT GJERGJ METËN, NË VATIKAN SHKON EDHE NJË FLETË-FTESË PËR SHQIPËRINË
Një ftesë për të vizituar Shqipërinë dhe Mirditën do të jetë në qendër të takimit që Presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Imzot Gjergj Meta, do të zhvillojë me Papa Leonin XIV në Vatikan.
Papa Leoni XIV do të presë në audiencë private Imzot Gjergj Metën, ipeshkëv i Dioqezës së Rrëshenit. Takimi pritet të jetë një moment i rëndësishëm për Kishën Katolike në Shqipëri, ndërsa për ipeshkvin shqiptar mbart edhe një domethënie të veçantë personale dhe shpirtërore.
Në bisedën me Radio Vatikanin – Vatican News, Imzot Gjergj Meta tregon se e ka takuar Papën vetëm një herë më parë, pak pas zgjedhjes së tij në krye të Kishës Katolike, gjatë një audience të përgjithshme në maj të vitit 2025.
Por këtë herë takimi do të jetë ndryshe. Në bisedën e drejtpërdrejtë me Papën, Imzot Meta do ta ftojë atë për një vizitë në Shqipëri dhe veçanërisht në Mirditë, në Dioqezën e Rrëshenit.
“Ky është një takim personal i imi me Papën Leonin XIV. Tashmë, pas më shumë se një viti, takimi i nesërm do të jetë një mundësi e re për dialog dhe bashkëndarje, në një moment të rëndësishëm për Kishën Katolike në Shqipëri”, shprehet Imzot Meta.
Audienca pritet të vendosë në qendër të bisedës jetën, përvojën dhe misionin e Kishës Katolike shqiptare, si dhe marrëdhënien e saj me Selinë e Shenjtë dhe Kishën universale.
Në këtë takim, Shqipëria do të jetë pjesë e bisedës drejtpërdrejt përballë Papës, ndërsa ftesa për të vizituar vendin dhe Mirditën i jep takimit një dimension të veçantë.
Burimi/Facebook/Portali Veriu Sot


Leave a Reply