
Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, ka reaguar në ditën e vendimit për ish-krerët e UÇK-së, duke rikthyer në vëmendje momentin kur Kuvendi i Kosovës miratoi ligjin për Dhomat e Specializuara.
Krasniqi thotë se mobilizimi i madh qytetar që është parë ditët e fundit duhej të kishte ndodhur më 3 gusht 2015, kur u votua ligji për Gjykatën Speciale.
“Me pas qenë ky mobilizim kundër Gjykatës Speciale më 3 gusht 2015, sot do të ishte një ditë e zakonshme për të gjithë ne, sepse nuk do lejohej votimi i saj”, shkroi Krasniqi.
Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar u miratua nga Kuvendi pikërisht më 3 gusht 2015.
Megjithatë, Krasniqi shprehu dëshirën që ish-krerët e UÇK-së të lirohen dhe të kthehen te familjet e tyre.
“Uroj që sot të gjithë bashkëluftëtarët të lirohen dhe t’u kthehen familjarëve të tyre”, deklaroi ai.
Në të njëjtën kohë, ai kërkoi që pakënaqësia qytetare të drejtohet edhe ndaj politikanëve që e shtynë përpara dhe e votuan krijimin e Gjykatës Speciale.
“Uroj që po kjo masë qytetarësh të indinjuar me të drejtë të kërkojë edhe largimin nga politika të gjithë atyre që e shtynë para dhe votuan Gjykatën Speciale”, përfundoi Krasniqi.
Burimi/Facebook/Vatani News


Leave a Reply