Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka folur sot për publikun teksa ishte në një vizitë në Vlorë, ku ka pranuar se do të largohet nga qeveria.
Sipas raportimeve në media, Lleshaj është shprehur në takime që nuk do të jetë i përhershëm në detyrë. Ai ka thënë po ashtu, se është e sigurtë se s’do të jetë më ministër.
Këto komente, vijnë në prag të ndryshimeve që pritet të ketë së shpejti në qeveri. Janë disa ministra që do të largohen.
Pak ditë më parë, ajo e Arsimit, pranoi se do të largohet nga detyra për t’u kthyer në Kosovë pranë familjes.
Lleshaj mori goditje politike nga Kryeministri teksa nuk u caktua si drejtues politik në Qarkun e Lezhës për zgjedhjet që po vijnë, po në vend të tij, Rama preferoi Lindita Nikollën.
Prej kohësh, Lleshaj e ka shfaqur në sjelljen e përditshme mërzinë e largimit, dhe stafi e bashkëpunëtorët e tij tregojnë se ai nuk i flet më askujt teksa hyn e del nga zyra, sikur ato të jenë ditët e fundit në postin e rendesishëm.
Largimin e Lleshajt e paralajmëroi Gazeta Mapo pak ditë më parë.

Me 11 shtator, të premten mblidhet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, ku do të merren vendimet politike për fushatën elektorale, lidhur me zgjedhjet e dekretuara tashmë, që do të mbahen me 25 prill të vitit të ardhshëm.
Çfarë pritet nga kjo mbledhje më me kërshëri, është ndryshimi i mundshëm i qeverisë.
Vetë Rama e ka bërë të ditur, se, ata që janë të lodhur do të lihen në stol, duke lënë të kuptohet se do të ketë lëvizje.
Po ashtu, T.Ch, tha një ditë se të paktën dy ministra do të largohen.
Ilir Beqaj, me detyra e përgjegjësi të reja të ngarkuara nga Kryeministri, u shpreh se derisa gjithë bota po ndryshon, nuk ka pse të mos ndodhë kjo edhe me qeverinë.
Dhe Asambleja është vendi i duhur.
Në befasi të flotë. Rama ka krijuar momente të tilla shpesh, ku dikush ikën e dikush vjen, dhe e gjitha merret vesh aty. Kjo ka ndikuar për të rritur autoritetin e Ramës në parti.
Eshtë shumë e besueshme, se një nga ikjet më të forta nga qeveria, të jetë ajo e Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Prej kohësh flitet se raportet mes Ramës dhe Lleshajt nuk janë më ato të fillimit.
Në fillim të vitit, mendohej se do të ndodhte një rrokadë mes Lleshajt dhe Xhaçkës, por pandemia ngriu gjithçka.
Burime serioze pranë Ministrisë së Brendshme, bëjnë të ditur për gazetën Mapo se ka disa ditë që Lleshaj nuk ka sjelljen dhe humorin e zakonshëm. Pothuajse pjesa më e madhe e stafit ka kuptuar se me 11 shtator, do të njoftohet një Ministër i ri.
Rrethana që e bën edhe më të besueshëm këtë zhvillim, është se në vend të LLeshajt, Rama caktoi si drejtuese politikë të Qarkut të Lezhës, Lindita Nikollën, ndërkohë që Ministri raportohet se kishte nisur punë atje, takimet me strukturat dhe përgatitjet për zgjedhjet.
Janë edhe ministra të tjerë, që kanë ardhur në krye të pushtetit, pa mund, pa kontribut partiak, dhe që nuk janë elektoralë, madje kanë krijuar kosto për shkak të mungesës së komunikimit, apo arrogancës. Edhe ata mund të bien në gijotinën e 11 shtatorit.
Megjithatë, çdo gjë ngelet për t’u konfirmuar.
Nga ana tjetër, mëtonjësit për Ministër të Brendshëm, nëse largohet Lleshaj nuk janë pak.
Në koridoret e PS, përveç Xhaçkës, përflitet jo rrallë edhe Taulant Balla.
Burimi/Mapo.al


Leave a Reply