Bundestagu gjerman ka votuar në favor të hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Me 350 pro, 188 kundër dhe 16 abstenim parlamenti gjerman i hapi dritën jeshile Shqipërisë. Lajmin e bëri publik edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, i cili në një postim në Twitter tha se:
“Bundestagu gjerman ka votuar këtë mbrëmje në favor të hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në tetor”. Gjatë diskutimeve, deputeti i SPD, Josip Juratovis kërkoi hapjen e negociatave për Shqipërinë, duke deklaruar se duhet të japim një shans.
Deputeti i CDU/CSU, Florian Hahn tha se Shqipëria ka bërë përparim në sistemin e gjyqësorit, por ka ende punë për të bërë në luftën kundër krimit të organizuar. “Po të votojmë për Shqipërinë i japim një shans historik. Kemi vendosur kritere shumë të forta për Shqipërinë, të ndara në dy faza. Hapja e negociatave nuk do të thotë anëtarësim”, Florian Hahn.
Deputeti tjetër i CDU/CSU, Peter Beyer tha se duan të shohin rezultate konkrete në Reformën Zgjedhore “BE nuk e braktis këtë rajon, ata janë në zemrën e Europës dhe kanë një të ardhme në BE”, tha Peter Beyer.
Ndërsa deputeti i SPD, Metin Hakverdi tha se hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është edhe në interesin e Bashkimit Europian.
Burimi/gazetamapo.al


Leave a Reply