Ndërsa autoritetet gjejnë më shumë paisje shpërthyese që u janë dërguar figurave demokrate me peshë, Presidenti amerikan Donald Trump po fajëson kryesisht median për atmosferën e acaruar politike në Amerikë. is largely blaming the media for the angry political atmosphere in America.
Të enjten në mëngjes, në një postim në Twitter, ai shkruante: “një pjesë shumë e madhe e zemërimit që shohim sot në shoqërinë tonë është shkaktuar nga raportimi qëllimisht i rremë dhe i pasaktë i mediave kryesore që unë i quaj Fake News (Lajmet e Rreme)”.
“Është bërë aq negative dhe me urrejtje, saqë është e papërshkrueshme. Media Kryesore duhet të ndreqë gabimet e veta, ME SHPEJTËSI!”, tha ai.
Komenti i zotit Trump erdhi ndërsa pasije të dyshuara eksplozive, drejtuar aktorit Robert De Niro dhe ish-nënpresidentit Joe Biden, u gjetën të enjten, duke e sjellë në 10 numrin e paketave të tilla që janë zbuluar në vendndodhje të ndryshme në Shtetet e Bashkuara që nga e hëna.
Policia e Nju Jorkut zbuloi të enjten herët në mëngjes një pako me përmbajtje të dyshimtë, në një lagje të vogël të Manhatanit. Zyrtarët e policisë tha se pakoja ishte dërguar në një kompani produksioni të aktorit Robert De Niro dhe ishte e ngjashme me ato që i janë dërguar demokratëve të tjerë me peshë, përfshirë ish-Presidentit Barack Obama dhe ish-sekretares së Shtetit, Hillary Clinton.
Departamenti i Policisë së Nju Jorkut e largoi bombën e dyshuar dhe po e analizon atë.
FBI-ja konfirmoi gjithashtu se dy pako drejtuar ish-nënpresidentit Joe Biden, u gjetën në Delaware.
Paketa të tjera u ishin drejtuar ish-Prokurorit të Përgjithshëm të administratës së ish-presidentit Obama, Eric Holder, dy anëtarëve demokratë të Kongresit dhe ish-Drejtorit të CIA-s, John Brennan.
Ai iu përgjigj komentit të Presidentit Trump në Twitter të enjten duke shkruar në median sociale: “Mjaft fajësove të tjerët. Shih në pasqyrë. Retorika jote acaruese, fyerjet, gënjeshtrat dhe nxitja e dhunës, janë të turpshme”.
Një paisje eksplozive që policia tha se ishte aktive, mbërriti në një zarf që i drejtohej zotit Brennan në zyrën e CNN-it në Nju Jork, shkaktoi evakuimin e Qendrës Time Warner për orë të tëra të mërkurën.
Presidenti i CNN-it, Jeff Zucker nxorri një deklaratë ku thuhej se anëtarë të administratës së zotit Trump, kanë “një moskuptim të plotë” të seriozitetit të sulmeve të tyre të shpeshta ndaj medias.
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders u përgjigj në Twitter, duke e akuzuar zotin Zucker si përçarës.
E pyetur nga gazetarët, nëse mund të kishte një lidhje mes fyerjeve të Presidentit Trump ndaj kundërshtarëve politikë dhe dërgimit të paisjeve shpërthyese, zonja Sanders u përgjigj:
“Sigurisht që Presidenti nuk është përgjegjës për dërgimin e paketave të dyshimta, ashtu siç nuk ishte përgjegjës Bernie Sanders kur një përkrahës i tij hapi zjarr në një fushë bejsbolli vitin e kaluar”, tha ajo.
Presidenti Donald Trump tha dje se zarfat me lëndë plasëse të dërguara në adresë të zyrtarëve aktualë dhe të mëparshëm të qeverisë amerikane nuk kanë vend në politikën amerikane dhe i quajti “sulm ndaj vetë demokracisë”.
Nënpresidenti Mike Pence i dënoi incidentet si akte prej frikacakësh.
Në Florida, zonja Clinton u shpreh se këto janë kohë të trazuara:
“Këto janë kohë të shoqëruara me përçarje të thella. Duhet të bëjmë të pamundurën që ta bashkojmë vendin”.
Kritikët e kanë akuzuar presidentin se e ka acaruar retorikën. Një senator republikan nuk mendon ashtu, megjithatë bën thirrje për qëndrim të moderuar:
“Mendojmë se njerëzit nga të dyja kahjet politike, duhet të përqafojmë qëndrime të moderuara,” tha Senatori Orrin Hatch.
Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve Christopher Wray tha se hetimi i kësaj çështjeje do të trajtohet me prioritetin më të lartë.
“Kemi angazhuar burimet më të mëdha të FBI-së dhe së bashku me partnerët tanë në grupet e përbashkëta Task-Force kundër terrorizmit, do të vazhdojmë të punojmë për të identifikuar dhe arrestuar këdo që është përgjegjës për dërgimin e këtyre pakove”, tha zoti Wray në një deklaratë.
Gazeta New York Times njofton se paisja e gjetur pranë shtëpisë së ish-Presidentit Bill Clinton dhe kandidates demokrate për presidente në vitin 2016, është e ngjashme me atë që ishte vendosur në një kuti postare para shtëpisë së filantropistit, George Soros të hënën.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply