Për shkak të numrit të vogël të nxënësve, komuna e Kamenicës do t’i mbyllë disa shkolla. Shkolla fillore e fshatit Meshinë nuk hapi dyert këtë vit për nxënësit. Kjo sepse në këtë zonë kishin mbetur vetëm 3 nxënës, dhe kështu komuna e Kamenicës mori vendim që këta nxënës t’i bartë deri në shkollën e qytetit. Nxënësit që kishin për të vijuar mësimin në shkollën e fshatit ishin të familjes Bucolli. Fitim Bucolli, anëtar i kësaj familje dhe ish-nxënës në këtë shkollë thotë që kushtet e vështira kanë bërë qe këtu të mos fillojë mësimi më. Kështu që shkolla e dëmtuar e këtij fshatit mbetet e mbyllur. Por edhe disa të tjera në këtë komunë do ta kenë fatin e njejtë. Paralelja e shkollës fillore “Skënderbeu” në fshatin Lisockë të Komunës së Kamenicës, numëron vetëm 12 nxënës. Drejtori i shkollës, Qemajl Biçku, përmes telefonit për T7 ka thënë që në shkollën “Skënderbeu” nuk është investuar asnjëherë nga ana e komunës. Ndërkaq, ishte pikërisht kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati që ditë më parë kishte vizituar shkollat e kësaj zone të cilat i ka gjetur mbyllur. Për këtë kryetari i Kamenicës thotë që janë iniciuar masat disiplinore mbi stafin përgjegjës të këtyre shkollave. Në qytetin e Kamenicës përgjatë viteve, në fshatrat e Malësisë janë mbyllur një numër i shkollave, për shkak të numrit të vogël të nxënësve dhe kushteve të vështira në të cilat zhvillohej mësimi.
kosovatoday.com/


Leave a Reply