Bedri Hamza nuk ka përjashtuar se nuk do të bëjë kërkesë për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës.
Nga Linda Karadaku për Southeast European Times në Prishtinë – 17/01/13
Ministri i Financave Bedri Hamza mund të bëjë kërkesë për një funksion në Bankën Qendrore të Kosovës. [Laura Hasani/SETimes]
Dorëheqja e Ministri të Financave të Kosovës Bedri Hamza nuk pritet të ndryshojë politikat financiare për shtetin e Ballkanit, thanë analistët.
Hamza dha dorëheqjen të hënën (14 janar) për arsye personale e të familjes, sipas një njoftimi për shtyp që lavdëronte atë që Hamza e quajti suksese të tija si ministër — ruajtjen e stabilitetit makro-fiskal e përfundimi i detyrimeve të programit të gatishmërisë që Kosova ka me FMN.
“Përmbushja e këtyre detyrimeve jo vetëm bëri të mundshme lëshimin e fondeve nga Banka Botërore dhe FMN, por rezultoi gjithashtu në atë që Kosova të jetë vendi më i suksesshëm në rajon lidhur me stabilitetin makro-fiskal dhe rritjen ekonomike,” tha Hamza.
Nuk është përmendur një zëvendësim.
Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studimin Strategjik e Shoqëror të Kosovës, tha përSETimes se ministri i financave ka rol të vogël në përcaktimin e politikave ekonomike e shërben kryesisht si një “arkëtar i qeverisë.”
Një ndryshim në udhëheqje do të ketë pak ndikim në gjendjen financiare të vendit, tha ai.
Avni Zogiani, drejtor ekzekutiv i OJQ-së Çohu të Kosovës, tha se besonte se Hamza do të vendoset në Bankën Qendrore të Kosovës ose do të marë një rol kryesor në Partinë Demokratike (PDK) të kryesuar nga Kryeministri Hashim Thaçi.
“Kjo gjithashtu krijon hapësirë për PDK që të nisë disa ndryshime në qeveri për t’i bërë vend në koalicion Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të Ramush Haradinaj, që sipas të gjitha shanseve do të ndodhë,” tha Zogiani përSETimes.
Hamza nuk përjashtoi një funksion drejtues në bankën qendrore.
“Nuk kam bërë kërkesë ende. Funksioni është i hapur për kërkesa edhe për një javë. Patjetër që do të vendos gjatë kësaj kohe,” u tha Hamza gazetarëve të martën.
Por Merita Mustafa, administratore programi në Institutin Demokratik të Kosovës/ Transparency International, tha se të gjithë lojtarët, përfshirë parlamentin e mekanizmat e tjerë shtetërorë duhet të angazhohen e mobilizohen për një kontroll real të financave publike, pavarësisht nga zhvillimi më i fundit.
“Pse jo, edhe shtetasit e zakonshëm që ndërtojnë çdo ditë buxhetin e shtetit me taksat e tyre (të jenë të angazhuar e mobilizuar),” tha Mustafa përSETimes.
Mustafa vuri në dukje se ministria e financave administron financat, por nuk ka shumë ndikim në uljen e nivelit të korrupsionit.
“Eshtë qeveria që merr vendime e mund të bëjë më shumë për të luftuar korrupsionin. Qeveria mund të marrë një vendim për të rritur buxhetin për institucionet që kanë kompetenca në luftimin e korrupsionit, institucioneve që kanë nevojë urgjente të forcohen e mund të marë gjithashtu masa shtesë për të ndërmarrë reforma,” tha ajo përSETimes.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Hashim Thaçi
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply