Sot trokitëm në një dhimbje të rëndë: u nda nga jeta njeriu i idealit, luftëtari i paepur i tri luftërave tona çlirimtare – në Kosovë, në Luginë të Preshevës dhe në Maqedoni.
Enver Rufati lindi dhe u rrit në një vatër të ndritur e patriotike; i ati ishte një atdhetar i flaktë, ndërsa vëllai i tij, Fadili, ra dëshmor në fushën e nderit në luftën e Maqedonisë. Duke u rritur në këtë trung, si vëllai i madh që i kishte prirë rrugës së nderit më herët, Enveri u bë mishërimi i atdhetarit të vërtetë, atij që nuk kërkoi kurrë favore e kolltukë për vete. Pas luftës, ndonëse subjektet politike e ftuan të kthehej në vendlindje duke i ofruar poste e mundësi, ai zgjodhi rrugën e gurbetit. Nuk pranoi të bënte kompromis me idealin e tij, sepse ishte betuar për çlirimin dhe bashkimin e plotë të të gjithë shqiptarëve, dhe mbeti i pakënaqur me rezultatin e cunguar të luftërave për të cilat familja e jo pak dha gjithçka.
Por mbi të gjitha, pas uniformës së luftëtarit dhe malit të sakrificave, fshihej një shpirt prej njeriu të madh. Xhaxhi kishte një zemër kaq të pastër e të dhimbsur, saqë nuk duronte dot askënd në vuajtje – e sidomos shqiptarë. Edhe pse nuk munguan ata që ia keqpërdorën mirësinë, duke i kërkuar ndihma apo cigare se ishin pa punë, ai përsëri nuk u kursye kurrë, duke u shtrirë dorën dhe duke u treguar njerëzor deri në frymën e fundit.
Një jetë e kushtuar për Atdheun, një trung familjar që nxori heronj e burra fjalëpakë, një shpirt që rrahu vetëm për njerëzit në nevojë.
O luftëtar i lirisë, pishtar i kësaj rruge dhe vëlla i dëshmorit Fadil, jemi të bindur se shpirti yt i pastër sot është bashkuar me të dhe me babain tuaj në Xhehnet!
Të qoftë dheu i lehtë!
Ngushëllime familjes, shokëve të armëve dhe mbarë kombit shqiptar!
LAVDI JETËS DHE VEPRËS SË TYRE!
Burimi/Facebook


Leave a Reply