I nderuar Sak Muji!
Ne rugovasit betohemi në tri gjëra: Pasha tokë, pasha qiell e pasha grua!
Femra është shtylla e njerëzimit. Ajo është vetë bota!
Në vitin 1986, kur isha në një shkollë ku qëndrova një vit, pikturova një femër shtatzënë. Barku i saj ishte globusi i botës. Barku i saj ishte vetë bota, sepse nga barku i femrës krijohet dhe vazhdon jeta njerëzore.
Më kujtohet një gojëdhënë e vjetër, të cilën gjyshja e babait tim ia kishte treguar babait tim. Gjyshja kishte jetuar 114 vjet dhe kishte vdekur në vitin 1917. Ajo ishte bijë e Bardhajve të Kuqishtës.
Kështu fillon tregimi:
Një vajzë nga Rugova dashurohet me një djalë nga Peshteri. Vajza quhej Zoje.
Kur e kuptuan se Zoja ishte shtatzënë, ajo tregoi se me kë ishte dashuruar.
Bajraktari i dërgon fjalë bajraktarit të familjes së djalit, Kolës, duke i thënë se çfarë turpi kishte bërë mashkulli i tyre.
Bajraktari i Kolës e merr Kolën dhe e dërgon në mal, ku e vrasin. Thuhet se i kishte rënë lisit duke punuar dhe kishte vdekur.
Edhe Zojen dëshironin ta vrisnin në të njëjtën mënyrë. Por prifti i fshatit nuk i lejoi dhe u tha:
“Vajza mund të ketë bërë gabim, por fëmija në barkun e nënës nuk ka faj!”
Familja e vajzës nuk e dëgjoi priftin. E morën Zojen dhe e çuan në mal, pikërisht aty ku sot ndodhet amfiteatri në Drelaj. E lidhën për një dardhë të egër, që ta hanin kafshët e egra.
Por, gjatë natës, ra shi. Zoja arriti të zgjidhej dhe të strehohej në një shpellë. Aty lindi një djalë, të cilit ia vuri emrin Kol, sipas emrit të babait të fëmijës.
Me kalimin e kohës, nga Kola u krijua një fshat i madh.
Dhe këtu qëndron mesazhi që dua të përcjell:
Shpëtimi i një femre mund të jetë themeli i një fshati. Nga një fshat mund të lindë një qytet.
Ndërsa vrasja e një femre është vrasja e një familjeje, e një fshati, e një qyteti, e një shteti dhe e një bote të tërë.
STOP VRASJES SË GRAVE!
STOP VRASJES SË JETËS!
STOP VRASJES SË BOTËS!
Me respekt,
Besnik Lajqi
Rugovë
Burimi/Facebook


Leave a Reply