Është turp, është dhimbje dhe është krim të vrasësh një grua. Nuk është traditë shqiptare, nuk është nder, nuk është burrëri dhe nuk ka asnjë justifikim që mund ta arsyetojë marrjen e jetës së një gruaje.
Në Kosovën tonë, kemi parë shumë gra të humbin jetën në mënyrë tragjike, nga duart e njerëzve që duhej t’i mbronin, t’i respektonin dhe t’i donin. Gra, nëna, vajza e motra, të cilave iu është ndërprerë jeta padrejtësisht. Pas çdo vrasjeje mbetet një familje e shkatërruar, fëmijë pa nëna, prindër me zemra të thyera dhe një shoqëri që duhet të ndiejë turp për çdo rast kur heshtja bëhet më e fortë se drejtësia.
Nuk mund të fshihet një krim pas fjalëve si traditë, xhelozi, nder apo zakon. Asnjë burrë nuk ka të drejtë të vendosë për jetën e një gruaje. Asnjë traditë nuk mund të jetë më e vlefshme se jeta e njeriut. Kultura shqiptare duhet të kujtohet për mikpritjen, besën, respektin dhe dinjitetin, jo të përdoret si mbulesë për dhunën dhe vrasjen.
Është koha të ndalemi dhe të pyesim veten: Sa gra të tjera duhet të vriten që të kuptojmë se kemi një problem të madh si shoqëri? Sa nëna duhet të mos kthehen më në shtëpi? Sa fëmijë duhet të rriten pa përqafimin e nënës së tyre? Sa familje duhet të përjetojnë këtë tragjedi?
Drejtësia nuk duhet të vijë vetëm pasi një gruaje t’i merret jeta. Ajo duhet të jetë aty kur ajo kërkon ndihmë, kur denoncon dhunën dhe kur ndihet e rrezikuar. Heshtja nuk na nderon. Mbrojtja e viktimave, parandalimi i dhunës dhe ndëshkimi i kriminelëve janë detyrë e të gjithëve.
Një grua nuk është pronë e askujt. Ajo është njeri, ka të drejta, ka ëndrra, ka dinjitet dhe ka të drejtë të jetojë e lirë dhe pa frikë.
Le të mos e quajmë kurrë vrasjen traditë. Le ta quajmë me emrin e saj të vërtetë: KRIM!
Sepse të jesh shqiptar nuk do të thotë të sundosh, të frikësosh apo të vrasësh një grua. Do të thotë të kesh dinjitet, njerëzi dhe respekt për jetën.
Nuk është turp të jesh grua. Turp është të jesh burrë dhe të ngresh dorën mbi një grua. Turp është të heshtësh përballë dhunës. Dhe turp është të kërkosh justifikim për një vrasje që nuk justifikohet kurrë!
:::
Mesazhi që duhet të mbetet në ndërgjegjen e secilit: Asnjë grua nuk duhet të vdesë vetëm pse dikush mendon se ka të drejtë mbi jetën e saj…..!
✍️ Florim Nuha
Ndrecaj
Burimi/Facebook


Leave a Reply