E shfrytëzuan, e politizuan dhe e kthyen në instrument propagande rastin tragjik të Astrit Deharit, duke akuzuar të gjitha pushtetet, derisa erdhën vetë në pushtet.
Pas ardhjes në pushtet, në vend që ta zbardhnin rastin, u përballëm edhe me skandalin e zhdukjes së provave!
Prandaj, pyetja është e pashmangshme: Kush i zhduku provat dhe kujt i interesonte që e vërteta të mos zbulohej? A kishte përgjegjësi edhe për shtyrjen e Astrit Deharit drejt vetëvrasjes?
Tani, pas më shumë se gjashtë vitesh në pushtet, kur dështimi i institucioneve për të mbrojtur një grua, një nënë, përfundon me një vrasje makabre, dalin përsëri dhe akuzojnë sistemin e drejtësisë!
Po kush, more zotërinj, e kishte përgjegjësinë politike për ta reformuar dhe përmirësuar këtë sistem gjatë gjithë këtyre viteve?!
Edhe tani, tragjedinë e të ndjerës Arlinda Zeka po e shfrytëzojnë për ta vazhduar luftën politike kundër sistemit të drejtësisë.
Sepse, siç duket, fokusi i tyre gjatë këtyre gjashtë viteve nuk ka qenë ndërtimi dhe përmirësimi i drejtësisë, por përpjekja për ta futur atë nën kontrollin e tyre politik!
Për ta kapur postin e Kryeprokurorit të Shtetit! Për ta larguar nga pozita prokurorin e Prokurorisë Speciale, i cili ishte bërë rrezik për zyrtarët e pushtetit që përballeshin me hetime për korrupsion!
Dhe çfarë ndodhi me hetimet ndaj ministrave? Kush i ndërpreu, kush i pengoi dhe kush përfitoi prej tyre?
Këto janë pyetjet që duhet të marrin përgjigje, jo të mbulohen me propagandë!
Ky është fokusi që unë shoh te kjo qeverisje, e cila, sipas vlerësimit tim, i ka sjellë këtij vendi dështime të rënda institucionale!
Tani duket se përpiqen ta mbulojnë edhe këtë tragjedi makabre, duke glorifikuar ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, sikur ai të ishte përgjigjja për vrasjen e një gruaje!
Mbajeni mend: Nëse drejtësia futet nën kontroll politik, edhe ky ligj mund të kthehet në armë për sabotimin e bizneseve, shantazhimin e oponentëve politikë dhe mbrojtjen e njerëzve të pushtetit!
Dhe atëherë nuk do të kemi drejtësi, por persekutim politik në emër të drejtësisë!
Nuk mund të sundosh për më shumë se gjashtë vite dhe, sa herë ndodh një tragjedi, të dalësh e të bërtasësh kundër institucioneve, sikur të mos kesh asnjë përgjegjësi!
Mjaft më me këtë hipokrizi të pështirë politike!
Një shtet nuk shkatërrohet vetëm duke ia rrënuar ekonominë. Ai shkatërrohet edhe duke ia kapur drejtësinë, duke ia dobësuar institucionet e sigurisë dhe duke e kthyer çdo tragjedi njerëzore në instrument për pushtet.
Dhe pikërisht ky është rreziku që po i kanoset Kosovës: shkatërrimi i institucioneve të shtetit, deri në humbjen përfundimtare të besimit në drejtësi!
Astrit Dehari nuk ishte mjet propagande!
Arlinda Zeka nuk ishte kapital politik!
Viktimat meritojnë drejtësi, jo hipokrizinë e atyre që fatkeqësinë njerëzore e shndërrojnë në armë për pushtet!
Burimi/Facebook


Leave a Reply