-Në Fest-Folk 2026, organizuar nga shoqata “Artisti”, Rovereto-
Një këngë shpreh talentin dhe shpirtin e një kompozitori, të një poeti e të një këngëtari. Kurse folklori shpreh shpirtin e një populli, i cili vjen përmes këngës, valles kostumeve, instrumenteve popullore. Artisti Aleksandër Kolshi, drejtues i shoqatës “Artisti” në Rovereto e ka kuptuar këtë më së miri. Ndaj çdo vit, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Folklorit, organizon një aktivitet dy-ditor, të quajtur Fest-Folk, në kuptimin e një festivali folklorik, që përfshin gjithë zonën e Trentinos e më gjerë. Për ditë e ditë me radhë, studioja e tij gjallërohet nga artistë të shumtë, që vijnë të interesohen e të merren me përgatitjen e këtij aktiviteti. Për 15 vite me radhë Aleksandri ka sjellë një gjallëri të veçantë në Sallën e Filarmonisë, që i hap dyert në Bulevardin kryesor të Roveretos, që mban emrin Antonio Rosmini.
Kështu ndodhi edhe fundjavën e kaluar, ku për dy netë u ngjitën në skenë këngëtarë, valltarë, instrumentistë. Dhe ata janë shqiptarë e italianë, rumenë e moldavas, spanjollë e bullgarë, pjesëtarë të të gjitha etnive që jetojnë e punojnë në trentino. Madje grupi Horovod vjen nga Brescia, kurse grupi “Shtojzovallet” dhe këngëtaret Teuta Pango e Adriana Thano kanë ardhur që nga Greqia për të marrë pjesë në këtë festival të bukur. Ekisha takuar këngëtaren Teuta Pango në Athinë dhe më pat bërë përshtypje interpretimi i saj në disa këngë të Vaçe Zelës, por edhe në këngët popullore të jugut. E ftuam në Itali në një aktivitet në Pesaro dhe ajo u bë e njohur edhe tek emigrantët shqiptarë në Itali. Tani e ndjekim në të dy netët e Fest-Folkut në interpretimet e saj të ngrohta me Adrianën, apo edhe me Kosta Bonshin.
Vallet e grupeve “Besëlidhja”, “Shtojzovallet”, “Horovod”, “Zivireel”, “Danticadanza” e të tjera sjellin jo vetëm bukurinë , ritmin e dinamikën e valleve që përcjellin shpirtin e popujve të ndryshëm, por edhe kostumet me ngjyra të gjalla, që mërgimtarët i kanë sjellë nga vendet e prejardhjes së tyre dhe i ruajnë me dashuri. E pasionuara dhe e palodhura Nereida Xhakolli, presidente e shoqatës “Rinia”, nëpër vite ka bërë një punë të madhe për blerjen dhe ruajtjen e një sërë kostumesh popullore, nga të gjitha zonat e Shqipërisë, me të cilat pajis herë pas here grupe të ndryshme në aktivitetet e tyre. Kur këngëtari Gjon Melyshi del në skenë me lahutë, përkrah tij ndodhet Eglantina Murataj, e veshur me xhubletën karakteristike të Malësisë së Madhe. Xhubleta origjinale, me vlerën e saj të pamatë, me hijeshinë, elegancën, por edhe epizmin që ka përcjellë në shekuj. Duket sikur lahuta dhe xhubleta kanë shtegëtuar bashkërisht nëpër kohëra, si dëshmi autentike e një shpirti luftëtar e artist në të njëjtën kohë, që ka udhëtuar nga malet shqipare e deri në UNESCO.
Shpirtin e popujve e sjellin edhe këngëtarët, që nga fëmijët moldavë, tek Cafe latino, Andra Onti, Pana Aliona, Gentiana Abazaj, Kosta Bonshi dhe e reja 15-vjeçare, Keti Isufi. Kjo e fundit, që studion për kanto, nën drejtimin dhe shoqërimin e Aleksandër Kolshit, interpretoi në një mënyrë shumë origjinale këngën “O e bukura Morè”, duke e sjellë në mënyrë më të ndjeshme dhimbjen që kjo këngë ka transmetuar nëpër kohëra. Në të dy mbrëmjet, Gentiana Abazaj dhe Kosta Bonshi i dhanë një gjallëri të veçantë festivalit me kolazhet e bukura që kishin përgatitur me këngë të Shqipërisë së mesme e të jugut.
Pa dyshim, një vlerë të veçantë i japin aktivitetit edhe instrumentet e ndryshme popullore. Përveç lahutës së Gjon Melyshit, pibliku duartrokiti edhe interpretimet instrumentale me gajde nga Attilio Gasperotti e Zampognaro Lagaro, me harmonikë goje nga Francesco Franceschini e të tjerë.
Nuk munguan edhe hapësirat për poezinë e artin e shkruar. Bashkë me poeten Rudina Muharremi Beja, qemë të ftuar në skenë, ku u fol edhe për poezinë e prozën, që janë pjesë e krijimtarisë artistike të emigrantëve.
Është për t’u përmendur mbështetja që komuna e Roveretos u jep aktiviteteve të tyre me vlera. Kjo u shpreh edhe në praninë dhe fjalën e asessores për kulturën, Micol Cossali.
Fest-Folk 2026 e mbylli siparin e tij, për t’u lënë vendin aktiviteteve të tjera, si ai për talentet e reja në muajin nëntor dhe “Mora fjalë”, në muajin dhjetor, organizuar gjithnjë nga shoqata “Artisti”, nën drejtimin e Aleksandër Kolshit. Janë aktivitete që e bëjnë edhe më të bukur atmosferën e festave të fundvitit.
Ndue Lazri






Burimi/Facebook


Leave a Reply