
Bashkëpunimi rajonal, zgjidhja e gjendjes së Kosovës dhe përparimi në rrugën e BE-së janë përparësitë kryesore për presidentin serb.
Nga Ivana Jovanoviç për Southeast European Times në Beograd — 13/01/17
Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliç foli për SETimes e organizatat e mëdha ndërkombëtare të lajmeve. [Nada Bosic/SETimes]
Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliç tha se ndërtimi i marrëdhënieve më të forta me vendet fqinje është një nga përparësitë e tij kryesore, por kreu ekzekutiv premtoi se Beogradi nuk do t’a njohë kurrë pavarësinë e Kosovës megjithë presionin ndërkombëtar për t’a bërë këtë.
“Jam vërtet i bindur se ngritja e stabilitetit dhe marrëdhënia më e mirë e mundshme midis vendeve të SEE-së është jo vetëm diçka që kërkohet prej nesh, por është nevoja e e të gjithë këtyre vendeve me qëllim që të arrijnë një begati ekonomike, të kapërcejnë ndikimet e krizës botërore e të ofrojnë një jetë më të mirë për shtetasit e tyre,” tha Nikoliçi të mërkurën (16 janar) në një seri intervistash meSETimes dhe degët e mëdha ndërkombëtare të lajmeve.
Por kur vjen puna te Kosova, e cila shpalli pavarësinë katër vjet më parë e është njohur nga më shumë se 100 vende, Nikoliçi tha se qëndrimi i Serbisë është i qartë.
“Serbia nuk do t’a njohë kurrë Kosovën,” tha Nikoliçi.
Eshtë çështja e Kosovës që është ndoshta pengesa më e madhe për qëllimin e Serbisë për t’u bashkuar me BE. Serbia kërkon një datë për fillimin e bisedimeve me BE dhe kohët e fundit ka miratuar një marrëveshje të administrimit të kufirit ku të dy palët marrin pjesë në administrimin e pikave të kontrollit që i ndajnë ato.
Parlamenti serb miratoi gjithashtu një platformë të dielën që në thelb njeh integritetin e Kosovës dhe kërkon që Serbia të “luftojë për të gjetur një kompromis e zgjidhje të përgjithshme për Kosovë-Metohinë nëpërmjet dialogut. Zgjidhja duhet të jetë një themel i fortë për ndrëtimin e paqes së qëndrueshme e sigurimin e plotë të të gjithë banorëve të krahinës jugore të Serbisë.”
Nikoliçi, i cili u takua me gazetarë nga Associated Press, Reuters, BBC, Al-Jazeera si dhe SETimes të mërkurën, tha se do të ishte një shkelje e kushtetutës së Serbisë njohja e Kosovës si të pavarur.
Ai tha se Serbia është gjithashtu gati të përmirësojë marrëdhëniet me Bosnjë dhe Hercegovinën dhe Kroacinë , të dyja të cilat kanë patur probleme me Beogradin që kur Nikoliçi fitoi presidencën vitin e kaluar.
“Ka ende vështirësi të shumta e mjaft punë përpara nesh, por jam shumë i sigurt se nëse do të jemi këmbëngulës e nëse do të bëjmë përpjekje të përbashkëta, do të jemi në gjendje të zgjidhim çdo problem që do të kemi në rrugën tonë,” tha ai.
Serbia e Kroacia kanë qenë në grindje së fundi pasi gjykata e Hagës liroi Gjeneralin kroat Ante Gotovina në shtator për krime të luftës që datojnë nga 1995.
Pas lirimit, Presidenti kroat Ivo Josipoviç e quajti Gotovinën një hero e sugjeroi se mund të kishte një vend në qeverinë e tij. Por të mërkurën, Nikoliçi u tha gazetarëve se marrëdhëniet me Kroacinë mund të ishin përmirësuar nëse ai e Josipoviçi do të ishin takuar përpara kryeministrave të të dy vendeve.
Nikoliçi tha gjithashtu se ishte i hapur të takohet me Bakir Izetbegoviç, anëtarin boshnjak të presidencës tre-palëshe të BiH-së. Nikoliçi ringjalli tensionet në BiH pranverën e kaluar duke mohuar se vdekja e 8,000 civilëve në Srebrenicë ishte genocid.
Nikoliçi tha se ka në plan të shkojë në Malin e Zi të premten e ka në plan të përqendrohet në sigurimin se komuniteti serb është përfshirë në vendimet dhe nuk është gjithnjë pjesë e opozitës.
Ai njoftoi gjithashtu një vizitë në Turqi në shkurt kur do të paraqesë një propozim për investime turke në Serbi.
Nikoliçi tha se Serbia do të mbetet në rrugën drejt BE-së. Ai tha për SETimes se Serbia është e vetëdijshme se ka më shumë kushte për të përmbushur nga rendi i ditës së Këshillit të Evropës, por gjithashtu e di që BE është diçka e mirë që do të jetë në përfitim të shtetasve të saj.
“Pres që Serbia do të bashkohet me BE së bashku me Kosovën si një pjesë përbërëse e territorit të saj. Dhe më pas, BE do të gjejë një rrugë sesi t’a financojë atë, por pres se Serbia do të hyjë në BE me krahinën e saj jugore në përbërje të saj,” tha Nikoliçi përSETimes.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Kroacia Mali i Zi Serbia /Country
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply