Dosja hetimore ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku përfshin 31 persona dhe subjekte, mes tyre zyrtarë të administratës publike, biznesmenë të njohur dhe dy kompani private. Në fokus janë nëntë procedura tenderimi, ku SPAK dyshon për korrupsion, shkelje të barazisë në tendera, falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.
Mes emrave të njohur të biznesit janë Arbër Abazi, pronar i “Alko Impex General Construction”, Paqsor Buzi i “G.P.G. Company”, Artan Sako i kompanisë “2T”, Ram Geci dhe Pandeli Carapuli i “Eurocol”.
Abazi dyshohet se ka përfituar nga tenderi për Lotin 7 të Unazës së Madhe të Tiranës, ndërsa SPAK pretendon se në këmbim ka financuar investimin në një vilë në kompleksin “Green Coast”, në Palasë. Edhe Artan Sako është marrë i pandehur për falsifikim dokumentesh në lidhje me këtë procedurë.
Paqsor Buzi lidhet me tenderin për Lotin 5 të Unazës së Madhe, ndërsa kompania e Ram Gecit ka fituar kontratën rreth 14 milionë euro për Lotin 3 të rrugës Porto Romano-Durrës. Të dy biznesmenët akuzohen për falsifikim dokumentesh.
Një tjetër episod lidhet me vilën në kompleksin “White Rocks”, në Dhërmi, që dyshohet se është përfituar nga Balluku në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol” në një tender të “Albcontrol”. Për këtë çështje janë marrë të pandehur Pandeli Carapuli, Igli Tare dhe Joana Bushi, nën dyshimet për pastrim parash.
Në dosje përfshihen gjithashtu ish-drejtues të institucioneve publike, mes tyre Ervis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi dhe ish-sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës, Viola Haxhiademi. Një pjesë e akuzave lidhet edhe me tenderin për ndërtimin e Tunelit të Llogorasë.
Vetë Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në nëntë tendera, korrupsion pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash në lidhje me dy prona. Më 12 mars 2026, Kuvendi rrëzoi me 82 vota kundër dhe 47 pro kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të saj.
Më 20 tetor, SPAK i komunikoi Ballukut akuzat përfundimtare, ndërsa më 28 tetor i njoftoi përfundimin e hetimeve.
*Artikullin e plotë dhe listën e të pandehurve e gjeni në story*
Burimi/Facebook/joqalbania


Leave a Reply