Drejtoresha e parë-grua e Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA, Gina Haspel bëri sot betimin. Ceremonia e betimi, ku ishte i pranishëm Presidenti Donald Trump, u mbajt tek zyrat qendrore, në periferi të Uashingtonit.
Presidenti Trump e cilësoi zonjën Haspel si “një njeri shumë të veçantë…që i ka shërbyer vendit me aftësi dhe devotshmëri të jashtëzakonshme”. Duke ju drejtuar zonjës Haspel, ai tha se “nuk ka asnjë person në vendin tonë, që të jetë më i kualifuar për këtë zyrë të jashtëzakonshme, se sa ju”.
Kandidatura e zonjës Haspel u konfirmua të enjten nga Senati, në një votim me 54 vota pro dhe 45 kundër, duke i dhënë fund një procesi emërimi me shumë debate, gjatë të cilit ligjvënësit ju rikthyen diskutimeve mbi praktikat e marrjes në pyetje nga CIA në të kaluarën.
Gjashtë senatorë demokratë votuan në favor të zonjës Haspel, ndërsa dy republikanë e kundërshtuan emërimin e saj, për zëvendësimin e Mike Pompeos, i cili muajin e kaluar u konfirmua si Sekretar Shteti.
Burimi/Zeri i Amerikes
Leave a Reply