Mediat dhe policia e Mynihut njoftojnë se gjashtë persona janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur në një qendër të madhe tregtare të qytetit, pas një incidenti me armë zjarri, së cilit policia iu përgjigj, duke mobilizuar oficerë të shumtë.
Policia tha në Twitter se në qendrën tregtare Olympia vazhdon një operacion i gjerë policor. Nuk ka hollësi se kush është përgjegjës për të shtënat dhe policia po zhvillon kërkime.
Sipas agjencisë së lajmeve DPA, sulmi filloi në një restorant të qendrës tregtare pak pas orës 6 pasdite. Policia tha fillimisht se nuk ishte e qartë nëse bëhet fjalë për një, apo më shumë persona.
Sistemi i transportit në Mynih është mbyllur dhe policia i ka kërkuar njerëzve të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe në se nuk e bëjnë dot këtë, të shmangin vendet publike.
Një zëdhënës i policisë së Mynihut tha se dëshmitarët në vendin e ngjarjes kanë raportuar se kanë parë tre persona me “armë të gjata”, të cilët sulmuan një restorant Mc Donald në një qendër tregtare të qytetit.
Ky është rasti i dytë i këtij lloji në Gjermani në më pak se një javë.
Presidenti Barak Obama komentoi për sulmin e Mynihut, duke thënë se Shtetet e Bashkuara mbështesin autoritetet gjermane në përpjekjet e kërkimit të autorëve të sulmit.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se po i ndjek nga afër zhvillimet në Mynih.
Elizabeth Trudeau, Drejtoresha e DASH për Marrëdhëniet me Shtypin tha se “Jemi me mendje dhe zemër me viktimat dhe familjet e tyre…jemi duke bashkëpunuar me autoritetet lokale për të përcaktuar në se ka patur edhe shtetas amerikanë mes viktimave dhe të plagosurve”, – tha zonja Trudeau.
Zeri i Amerikes


Leave a Reply