Si pjesë e programit të kthimit, gati 200 shtëpi anembanë Kosovës janë në ndërtim e 500 struktura të tjera janë rinovuar gjatë disa viteve të kaluara.
Nga Ivana Jovanoviç për Southeast European Times në Beograd
Anëtarët e 16 familjeve serbe që u kthyen në Berkovë, 60 km në perëndim të Prishtinës, më 2007. [Reuters]
Zyrtarët serbë e të Kosovës dhe organizatat civile ndërkombëtare e të pavarura po shtojnë përpjekjet për të nxitur kthimin e më shumë se 210,000 serbëve e jo-shqiptarëve të tjerë që u larguan nga Kosovë për në Serbi pas fundit të ndërhyrjes së NATO-s më 1999.
Deri tani, vetëm 12,000 nga njerëzit e shpërngulur brenda vendit janë kthyer, sipas zyrës së UNHCR-së në Kosovë.
Sllavica Iliç, 43 vjeç, u kthye të punojë tokën e saj në fshatin Ranilug, ku mori një shtëpi të re, një lopë e një viç, sipas programit të kthimit.
“Prodhoj qumësht, djathë e gjithashtu fruta e zarzavate dhe ua shes si serbëve, ashtu edhe shqiptarëve. Nuk mund të mbijetonim në Bujanovc [Serbia jugore] e jemi të kënaqur të jemi këtu e të kemi një burim të ardhurash,” tha Iliçi për SETimes.
Programet e mëparshme për të riparuar ose ndërtuar hapësirat e banimit nuk ishin zbatuar siç duhet, sipas Slavisha Petkoviç, një serb që shërbeu si ministër për kthimet në qeverinë e Kosovës.
“Ndihma në shumicën e rasteve ishte e vogël ose nuk arriti personat e zhvendosur kështu që kthimi nuk mund të ishte … i qëndrueshëm,” tha Petkoviçi për SETimes.
Petkoviçi u bëri jehonë ankesave të jo-shqiptarëve se kërcënimet ndaj sigurisë së tyre e mundësitë e pakta ekonomike, kur janë dhe aq, janë arsyet kryesore që pengojnë kthimet.
Por pavarësisht nga sfidat, gati 200 shtëpi anembanë Kosovës janë nën ndërtim e 500 struktura të tjera janë rinovuar gjatë disa viteve të fundit.
Kthimi i pronës së serbëve që u pushtua në mënyrë të paligjshme nga shqiptarët është kryesor në nxitjen e të zhvendosurve për t’u kthyer, sipas Rada Trajkoviç, një serbe që është anëtare e parlamentit në Kosovë.
“Prona e pushtuar duhet ose të kthehet ose të paguhet, por është e qartë se nuk ka vullnet për këtë,” tha Trajkoviçi për SETimes.
Disa shqiptarë i miratojnë kthimet, ndonëse me hezitim, por shumica jo, duke argumentuar se të kthyerit duhet së pari të gjykohen në gjyq nëse dyshohen për krime kundër shqiptarëve.
“Plagët e luftës mund të shërohen vetëm nëpërmjet drejtësisë. Kosova është një vend i pavarur e duhet t’a pranojnë këtë fakt nëse dëshirojnë të kthehen,” tha për SETimesArben Qerimi, 37 vjeç, një kamerier nga Gjakova.
Millosh Kesiç nga fshati Zetinjë u kthye përkundrazi në fshatin me shumicë serbe Partesh.
“Gati u kthyem në Zetinjë, por një natë përpara sesa të vendoseshim, një person u vra përpara shtëpisë sonë. U frikësova për mirëqënien e gruas sime e të tre fëmijëve,” tha Kesiçi për SETimes.
Kesiçi tha se jetojnë në dhoma të vogla prej 20 metra katrore e shpresojnë për ndihmë nga shteti. “Nuk dëshirojmë të largohemi e as nuk kemi ku të shkojmë,” shtoi ai.
“Po qëndroj pavarësisht nga gjithshka, por kam nevojë për ndihmë, pasi katër nga ne mbijetojmë me një rrogë të vogël,” tha për SETimesSllavisha Rajiç, që erdhi nga Gjilani në Partesh e ka marë me qira një apartament për familjen e tij prej katër vetash.
Kesiçët e Rajiçët janë mes 14 familjeve në Partesh që kanë marë tani shtëpi të reja.
Të dyja paralajmërojnë se shteti e komuniteti ndërkombëtar duhet të jenë më të kujdesshëm e të përfshirë në procesin e rinovimit e të kthimit për të siguruara se është i drejtë.
“Bashkëpunojmë mirë me qeverinë [e Kosovës] e partnerët tanë janë Zyra e Komisionit Evropian të BE-së që ka dhuruar pesë milionë euro në vit si dhe Ambasada britanike, IOM, UNDP, etj., që mbështesin procesin e kthimit nëpërmjet fondeve të tyre,” tha për InformatorRadojica Tomiç, ministër për kthimet në qeverinë e Kosovës.
Korrespondentja e SETimes Linda Karadaku në Prishtinë kontribuoi për këtë reportazh.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply