Kryeministri Berisha ka mbledhur sot pasdite Komitetin për 100-vjetorin e Pavarësisë, ku bëri thirrje për një organizim më të plotë dhe të bashkërenduar, me bashkëngjitjen e grupeve të reja organizative, duke qenë se ka mbetur pak kohë nga kremtimi i ngjarjes së rëndësishme historike të 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.
“Kemi hyrë në një fazë ku duhen disa grupe të reja, që t’i bashkëngjiten këtij komiteti në fushat e përcaktua, që të ecim të sigurt drejt një kremtimi dinjitoz”, shtoi ai.
Më tej kryeministri ka theksuar se procesi i përgatitjeve për këtë ngjarje jubilare është shoqërurt edhe me debate që ka ardhur për shkak të një trashëgime jo fort të favorshme historike, por që sipas tij ka qenë konstruktiv, pasi ka shërbyer për të reflektuar dhe për të vlerësuar siç duhet fakte dhe të vërteta historike që deri më tani mund të kenë qenë të deformuara.
“Ka një përpjekje shumë serioze të shqiptarëve kudo që ndodhen për të shënuar këtë kryengjarje. Ndërkohë, disa nga problematikat kryesore janë debatuar gjatë, për shkak të një trashëgimie jo të favorshme. Në tërësinë e tij gjykoj se debati i ka shërbyer nxjerrjes në pah të disa të vërtetave të mohuara, të disa të vërtetave të deformuara. Debati është një proces në vazhdim, dinamik që nuk ndalet kurrë”, tha kreu i qeverisë.
Kryeministri ka kërkuar një bashkëpunim të gjithanshëm edhe të qeverive vendorë për një kremtim dinjitoz të kësaj ngjarjeje të shënuar historike për vendin tonë, ndërkohë që u ka bërë thirrje drejtuesve vendorë të vlerësojnë siç duhet figurat historike që kanë kontribuar në pavarësimin e vendit.
(gazeta-Shqip.com)
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply