Bashkë me ministrin Hoti dhe zëvendësministrin Dobruna, përuruam hapësirat e reja të Zyrës së Punësimit në Gjakovë, një investim i Qeverisë së Republikës në vlerë afër 200 mijë euro, me synim modernizimin e infrastrukturës së shërbimeve të punësimit në kuadër të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK).Objekti i ri, që ka një sipërfaqe prej 506 metrash katror, është projektuar dhe ndërtuar sipas standardeve evropiane, për të evituar barrierat me qytetarët. Ofron qasje edhe për personat me nevoja të veçanta dhe ka salla të posaçme për trajnime. Ndërtesa e re e kthen Zyrën në një qendër aktive të tregut të punës, teksa ajo ofron ndërmjetësim direkt me bizneset, këshillim karriere, trajnime të profilizuara dhe menaxhim të Masave Aktive të Tregut të Punës.
Nga janari e në shtator, këtë vit, nëpërmjet ndërmjetësimit të rregullt janë punësuar 2,285 persona, prej tyre 1,274 gra dhe 1,011 burra. Ndërsa nga ndërmjetësimi përmes Masave Aktive të Tregut të Punës (MATP) 1,698 persona, prej tyre 1080 gra dhe 618 burra. Pra, në të dyja, më shumë gra sesa burra. Nga fillimi i vitit 2025, Zyra në Gjakovë ka kryer 340 ndërmjetësime në punë të rregullta dhe 166 përmes MATP-së.
Qeveria e Republikës është e përkushtuar të ofrojë shërbime sa më cilësore dhe lehtë të qasshme për punëkërkuesit dhe punëdhënësit, vazhdojmë të angazhohemi në uljen e papunësisë në përqindje njëshifrore. E në këtë mision, synojmë që Zyrat e Punësimit të jenë adresë e parë, sikurse Qendrat e Aftësimit Profesional të jenë në tërësi në shërbim të qytetarëve që kanë nevojë për trajnime.



Burimi/Facebook


Leave a Reply