I nderuar Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, z. Lulëzon Jagxhiu,
Të nderuar ministra dhe përfaqësues të qeverive të vendeve pjesëmarrëse,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve publike, akademisë dhe shoqërisë civile,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,
Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhje në Prishtinë, në edicionin e katërt të Konferencës Ndërkombëtare për Administratën Publike, KosovaPAR2026.
Ju falënderoj që jeni bashkuar për të diskutuar për një çështje të rëndësisë së veçantë për shtetet dhe shoqëritë tona, mënyrën se si institucionet publike krijojnë vlerë për qytetarët.
Tema e këtij viti, “Vlera publike dhe e mira e përbashkët – Njerëzit, besimi dhe digjitalizimi”, na e ofron mundësinë që të reflektojmë së bashku në pyetjen themelore: Çfarë duhet të presin qytetarët nga institucionet e tona?
Qytetarët presin shërbime cilësore, vendime të drejta, institucione transparente dhe një shtet, i cili iu përgjigjet nevojave të tyre. Ata presin që burimet publike të përdoren me përgjegjësi dhe që institucionet të japin rezultate.
Administrata publike është një nga shtyllat mbi të cilën mbështeten funksionimi i demokracisë, zhvillimi ekonomik dhe besimi i qytetarëve në shtet. Prandaj, për Republikën e Kosovës, reforma e administratës publike nuk është thjesht një proces teknik apo administrativ, por pjesë e përpjekjeve tona për të forcuar institucionet, për ta përmirësuar qeverisjen dhe për të avancuar drejt integrimit evropian.
Suksesi i reformave nuk matet vetëm me politikat, të cilat i miratojmë, por me ndryshimin praktik e konkret, që ato e sjellin në jetën e qytetarëve. Kjo kërkon institucione profesionale, përgjegjësi të qarta, kapacitete të qëndrueshme dhe llogaridhënie për rezultatet.
Të nderuar pjesëmarrës,
Sot po ecim drejt një ndryshimi të rëndësishëm në mënyrën se si ofrohen shërbimet, organizimin e tyre sipas ngjarjeve jetësore dhe jo sipas strukturës së institucioneve. Këtë reformë tashmë e kemi nisur. Qytetari nuk duhet ta njohë hartën administrative të shtetit për të marrë një shërbim. Janë institucionet ato që duhet të koordinohen dhe t’i përgjigjen atij në mënyrë sa më të thjeshtë e më të integruar.
Kjo kërkon që digjitalizimi të shoqërohet me ndryshimin e proceseve dhe të kulturës së punës. Paralelisht, po krijojmë kushtet për përdorimin e inteligjencës artificiale në administratën publike, për të thjeshtuar proceset dhe për të mundësuar shërbime sa më efikase dhe proaktive.
Por, teknologjia duhet t’i shërbejë interesit publik. Përdorimi i inteligjencës artificiale, duhet të jetë i përgjegjshëm, transparent dhe i sigurt, me mbikëqyrje njerëzore dhe respekt për të drejtat e qytetarëve dhe të drejtat e njeriut.
Megjithëkëto, në qendër të transformimit mbeten njerëzit. Institucionet e forta ndërtohen nga njerëz të përgatitur, të përkushtuar dhe me integritet.
Andaj, duhet të vazhdojmë të investojmë në profesionalizmin e shërbimit publik, zhvillimin e kompetencave dhe krijimin e mundësive për gjeneratat e reja, që do ta formësojnë administratën e së ardhmes.
Po aq i rëndësishëm është edhe besimi i qytetarëve. Besimi nuk fitohet vetëm përmes deklaratave apo strategjive. Ai ndërtohet çdo ditë, përmes mënyrës se institucionet marrin vendime, ofrojnë shërbime, i trajtojnë qytetarët dhe japin llogari për vendimet e veprimet e tyre. Një administratë që vepron me drejtësi, transparencë dhe profesionalizëm, është një administratë që e forcon besimin në shtet.
Të nderuar mysafirë,
Sfidat, të cilat po diskutojmë janë të përbashkëta për shumë vende. Kjo e bën bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar veçanërisht të rëndësishëm. Për Kosovën dhe vendet e rajonit, përmirësimi i administratës publike dhe përafrimi me standardet evropiane, janë të ndërlidhura ngushtë me të ardhmen tonë evropiane.
Konferenca KosovaPAR2026 është një mundësi për të ndarë përvojat, për të mësuar nga njëri-tjetri dhe për t’i identifikuar zgjidhjet, të cilat japin rezultate konkrete. Gjatë këtyre dy ditëve, ju inkurajoj që diskutimet të orientohen jo vetëm drejt sfidave të sotme, por edhe drejt administratës, të cilën dëshirojmë ta ndërtojmë për të ardhmen.
Një administratë profesionale dhe të aftë. Një administratë që përqafon inovacionin, mbron të drejtat e qytetarëve dhe jep llogari për rezultatet. Mbi të gjitha, një administratë që krijon vlerë publike dhe i shërben të mirës së përbashkët.
Në përfundim, falënderoj Ministrinë e Digjitalizimit dhe të Administratës Publike, institucionet pjesëmarrëse, partnerët ndërkombëtarë, folësit dhe organizatorët për kontributin e tyre.
Ju uroj diskutime të frytshme, shkëmbime të vlefshme të përvojave dhe të ideve dhe, natyrisht një konferencë të suksesshme.
Mirë se vini në Kosovë dhe suksese në punimet e KosovaPAR2026!
Ju faleminderit për vëmendjen!
Burimi/Facebook


Leave a Reply