(Portret i paautorizuar)
Zyrtarisht, dilema mbi ardhmërinë e z. Topi në politikë, tashmë është çështje e zgjidhur. Mjaftuan vetëm pak fjalë që ish Presidenti të konfirmonte angazhimin e tij në forcën më të re politike në vend, te Fryma e Re Demokratike, që heshtjes dhe hamendësimeve mediatike për këtë aspekt, t’iu vinte fundi.
Rikthimi i Bamir Topit në jetën politike aktive përkon me fillimin e sezonit të ri dhe afrimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në vend. FRD dhe Z. Topi duket se janë kështu në prag të një sfide me shumë të panjohura. Por, avantazhi i madh i palëve është se ish-presidenti kthehet në politikën aktive po aq pozitiv dhe i veçantë sa më parë. Po perceptimi për të, cili është? Sondazhi më i fundit i zhvilluar nga Fondacioni për Shoqërinë e Hapur “Soros” në Shqipëri, e rendit z. Topi të parin me 47% të votimeve të të anketuarve si drejtuesin më frymëzues politik në Shqipëri. Parë në kontekstin e angazhimit të tij të sapo-shpallur politik, ky tregues flet qartë për ndikimin e fuqishëm që ish-presidenti ka në publikun shqiptar. Renditja e tij për të disatën herë në krye të kësaj liste, tregon edhe besimin që ka publiku tek përkushtimi dhe mënyra e veçantë e politikë-bërjes që mbart Z. Topi, por edhe shpresën që fryma e tij të mos jetë rast i izoluar.
Në Shqipëri, mënyra aktuale e të bërit politikë i sheh politikanët shqiptarë protagonistë të zvogëlimit të hapësirës politike, duke krijuar një prirje dhe mënyrë të re të politikë-bërjes, që duket sikur sugjeron se, që të mbijetosh, duhet të bësh pak të poshtrin, pak hajdutin, pak të pa-moralshimin; duhet të bindesh verbërisht ndaj eprorit, nuk duhet të mendosh ndryshe por vetëm në sintoni me zërin kryesor të partisë, nuk duhet të shprehësh personalitetin tënd por vetëm ashtu siç të urdhërohet e me radhë. Në sistemet politike që i kanë kapërcyer nevojat e kultit të individit, këto praktika janë lënë pas. Kurse në Shqipëri, akoma vijojnë. E bashkë me frymën e re, largimin nga klientelizmi dhe kulti i individit, risitë po i sjell më mënyrën e tij të bërjes politikë pikërisht ish presidenti i vendit.
Përgjatë presidencës së tij, z. Topi nuk ka shfaqur atë që prof. Fuga e quan prirje psikologjike për të urryer apo për t’i mbajtur mëri kundërshtarit me vite e vite. Përkundrazi ka parashtruar jo vetëm tolerancë, por dhe përpjekje të vazhdueshme për rivendosjen e gjuhës së komunikimit mes palëve kundërshtare, atëherë kur edhe më optimistët ishin skeptikë, duke vendosur në këtë mënyrë interesin kombëtar mbi gjithçka dhe njëkohësisht duke kërkuar te kundërshtari anën më pozitive për ta vënë në shërbim të zgjidhjes së çështjes apo problemit të marrë në shqyrtim. Ka bërë shumë armiq, por edhe miqtë i janë shtuar Z. Topi teksa kanë vënë re se në qendër të vendimeve të tij ka qenë të menduarit dhe të gjykuarit e matur e me logjikë, e jo pasioni apo interesi politik teksa ka marrë në shqyrtim ngjarjet e rëndësishme në vend. Si një njeri i moderuar, që metodën e politikë-bërjes dhe qytetarinë e ka në gen, Z. Topi ka demonstruar aftësi për të drejtuar dhe realizuar negociata me pozitën dhe opozitën, në favor të zgjidhjeve të problemeve me konsensus.
Njëkohësisht, ai ka shfaqur përgjatë kësaj periudhe intensive politike maturi, urtësi, qytetari, moral politik, inisiativë për të ulur në tryezë palët me mosmarrëveshje të thella dhe të acaruara deri në degradim, inteligjencë dhe vullnet politik për të zgjidhur konfliktet. Nuk është bërë asnjëherë pre e debateve të ulëta që politika shqiptare nuk ka nguruar t’ia hedhë rëndom mbi tryezë, përkundrazi, ka ditur që me etikë qytetare t’u japi përgjigjen e duhur. Ai ka refuzuar hapur të bëhet pjesë e lojërave politike partiake, duke dëshmuar gjatë presidencës këmbëngulje për të respektuar kushtetutën, ligjet dhe institucionet e vendit.
Sjellja dhe komunikimi i tij publik nuk janë aspak agresivë, siç na kanë mësuar politikanët e sotëm t’i dëgjojmë periodikisht në faltoren e kuvendit, apo në media, teksa mezi presin rastin të deklarojnë gjerësinë dhe thellësinë e kësaj kategorie fjalori, që duket se pasurohet prej tyre çdo ditë e më shumë. Por, fjalët e ashpra, fyese apo etiketimet sa ironike, aq edhe absurde, nuk janë pjesë e fjalorit politik të Z. Topi. Përkundrazi, ai ka ditur gjithnjë njerëzisht dhe intelektualisht të qëndrojë mbi to, duke demonstruar realisht e në mënyrë konstante imazhin e një drejtuesi bashkëkohor, të moderuar, fisnik dhe qytetar, edhe atëherë kur është sulmuar padrejtësisht.
Z. Topi synon jo vetëm të mos e ndjekë mënyrën e zakonshme që kanë zgjedhur politikanët tanë për t’u sjellë me publikun, por madje po ofron një formë të re dhe bashkëkohore të të bërit politikë, formë e cila pa dyshim që shumë shpejt, do të gjejë një shtrirje te brezat e rinj të politikanëve, duke u bërë në këtë mënyrë një emetues i një politike ndryshe.
Pika kyçe e personalitetit të tij politik e publik qëndron tek mënyra se si Z.Topi ka zgjedhur të japë përgjigje dhe të ofrojë zgjidhje për problemet me të cilat ndeshet. Mënyra e tij e komunikimit me kundërshtarin vazhdon të ngelet ajo e mirë-pritura, me qetësi, paqe, arsyetim, kulturë, etikë dhe jo me dhunë psikologjike, verbale apo edhe fizike, shfaqje të cilat na i ofrojnë rëndom përfaqësuesit e tjerë të politikës shqiptare.
Në kulturën e ashpër shqiptare të politikë-bërje në çdo cep, pa substancë e pa kriter, sipas modeleve të gabuara të krijuara në këto vite te mbrapshta keq-qeverisje, jemi mësuar për fat të trishtë që kulturën, qytetarinë, qetësinë, mirësjelljen e të bërit politikë ta marrim si dobësi të liderit apo politikanit. E në fakt, këto duhen parë e vlerësuar si virtyte, duhen respektuar si vlera dhe duhet t’i presim të zbatuar nga e gjithë klasa jonë politike, e cila është në krye edhe falë votës së secilit prej nesh.
Z. Topi rikthehet në politikën shqiptare me statusin e ish Presidentit, duke sjellë me vetë një emër të shumë të mirë dhe me vlerësim nga shqiptarët; si një personalitet i konsoliduar tashmë, me eksperiencën e duhur dhe këmbënguljen për të punuar për vendin; si lideri me vullnetin dhe angazhimin për të drejtuar shqiptarët, me përgjegjësi, profesionalizëm, eksperiencë dhe dëshirë për të vijuar ndryshe drejt rrugës së vështirë të një demokracie funksionale, të një ekonomie tregu rentabël dhe të një shoqërie të përparuar.
Këto janë aspekte që shqiptarët presin t’i shohin prej vitesh. E pas mungesave të gjata në plotësimin edhe të pritshmërive më të ulëta, unë jam e bindur se angazhimi i ri politik i ish-presidentit, me mënyrën e tij qytetare dhe demokratike te të bërit politikë, me ekipin dhe mënyrën e re të politikës që sjell së bashku me forcën politike ku zgjodhi të aderojë, do të vijë më në fund mundësia që edhe shqiptarët të votojnë për një alternativë ndryshe dhe më afër qytetarit shqiptar.
Në këtë 100 vjetor pavarësie, nuk do të ishte e tepërt të bëje krahasime mes Z. Bamir Topi dhe figurave të shquara që kanë frymëzuar në momente të caktuara shqiptarët. Sot, pa asnjë dyshim, Z. Topi frymëzon shumë prej të rinjve që duan qytetarinë, jo të bërtiturën; mirësjelljen, jo megafonët; modernizimin politik, jo arkaizmin autokratik. Ndaj, mund të thuhet me plot gojën se z. Topi është imazhi i politikanit për të cilin më shumë se kurrë shqiptarët kanë nevojë. Ai është lideri i duhur në kohën e duhur, për t’i dhënë Shqipërisë një ndryshim në kursin e saj politik. Gjithçka në favor të progresit dhe daljes nga ngërçi ku na kanë futur post-komunistët.
Z. Topi duhet të na e japë këtë shans.
Ky është konkluzioni im në këtë portretizim të paautorizuar. I ardhshmi shpresoj të jetë me një citim të tij.
http://www.tiranaobserver.al
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani
Leave a Reply