Presidentja Arifete Jahjaga konfirmoi se do të kryejë mandatin pesë-vjeçar të saj e u bëri thirrje udhëheqësve të partive politike që të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre mbi marrëveshjen e prillit të 2011-tës
Nga Muhamet Brajshori për Southeast European Times
Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka tërhequr partinë e tij nga komisionet parlamentare mbi reformën kushtetuese e zgjedhore. [Reuters]
Zëvendës/Kryeministri Hajredin Kuçi po nxit Lidhjen Demokratike të Kosovës të opozitës që të kthehet në komisionet e reformës zgjedhore e kushtetuese nga të cilat u tërhoq më parë, në një përpjekje për të qetësuar një gjendje të mundshme ndasore politike.
“Demokraci nënkupton pjesëmarrje e jo bllokim. Qytetarët kanë nevojë për reformë zgjedhore për dy arsye: për të shprehur vullnetin e tyre e për të respektuar rezultatin e zgjedhjeve,” tha Kuçi.
Lidhja u largua nga komisionet disa javë përpara sesa të shpallej këtë muaj përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur për shkak të një mosmarrëveshje në lidhje me mandatin e Presidentes Arifete Jahjaga.
“LDK nuk do të jetë pjesë e komisionit nëse marrëveshja mbi presidentin nuk respektohet në rezolutën që kemi mbështetur [në prill 2011],” tha Haki Demolli, kryetar i komisionit parlamentar mbi reformën zgjedhore e anëtar i parlamentit i Lidhjes.
Jahjaga u zgjodh në prill 2011 si pjesë e një marrëveshjeje mes koalicionit në pushtet të drejtuar nga Partia Demokratike e Kryeministrit Hashim Thaçi e Lidhja për të kryer reformën kushtetuese e zgjedhore.
Marrëveshja përcakton se zgjedhjet presidenciale për zëvendësimin e Jahjagës do të thirren gjashtë muaj pas miratimit të reformës kushtetuese.
Gjykata kushtetuese e Kosovës, megjithatë, vendosi në korrik se mandati i Jahjagës është për pesë vjet.
“Dorëheqja nuk nënkuptohet në marrëveshjen politike në ndryshimet kushtetuese të propozuara. … Jam e përkushtuar të respektoj kushtetutën e ligjet,” tha Jahjaga. “[Dorëheqja] do të çojë në një krizë të re; reforma kushtetuese e zgjedhore është një proces që ka filluar e do të vazhdojë deri në zgjedhjen e një presidenti të ri.”
Veprimi i Lidhjes manifeston zemërimin për moszbatimin e një marrëveshje në fuqi që ndihmoi që Jahjaga të zgjidhej e të stabilizonte skenën politike të Kosovës, sipas Ardian Arifajt, studiues i lartë pranë Institutit për Zhvillim e Studime Politike në Prishtinë.
“Largimi i partisë nga një komitet parlamentar i përkohshëm sigurisht nuk është një krizë politike, por mund të jetë fillimi i një të tille,” tha Arifaj për SETimes.
Arifaj tha se marrëveshja përmban gjithashtu pika të rëndësishme mbi reformimin e sistemit zgjedhur e përgëzoi punën e komisionit ndërsa krijoi rekomandimet që u shndërruan në ligj.
“Mungesa e vullnetit të partive politike për të pranuar ndryshime themelore në sistemin zgjedhor, megjithatë … ka qenë një pengesë,” tha Arifaj.
Ndërkohë që disa qytetarë thonë se opozita ka një ofendim të ligjshëm, shumë argumentojnë se veprimi i Lidhjes mund të sjellë më shumë dëm sesa dobi.
Behare Visoka, një ekonomiste me qendër në Prishtinë, tha për SETimes, “Është e paqartë nëse veprimi i LDK-së do të shërbejë për të arritur qëllimin e tij. Nuk e di nëse ky ishte një veprim i zgjuar sepse pavarësia e mbikëqyrur përfundon në shtator e do t’u mbetet votuesve që të vendosin.”
Kushtrim Hysa, 32 vjeç, një doktor nga Prishtina, tha për SETimes, “Veprimi ishte i pritshëm. Nuk mund të bënin tjetër gjë, sepse prej muajsh Jahjaga e PDK nuk ua vunë veshin.”
Në atë kuptim, partia bëri atë që ishte e drejtë, shtoi ai.
Arifaj tha se edhe nëse partia në pushtet vendos të zbatojë marrëveshjen e plotë, i përket Jahjagës që të vendosë.
“Prandaj, edhe nëse marrëveshja respektohet plotësisht, nuk do të thotë se Jahjaga do të japë dorëheqjen, sepse nuk e ka nënshkruar marrëveshjen,” tha Arifaj.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply