Për të realizuar mundësitë e tyre, të rinjtë kanë nevojë për inkurajim, udhëzim e mundësi të cilat i ofron shkolla e udhëheqjes e vetme në Ballkan.
Nga Miki Trajkovski për Southeast
Disa nga pjesëmarrësit e këtij viti në Shkollën e Ohrit për Udhëheqësit e Rinj. [Miki Trajkovski/SETimes]
Për të tretin vit, Ohri organizon Shkollën për Udhëheqësit e Rinj, e vetme në rajon, e cila po themelohet si një magnet për të rinjtë në biznes, politikë e ushtri.
Këtë vit, shkolla ofroi një mundësi për 42 të rinj me prejardhje të ndryshme arsimore e profesionale për të bashkëvepruar e mësuar nga udhëheqës botërorë, të lidhen e të hartojnë gjithashtu vizionin e tyre mbi zhvillimin e ardhshëm të Maqedonisë.
“Këta janë udhëheqësit që dëshirojnë të investojnë te populli i tyre, d.m.th. te ata që do t’i ndjekin e do t’i motivojnë të arrijnë rezultate më të mira,” tha për SETimes Gordica Karanfilovska, administratore e shkollës.
Karanfilovska shpjegoi se mungesa e udhëheqësve të tillë në vitet e fundit është arsyeja se pse Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov e nisi këtë projekt.
Ish-presidentët e Serbisë e Bullgarisë, Boris Tadiç e Georgi Prvanov, si edhe ish-Kryeministri italian Silvio Berluskoni, mbështetën idenë e themelimit të shkollave të udhëheqjes në vendet e tyre.
“Vazhdon të mendohet ideja për një shkollë rajonale të udhëheqjes së të rinjve,” tha Karanfilovska.
Në Ohër, politikanë të njohur, diplomatë, tregtarë — duke përfshirë krerët e korporatave shumë-kombëshe — bankierë e akademikë të huaj e vendas, ndanë njohuritë e përvojën e tyre me maqedonasit e rinj për rreth dy javë.
“Këtu ekziston një mundësi shumë e madhe, por këta të rinj kanë nevojë për udhëzime sesi të kenë arritje,” tha për SETimes Robert Grejson, profesor në Universitetin e Oksfordit. “Por kjo mundësi duhet zhvilluar.”
Nevojiten pionierë në të gjitha sferat e shoqërisë, sipas Samuel Samak, zëvendës/president i Mikrosan, një nga udhëheqësit e Evropës në industrinë e kompozitave.
“Kudo ka mungesë të udhëheqësve të rinj, mungesa e investimit në ata ekzistues nuk do të sjellë rezultate,” tha Samaku për SETimes.
“Vendi ka nevojë për udhëheqës që të punojnë së bashku në zhvillimin e projekteve të mëdha që do t’a ndihmojnë [maksimalisht] Maqedoninë,” tha përSETimes Meri Majers, eksperte mbi komunikimin strategjik e marketingun politik.
Pjesëmarrësit ishin të qartë se njohuritë e kontaktet që po fitojnë do t’i ndihmojnë në karrierat profesionale të tyre.
“Të gjithë kemi një vizion që të arrijmë diku në jetë, pavarësisht nëse e shohim veten si udhëheqës të një institucioni ose të një grupi zyrtar ose jozyrtar. Bota u përket të rinjve, pavarësisht faktit se të vjetrit drejtojnë gjithçka,” tha për SETimes Pavle Zimbakov, një pjesëmarrës në shkollë.
Samer Faza është një nga profesionistët e rinj të shumtë në rajon që kanë kërkuar mundësi punësimi jashtë vendit.
Ai banon në Jordani, por planifikon të kombinojë punësimin e tanishëm e aftësitë e udhëheqsjes për të çuar përpara ekonominë e Maqedonisë.
“Punoj për linjën ajrore kombëtare të Jordanisë e shpresoj që t’a zbatoj udhëheqjen time për të promovuar Maqedoninë atje,” tha Faza për SETimes.
Ivanovi u bëri thirrje udhëheqësve të rinj të ardhshëm që të fillonin të vinin në jetë idetë e njohurinë e fituar të tyre sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Uroj që të gjitha aftësitë që keni fituar këtu do t’i zbatoni në jetë,” tha Ivanovi. Në dy vitet e fundit, shkolla ka organizuar kampe udhëheqje e ka drejtuar një lëvizje ndërkombëtare për dhurimin e gjakut.
Shkolla është një shembull i mirë i investimit të përbashkët shtetëror e privat në të ardhmen e të rinjve. Në tre vitet e kaluara më shumë se 100 pjesëmarrës prej saj, në një mënyrë apo një tjetër, janë bërë udhëheqës në fushat ku jetojnë e punojnë.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani
Leave a Reply