Rama: Krenarë që gjendemi në krah të SHBA
Kryeministri Edi Rama u prit në Washington në një takim nga Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken. Në nisje të bisedës, kreu i diplomacisë amerikane veçoi marrëdhëniet mes 2 vendeve, bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por dhe në NATO për garantimin e sigurisë. Megjithatë, ajo që Blinken theksoi ishte pritja e afganëve që iknin nga lufta.
“Ne jemi ulur krah për krah në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Jemi mirënjohës për punën që po bëjmë së bashku atje, por më duhet t’ju them Kryeministër atë që më ka mbetur mbresë, e do të mbetet për një kohë të gjatë, fakti që në fillim të verës, pasi shpallëm se do të largoheshim nga Afganistani dhe do t’i jepnim fund luftës atje, ju ishit i pari që u ofruat të prisnit refugjatët, të shpëtuarit afganë dhe kjo është saktësisht ajo që bëtë. Ky është një nderim i madh për ju dhe për bujarinë e Shqipërisë, që iu ofruat një strehë të sigurt mbi 2 mijë afganëve. Ju jam mirënjohës për këtë, por edhe për punën që bëni çdo ditë në Europë për sigurinë dhe forcimin e lidhjeve të ngushta, sidomos përmes NATO-s dhe, po ashtu siç e thashë në Këshillin e Sigurimit, ku kemi shumë çështje sfiduese për të cilat duhet të punojmë së bashku”.
Në të njëjtën linjë ishte edhe kryeministri Rama duke shprehur kënaqësinë për takimin e zhvilluar në nisje të vitit, që shënon 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.
“Ne e vlerësojmë këtë miqësi, këtë marrëdhënie si gjënë më të vyer. Jemi shumë krenarë të gjendemi krah jush dhe të ndihmojmë sa të mundemi, për të kthyer atë çka ju keni bërë për ne gjatë këtyre viteve, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët kudo që ndodhen. Kështu, jemi shumë krenarë që jemi aleatët tuaj dhe do të bëjmë maksimumin për ta merituar këtë miqësi të veçantë.”
Në njoftim thuhet se Rama dhe Blinken vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes vendeve të konkretizuara në një sërë marrëveshjesh partneriteti me interes të ndërsjellë dhe theksuan angazhimin e përbashkët për thellimin e tyre të mëtejshëm. Mbi atë që u diskutua në këtë takim, kreu i qeverisë shqiptare dha detaje më pas në një intervistë për Zërin e Amerikës.
“Diskutuam lidhur me bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit, lidhur me marrëdhëniet bilaterale, pa diskutim lidhur me rajonin, me ecurinë e reformave në Shqipëri dhe në tërësi besoj që prekëm të gjitha temat që janë të rëndësishme për këtë marrëdhënie, përfshirë dhe temën e të qenit bashkë në aleancën e NATO”.
Rama foli për rolin që do të luajë Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të OKB-së duke shpjeguar edhe vendimin për të qenë bashkë-penë-mbajtës me Shtetet e Bashkuara.
“Është një proces kur dy vende bëhen bashkë për të adresuar një apo disa dosje të caktuara dhe SHBA na propozoi ne këtë bashkëpunim, e pranuam me shumë kënaqësi dhe kjo na jep mundësi që në Këshillin e Sigurimit të luajmë një rol të veçantë”.
Kreu i qeverisë shtoi se Ministria e Jashtme ka marrë të gjitha masat për shqiptarët në Ukrainë dhe se do të qëndrojnë atje disa pjesëtarë të misionit të OSBE-së.
Burimi/Tv Klan


Leave a Reply