Gjatë vizitës në Uashington kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një intervistë për Zërin e Amerikës. Kreu i qeverisë është pyetur në lidhje me aferën e inveneratorëve ku tha se përgjegjësia është individuale.
Pyetjes nëse shqetësohet nëse dalin ministra apo ish-ministra të tjerë në lidhje me këtë aferë, Rama tha se nuk është i shqetësuar sepse për këtë është bërë Reforma në Drejtësi.
“Nuk hyj nga ata që e mendoj këtë. Unë besoj që janë dy gjëra krejt të ndara njëra me tjetrën. Një proces që është kurorëzuar me vepra që janë në shërbim të vendit, në shërbim të komunitetit, në shërbim të shëndetit dhe mjedisit, dhe paralelisht me të veprime të dyshuara individësh të caktuar që mbeten në suazën e përgjegjësisë individuale. Për të tjerat besoj që jemi në kushte shumë komode kur Prokuroria Speciale po heton dhe i takon asaj që të evidentojë faktet bazuar në hetim dhe në prova, jo bazuar në llafe e spekulime. Nuk shoh asnjë lloj shqetësimi për të vërtetën sepse përderisa po hetohet e vërteta do të dalë deri në fund. Ndërkohë si ditën e parë dhe sot mbetet i mendimit që ato janë vepra të dobishme në funksion të mjedisit, njerëzve dhe komuniteteve.
Shkeljet do t’i verifikojë prokuroria prandaj thashë. Është një rast fatlum ku gjithçka thuhet kalon në filtrin e një organizmi të specializuar dhe nuk kemi të bëjmë me një rast ku flitet dhe në fund fare balta shpërndahet pa hesap.
Unë nuk jam i shqetësuar se mund të dalin ministra apo ish-ministra, apo kushdo qoftë tjetër sepse për këtë e kemi bërë Reformën në Drejtësi dhe kur unë e kam thënë që Reforma në Drejtësi bëhet për një drejtësi të drejtë, as të majtë, as të djathë dhe përgjegjësia për rolin e çfarëdo qoftë në jetën publike është individuale. E kam besuar atëherë e besoj dhe sot. Nëse ka njerëz që kanë ngjyer dorën në një proces që është bërë për t’i shërbyer vendit dhe komuniteteve, sigurisht që ata duhet të marrin ndëshkimin e merituar sepse e kanë bërë këtë pas shpinës së një force qeverisëse që është këtu për shqiptarët dhe nuk është këtu për xhepat e vet”, tha Rama.
Burimi/tvklan.al


Leave a Reply