Nuk e di si m’u kujtua që, kur rrija në radhë për qumështin dikur, para ’90-s, sapo dilja përballë shitëses, ajo thoshte:
“Mbërritëm te e keqja, nënë!”
Mbase edhe kjo vonesa prej ditësh për pensionin ma dha këtë ndjesi…
Pak lekë që kisha në xhep, thashë: po i ruaj që të blej ca bojra vaji për një tablo.
U futa në farmaci me recetën për ilaçet.
“Punë të mbarë”, i thashë.
“Nuk ka më rimbursim”, më tha farmacistja. “Tani Xareltonin (ilaç për hollimin e gjakut) duhet ta blesh. Bën 50 mijë lekë të vjetra në muaj.”
“Bashkë me të tjerat që blen ti për aritminë e zemrës, bëjnë 80 mijë lekë.”
“Mos!” – thashë.
Gjithsej 960 mijë lekë në vit.
Pensioni im është 320 euro në muaj.
Pra, tre muaj pension në vit më ikin për ilaçe.
Si duhet ta përballojmë jetën kur ka kaq shumë probleme të tjera dhe shpenzime?
Nejse, thashë. Po futem në një kafe dhe po shoh shah në telefon.
Ndesha një ndeshje mes dy shahistëve të mëdhenj, Mihai Tal dhe Bobby Fischer.
Bile, ky i dyti, pasi doli kampion bote, nuk e lanë të futej në Amerikë, se kampionati ishte bërë në Beograd dhe ai nuk duhej të luante.
“Epo”, thashë, “paska edhe më keq: të vdesësh në dhe të huaj, në Islandë.”
(Vetëm ata e pranuan.)
U ngrita dhe u nisa për të shkuar në shtëpi.
U kujtova se kisha ditën për të paguar telefonin.
“Por lëre”, thashë, “të marr pensionin nesër.”
Te dhoma ku rri administratori i pallatit kishin ardhur faturat për dritat dhe ujin.
“Lëri”, thashë. “Të marr pensionin njëherë.”
Dhe, sa shkova në shtëpi, thashë: të shoh SHAH.
Prapë dy kolosë: Anatoly Karpov dhe Bobby Fischer.
Sapo Karpovi nxori ushtarin para mbretit, ma hoqën internetin, se nuk kisha paguar, dhe më bllokuan telefonin…
“Epo”, thashë, “durim, bacë, se ka edhe më keq. Fischer iku nga trutë në Islandë… dhe vdiq shumë i ri.”
Durova atë ditë, që ta mbaj mend, dhe shkova që në mëngjes për pensionin.
“Dëgjo, profesor, tamam-tamam, ti hajde nesër, ose më mirë të hënën, se nesër kemi pushim dhe është e diel…”
“Mos”, thashë. “Më duhet patjetër të blej Xareltonin, se po na bie ndonjë goditje në tru dhe po ia shohim sherrin.”
“Eh, ku je, bacë?” – më tha njëri te pensioni. “S’po do me vdekë kurrë më”, tha.
“Si nuk e kemi një stol ku të ulemi, as ndonjë lulishte…”
“Po mirë”, i thashë, “çfarë do nga unë?!”
“Të dalësh atje në miting dhe të flasësh!”
“Po mirë”, i thashë, “pse nuk del ti? Ti je edhe më i ri se unë…”
Gjatë kohës që po flisnim, një grua, nga temperaturat e larta, siç duket, ishte lodhur në këmbë dhe i kishte rënë tensioni.
U këput.
Vrapuan njerëzit për t’i ardhur në ndihmë, ndërsa unë u largova duke menduar se si do t’i gjejmë lekët për ilaçet.
Thashë: po çlodhem te lokali afër.
Dhe porosita një kafe pa ujë.
“Ka edhe më keq”, thashë.
Bobby Fischer, kampion bote, nuk vdiq në atdhe. Ndërroi jetë në Islandë.
SHAH prapë.
Sapo nxori kalin për të ruajtur ushtarin, ma hoqën internetin nga telefoni për mospagesë…
Bobo! Kush rri tre ditë pa lekë, pa Xarelton, pa shah?!
Nejse… ka edhe më keq!
M’u kujtua Islanda e Bobit…
Edhe hungarezja që e deshi… dhe ajo e la…
NGA OSMAN MULA, “MJESHTER I MADH”
Burimi/Facebook/Portali Veriu Sot


Leave a Reply