Pas publikimit të lajmit për arrestimit të ish-ministrit të jashtëm peruan dhe akuzave të deputetit Erjon Braçe për bashkëpunim të ish-zyrtarit të kërkuar nga Interpoli me kryeministrin Berisha ka reaguar kryeministria.
Këshilltarja e kryeministrit, zonja Suzana Guxholli ka deklaruar se mediat e kontrolluara nga Edi Rama dhe ndonjë shpifës i paguar prej tij, mashtrojnë opinionin publik lidhur me arrestimin nga Policia e Tiranës të Manuel Augusto Blacker Miller, ish-minister i Jashtëm i Perusë i kërkuar nga Interpoli.
Më tej ajo sqaron se nëpërmjet letrave dhe mesazheve këmbëngulëse të vazhdueshme Kryetari socialist i Bashkisë së Fierit Baftjar Zeqo i kërkon kryeministrit mbështetje për projektin e kësaj kompanie.
”Kompania në fjalë në mënyrën më këmbëngulëse dhe të përsëritur është rekomanduar nga Kryetari socialist i Bashkisë së Fierit zoti Baftjar Zeqo, jo me një, por me disa letra drejtuar kryeministrit, por dhe me mesazhe sms. Nëpërmjet letrave dhe mesazheve insistuese të vazhdueshme Kryetari socialist i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo i kërkon kryeministrit mbështetje per projektin e kësaj kompanie. Zoti Zeqo thekson në letrat dhe mesazhet e tij se ka mëse dy vjet që bashkëpunon në mënyrë të suksesshme me këtë kompani për realizimin e projektit të saj në qytetin e Fierit.
Në këtë kuadër, pas kërkesës së drejtuar kryeministrit nga zoti Baftjar Zeqo dhe përfaqësues të kësaj kompanie, përfaqësues të saj janë pritur në takim nga këshilltarja e kryeministrit për çështjet ekonomike Suzana Guxholli, rregull ky i pandryshuar në të gjitha kërkesat e autoriteteve vendore apo kompanive të biznesit, të cilët më pas drejtohen në institucionet përgjegjëse sipas fushave të projekteve”, thuhet në deklaratë.
Policia e Shtetit: Nuk kemi arrestuar asnjë shtetas me emrin Augusto Blacker Miller
Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht lidhur me lajmin e arrestimit në Tiranë të ish-ministrit të Jashtëm peruan, Augusto Blacker Miller, duke e mohuar në mënyrë kategorike që ky shtetas të jetë arrestuar në vendin tonë dhe ka sqaruar gjithashtu se Augusto Blacker Miller nuk rezulton në kërkim ndërkombëtar.
“Lidhur me njoftimin e dhënë në disa media të shkruara dhe vizive, në lidhje me arrestimin nga strukturat e Policia e Shtetit shtetasit Augusto Blacker Miller, ju bëjmë me dije se:
Nga strukturat policore të Policisë së Shtetit nuk është arrestuar ndonjë shtetas peruan me emrin Augusto Blacker Miller.
Gjithashtu, ju bëjmë me dije se shtetasi Augusto Blacker Miller nuk rezulton si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e policisë së shtetit.
“Apolonia Investments”: Çdo gjë sipas procedurave ligjore, Miller u takua me Baftjar Zeqon në Nju Jork
Pas lajmeve për arrestimin e ish-ministrit peruan, reagon kompania “Apolonia Investments”, në krye të së cilës ishte Manuel Augusto Blacker Miller. Përmes një deklarate ajo shpjegon mbërritjen e tij në Shqipëri më datë 10 shtator 2012 për të vazhduar investimet në impiantin e përpunimit të mbeturinave që ndodhej në Fier, përpjekje që kishte nisur në shkurt të atij viti.
Ai drejtonte aktivitetet e “Apollonia Investments SHPK” prej organizimit të saj në Tiranë, në korrik 2012. Përmes deklaratës shpjegohet për qëndrimin e Miller në SHBA nga 2002 deri në shtator të 2012, përpara mbërritjes në Shqipëri. Aty mësohet për takimin e zhvilluar mes tij dhe kryebashkiakut të Fierit, Baftjar Zeqo në Nju Jork të Shteteve te Bashkuara.
Në deklaratë thuhet se kompania ka ndjekur të gjitha hapat dhe procedurat ligjore në Shqipëri dhe ka kopje të gjithë dokumentit dhe përgjigjeve të marra nga qeveria dhe bashkitë. Në një përmbledhje të shkurtër të aktivitetit dhe procedurave ligjore kundër tij, shpjegon se në vitin 2009 të gjitha akuzat e ngritura kundër Blacker Miller u rrëzuan nga Gjykata e Lartë.
Në fund të deklaratës thuhet se më 10 janar, në mënyrë krejt të pavarur Blacker Miller me vullnetin e tij vizitoi zyrat e Policisë se Emigracionit në Tiranë, për të kontrolluar për vizën shqiptare.
12 janar 2013 (gazeta-Shqip.com)
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply