•Rrëfimet tronditëse të dy prindërve të 26-vjeçares që u gjend e vrarë me armë: Vajzën na e vrau burri i saj, Agron Fjolla. Si fshehu krimin nëna e dhëndrit, dëshmitë e banorëve. Si i dhanë valium djalit të harronte të vërtetën e vrasjes
Nikoleta Kovaçi
Në shtëpinë e Agim Himës ka mort! Hynë e dalin me dhjetëra njerëz, ndërsa dy ditëve të fundit, jo vetëm janë shtuar njerëzit, por madje edhe pikëpyetjet e mëdha të një vetëvrasjeje, të një vetëvrasjeje që s`mund të qëndrojë më e tillë në asnjë lloj arsyetimi, burrash as grash; Ana e tyre, që ende nuk i kishte mbushur 26 vjeç, nuk mund të vetëvritej; ajo është vrarë…! Është vrarë nga bashkëshorti i saj dhe babai i dy fëmijëve të saj, të djalit, dëshmitar i atij akti makabër dhe i një vajze të vogël. Agim Hima, me të vetët, është i tronditur; miqtë i fshehën vrasjen e të bijës!!!
Madje prishën edhe skenën e krimit; madje erdhën edhe e qanë në shtëpinë e Himëve për herë të fundit, madje kanë rrëfyer edhe momentet e fundit që ajo paska përqafuar bashkëshortin e saj, para se ai të shkonte tek lokali i fshatit të pinte dhe ajo të ndërmerrte aktin fatal të vetëflijimit. Burri, që tashmë i duket sikur vajzën ia kanë vrarë dy herë, qëndron i heshtur në pafuqinë për të qenë si ata…, ndërsa Bukuria, nëna e Anës, me foton e të bijës në dorë vë kujën çdo minutë, në katin e dytë të shtëpisë së tyre.
‘Vetëvrasja’ e Anës është bërë vrasje në mënyrë të rrufeshme, jo vetëm bazuar në dyshime për jetën bashkëshortore të së bijës, por nga dëshmi, fakte dhe nga rrëfimi i djalit të viktimës, vetëm 6-vjeç: Mamin e vrau babi!!! Himët dhe Fjollët e kanë përcjellë bashkë për në banesën e fundit nusen e Agron Fjollës, ndërsa ky i fundit u prangos rreth 6 orë pas krimit të rëndë, nën akuzën e mbajtjes pa leje të armës me të cilën ishte vrarë gruaja. Burrat e shtëpisë së Himëve, tashmë presin fjalën e fundit që do të vijë nga aktet e ekspertimit shkencor, balistik dhe të mjekësisë-ligjore, për të parë nëse drejtësia e meriton pritjen e tyre, ndërsa tregojnë se ua kanë çuar fjalën Fjollëve se vajzën ua ka vrarë Agroni, djali i tyre! Familja e Anës, 26-vjeçares që iu dha lamtumira katër ditë më parë, tregojnë me detaje kalvarin e gjatë të vuajtjes së të bijës në shtëpinë e Fjollëve, peripecitë e saj për të vijuar të mbajë familjen e saj të ngushtë, bisedën rreth 3-4 orë para ngjarjes të motrës së saj me të dhe më pas ngjarjen që për to është vrasje, jo vetëm një herë. Në rrëfimin e tyre për “Shekulli-n” familja Hima tregon me hollësi gjithçka ndodhi; fshehjen e krimit nga vjehrra, gjetja e armës në kanal, prishja e vendit të ngjarjes dhe deri tek dhënia valium djalit të së bijës, për të harruar skenën llahtar të krimit!
Rrëfimi i Bukurije Himës
Znj. Bukurije, si e mësuat ngjarjen e humbjes së jetës së vajzës suaj?
Na telefonuan se ka ndodhur diçka te shtëpia e Fjollëve. Sa u vumë në lëvizje të gjithë, i telefonova tim shoqi dhe i thashë se nuk e di se çfarë ka ndodhur tek shtëpia e Anës. Fqinjët e tyre na treguan se Ana ishte sëmurë dhe kishte ikur në spital. U nis me vrap djali dhe shkoi në spital. I kishin thënë se ishte në sallën e operacionit. Zbrita te rruga, me idenë të shkoja të shtëpia, të shikoja fëmijët dhe t`i merrja me vete. Në rrugë takova një të njohurin tonë, që më dha lajmin e zi. (bie përmbys në dysheme).
Më pas, çfarë ndodhi?
Na thanë që ka vrarë veten. Përballë tronditjes së madhe ne e besuam. Pavarësisht se na dukej e pabesueshme, por e pranuam fatin e keq tonin dhe ndërkohë na duhej të përgatisnim edhe cermoninë mortore. Takova Kimetën (vjehrra e vajzës) dhe qante me ulërima më shumë se sa unë. Hmmm, erdhi dhe e qau edhe në shtëpinë time. Ajo më tregoi se në momentin që kishte dalë Agroni nga shtëpia, Ana e kishte përqafuar dhe më pas kishte hyrë në dhomën e gjumit dhe kishte vrarë veten. Ajo kishte dëgjuar një krismë si të mbytur por nuk kishte mundur të hapte derën. Kështu na tregoi ajo. Madje, më pas, sipas saj, kur është hapur dera dhe kanë hyrë njerëzit në dhomë, ajo e ka marrë vajzën në krahë dhe më tha: E mbajta në krahët e mi.
Cermoninë mortore ia bëtë bashkë dy familjet?
Po. Ne nuk e dinim se çfarë ka ndodhur. Na kërkuan ta çonim arkivolin në shtëpinë e tyre dy orë dhe ne ashtu bëmë.
Po fëmijët ku ishin?
I kishin dërguar te një familje. Djali është zgjuar të nesërmen në orën 11. Vajza është e vogël, ndërsa djali është 6 vjeç.
Si është zgjuar në orën 11 të së nesërmes, në çfarë ore mendoni që ka ndodhur ngjarja?
Ata nuk na tregojnë të vërtetën, por tani që e mendojmë me hollësi diku rreth orës 5 të pasdites. Djali ka fjetur që kur ka shkuar te shtëpia ku e kishin çuar dhe është zgjuar të nesërmen afër drekës. Nuk ka asnjë lloj shpjegimi tjetër veç se i kanë dhënë valium. Djali e di gjithë ngjarjen. I morëm në shtëpi nja dy orë dhe djali tregoi se mamin e kishte vrarë babai.
Fëmija ishte personi i parë që iu ngjalli dyshimin?
Jo, djali na e përforcoi. Ka qenë kjo dhomë e mbushur plot me njerëz kur na u tha nga banorë të fshatit. Ishte gruaja e një mikut tonë, pasi gratë ishim sipër, këtu ku jemi tani dhe burrat në katin e parë. Kam zbritur dhe i kam thënë tim shoqi. Njerëzit janë tërhequr dy ditët e para, se di pse s`na e thanë. E dinin të gjithë te lokali ku Agroni ka shkuar pasi ka vrarë time bijë. Ka dëshmitarë. Ka patur pantallonat me njolla gjaku, ndërsa ai që kur ka shkuar te lokali dhe ia ka kërkuar të zotit të lokalit kafe dhe raki, ka mbyllur telefonin.
Askush nuk e gjente dot më, ndonëse ka shkuar deri në Spital Ushtarak. Atje është këmbyer me tim bir, të cilit nuk i ka folur fare, ndërsa njerëzit e familje së tij që e shoqëronin i kanë thënë djalit tim se Ana ishte në sallën e operacionit. Më pas nuk e kemi parë më. Na thanë se e ka arrestuar policia, por e ka arrestuar vetëm për armëmbajtje pa leje!
Ju keni folur më me nipin, ndonëse është moshë e vogël, në lidhje me ngjarjen?
Po kur e morën herën e parë që e mbajtëm dy orë. Na tha se mamin e kishte vrarë babi. Madje djali tregoi se: ‘Babi goditi me shqelm edhe nanën (bëhet fjalë për gjyshen) dhe më pas iku’. E kemi marrë edhe sot bashkë me vajzën, por djali nuk hap zë më. Nuk ka folur me askënd që kur ka ardhur! Në të vërtet, pasi na tregoi djali, u kujtuam se vjehrra e vajzës, kur erdhi në shtëpinë tonë, çalonte.
Ju keni një ide, përse mund ta ketë vrarë? Keni qenë në dijeni të ndonjë konflikti?
Ime bijë kishte dy fëmijë. Në të vërtet ato kishin probleme pasi dhëndri ishte shumë i dhunshëm dhe vinte edhe dorë mbi të. Disa herë kemi tentuar ta bindim vajzën ta ndante, por ai sa herë që vinte dorë mbi të na vinte e na lutej te shtëpia dhe na premtonte se do ta linte alkoolin. Vajzën tonë e kemi mbajtur ne me bukë se ai nuk punonte dhe vetëm pinte gjatë gjithë kohës. Kohëve të fundit sikur u stabilizuan. Vajza filloi një punë dhe edhe në bisedën që ka bërë me vajzën atë ditë, rreth orës 1 të drekës, i ka treguar se po punonte me rruazat dhe se ia kishte marrë dorën shumë. Madje punimet e para kishte për t`i dorëzuar ditën e nesërme. Ne nuk dimë asnjë shkak tjetër, veç se mos ka shkuar t`i kërkojë para për të shkuar dhe për të pirë në lokal. Nuk dimë asnjë shkak, ato do t`i tregojë ai dhe familja e tij, dhe vjehrra e vajzës, që jo vetëm fshehu vrasjen por madje erdhi dhe e qau bashkë me mua në shtëpinë time.
Agim Hima: Vajzën ma vranë, duhet ta zbardhë shteti
Ai është njohës i mirë i ligjeve, i punës së tjetrit dhe i forcës së shtetit. Ka besim të patundur se organet kompetente do të dinë ta hetojnë atë ngjarje dhe nëse nuk kanë arritur ta mësojnë se ajo nuk është vetëvrasje por vetëvrasje, atëherë të nisin punën nga fillimi. Agim Hima tregon se personin e parë që ka telefonuar pasi ka marrë vesh ngjarjen, ka qenë vjehrri i vajzës së tij: Më ishte prishur makina dhe isha mu përballë Diplomatit kur më telefonoi gruaja. I rashë Agronit po e kishte telefonin e fikur. Atëherë kam telefonuar Taipin, vjehrrin e vajzës. Ai ishte në punë dhe kur i thashë se nuk e di se çfarë ka ndodhur në shtëpinë tënde, ai më tha: ‘Mos, Zoti e di se çfarë mund të ketë bërë ai derri im”. Agim Hima, i ati i Anës, pas informacioneve të para në lidhje me dyshimin e vrasjes ka përjashtuar nga shtëpia e tij familjen e Agronit ndërsa tregon se ua ka dërguar edhe fjalë Fjollëve, se vajzën e tij e kishte vrarë djali i tyre. Ai bashkë me njerëzit e tjerë të familjes së tij, prej më shumë se 48 orësh vërtiten rreth pabesisë që i kanë bërë familja e afërt e djalit, të cilët kanë fshehur krimin, kanë prishur vendin e ngjarjes ndërsa duke qenë në dijeni të krimit ata kanë ardhur dhe kanë kryer ritet mortore bashkë me ta në familjen e tyre.
Madje, i ati i viktimës e di fort mirë edhe versionin që ka nxjerrë policia në lidhje me ngjarjen e vajzës së tij, por me qetësinë e një njeriu që duket se është dorëzuar përballë fatkeqësisë së dyfishtë që i ka rënë, saktëson: “Ekzistojnë të gjitha provat, faktet, dëshmitë dhe dëshmitarët, që policisë dhe prokurorisë t`i mjaftojnë për të kthyer kursin e hetimeve. Kuptohet, nëse nuk e kanë bërë, paçka se unë dua të besoj se e kanë bërë. Nuk jam interesuar se për çfarë është i akuzuar, pasi kam patur halle të tjera, por njëherë do lë shtetin të bëjë punën e tij. Unë jam për shtet ligjor dhe ata do të më përgjigjen pasi ata kanë tagrin për të hetuar ngjarjen e time bije. Kam besim dhe do pres fjalën e drejtësisë”.
Ngjarja sipas policisë së Tiranës
“Më datë 22 maj 2014, rreth orës 16:00, në fshati Prush, Komuna Vaqarr, shtetasja Ana Fjolla, 28 vjeçe, lindur dhe banuese në Tiranë, në gjendje depresioni ka vrarë veten me një armë zjarri model 56 TT, ku në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma dhe gëzhoja”, tha Policia e Tiranës, ndërsa pas kësaj ngjarjeje, hetimet vijuan për poseduesin e armës pa leje. Më datë 23 maj 2014, ora 00:30, u bë arrestimi në flagrancë i Agron Fjollës, 36 vjeç, banues në fshatin Prush Tiranë. Arrestimi është kryer për akuzën e armëmbajtjes pa leje” bëri me dije Policia e Tiranës të nesërmen e krimit të rëndë dhe misterioz, ndërsa mësohet se Agron Fjolla ka dalë para gjykatës së Tiranës ku është njohur me masën e sigurisë “arrest me burg”. Prokuroria ndaj të prangosurit, mësohet se ka depozituar në gjykatë vetëm akuzën e armëmbajtjes pa leje!
Shekulli


Leave a Reply