
Vritet Gjin Nika, kapoja i periferisë së Tiranës
•Akuzohet pas vdekjes për një sërë krimesh të rënda; vrasje me pagesë, zaptues minierash, gjobëvënës biznesmenësh, organizator i nisjes së shqiptarëve për xhihad në Siri
•Me të vritet edhe shoku i tij
Nikoleta Kovaçi
Gjin Nika, 36 vjeç, i konsideruar nga policia si një vrasës me pagesë, gjobëvënës dhe person që merrte haraç tek biznesmenët e kromit, bie në pritë. I njohur për pasionet e tij për kuajt, armët, makinat, motorët, martesat e shumta të bazuara në fenë të cilën aplikonte dhe besonte, Gjin Nika nga Bulqiza dhe me banim në Ferraj, ekzekutohet me breshëri kallashnikovi. Me Nikën, bie në atë pritë edhe një prej miqve të tij të shumtë, Fabio (Ersild) Xhunga, një 34-vjeçar, i cili banonte në Kamzë bashkë me familjen e tij. Mirëpo, e ndërsa policia mbledh provat e pakta në vendin e ngjarjes dhe dy viktimave iu jepet lamtumira ditën e djeshme, Policia, Prokuroria dhe Gjykatat ‘ziejnë’ mëkatet e njëra-tjetrës duke i publikuar kundër njëra-tjetrës. Gjin Nika, ndonëse i dyshuar për më shumë se 20 akte kriminale, në të vërtetë u arrestua për vrasje, u hetua për plagosje dhe u gjykua për falsifikim. Ai la ambientet e paraburgimit me një vendim të Apelit të Tiranës. Ndalimi i tij u konsiderua i pambështetur në prova dhe se në të vërtet, policia dhe as prokuroria nuk arritën dot të gjenin asnjë lloj prove që mund ta mbante njeriun e shumë akuzuar në pranga për një atentat të kryer prej tij në prillin e një viti më parë. Gjin Nika arrestohet pas vrasjes së biznesmenit të kromit në Tiranë, ngjarje që ndodh me 17 janar, ndërkohë që pas arrestimit të tij, mbërrin në Policinë e Shtetit, një i ri, i cili deponon se personi që i kishte kryer atentatin ishte pikërisht Gjin Nika. I pyetur se përse nuk kishte kallëzuar në kohën e hetimeve, pasi hetimet për plagosjen e tij ishin mbyllur, i riu iu kishte thënë Policisë se Nika kishte shumë mbështetje në Polici-Prokurori-Gjykata. Policia dhe prokuroria u ngatërruan në qëllimin e arrestimit, ndërkohë që dyshohej edhe për vrasjen e një tjetër biznesmenit. Gjin Nika rezultonte i pa prova si pjesëmarrës në asnjë prej hamendësimeve të policisë që e arrestuan dhe të prokurorisë që bënë sikur e hetuan.
Atentati
Rreth orës 23. 45 minuta të së enjtes, policia ka marrë njoftimin se në ‘Urën e Tapizës’ ka ndodhur një aksident me pasojë dy persona të plagosur. Mirëpo pak minuta më pas policia e Durrësit njoftohet se në të vërtet, në atë vend ishte kryer një atentat dhe dy personat ishin të pajetë në rrugë. Ekspertë të Krimeve të Rënda të policisë së Durrësit marrin në duar hetimet, ndërkohë policia e Krujës dhe e Tiranës bashkohen në hetimin e ngjarjes së rëndë. Përballja me emrin e viktimës, Gjin Nika, bën që Policia e Tiranës të rihap edhe njëherë materialet për emrin e tij, ndërkohë që nga shoqërimet e menjëhershme, policia gjen dhe prangos pikërisht djalin që e kallëzoi për atentatin viktimën Nika. Ai është mbajtur si i dyshuari kryesor, ndonëse policia e Tiranës po edhe ajo e Durrësit nuk ka ende asnjë të dhënë që e çon autorësinë e vrasjes tek G. Kaçaj, një person që ka denoncuar me emër dhe me akte Gjin Nikën dhe që Gjykata e Apelit në vendimin e saj të zbardhur publikon jo vetëm emrin e denoncuesit por edhe të të gjithë dëshmitarëve të plagosjes së Kaçit. Megjithatë, zyrtarisht, Policia e Durrësit bëri të ditur se ka shoqëruar mbi 20 persona, ka marrë dëshmitë e tyre dhe më pas janë lanë të lirë. Pavarësisht faktit se nuk është krijuar ende mekanizmi i pritës ku ranë dy personat, policia nga ana e saj bën me dije se ka dyshime që Nika dhe Xhunga, po ktheheshin nga Fushë-Kruja dhe po udhëtonin në drejtim të Tiranës. Mjeti me të cilin udhëtonin ka qenë një motor ‘Yamaha’ që sipas policisë ishte në pronësinë e të ndjerit Xhunga. G. Kaçaj, të cilit iu zu pritë me 8 prill të vitit të kaluar në garazhin e shtëpisë së tij në zonën e ‘Don Boskos’, është personi i vetëm që mbahet i shoqëruar, ndonëse ai ka mohuar të jetë i përfshirë në atë krim. Policia ka bërë me dije se mbi dy personat është qëlluar me breshëri kallashnikovi dhe se mbi ta është qëlluar me dy armë. Nuk dihet nëse personat që kanë kryer vrasjen të kenë ikur në drejtim të Fushë-Krujës apo të Tiranës, por sipas të dhënave që vijnë nga policia e Durrësit, bëhet me dije se asnjë e dhënë nuk përcakton dot nëse atentatorët kanë qenë me makinë, me ndonjë mjet tjetër apo në këmbë. Gjithçka ç`ka dihet mbi atë vrasje është vetëm dyshimi se atentati ka ndodhur për hakmarrje ndaj Nikës, pasi sipas policisë ai ishte i dyshuar për një sërë vrasjesh dhe tentativa vrasjesh.
Hakmarrja, pista e hetimit
Lufta për galeritë e kromit dyshohet se është shkaku i vrasjes së Gjin Nikës nga Bulqiza, të cilin policia e ka pasur të dyshuar për një sërë ngjarjesh kriminale, përfshirë në to edhe 2 vrasje, atë të Hasan Taljas dhe të Qerim Markut. Arrestimi i tij u bë pasi policia e akuzoi Gjin Nikës si autor i ekzekutimit të biznesmenit të kromit, Hasan Talja mbrëmjen e 17 janarit të këtij viti, në rrugën “Bajram Allaraj” dhe për vrasjen e Qerim Marku. Ndërsa është i dyshuar edhe për një tjetër ngjarje ku u përfshinë disa persona, të implikuar sërishme biznesin e kromit. Bëhet fjalë për vrasjen e mbetur në tentativë të G. Kaçajt, ngjarje e ndodhur në ‘Don Bosko’, më 8 prill 2013. Për këtë Nika u arrestua më 20 janar 2014. Policia dhe prokuroria po hetojnë të gjitha ngjarjet në të cilat dyshohet se ka marrë pjesë Nika, ndërkohë po punohet në disa drejtime për të mësuar edhe se përse kishin lëvizur mbrëmjen e vrasjes në drejtim të Fushë-Krujës, ndërkohë që 34-vjeçari mësohet të iu ketë thënë familjarëve të tij se do të shkonin në Rinas për të pritur një shokun e tyre.
Gjykata e Dibrës e dënoi me 1 vit burg për plagosje
Sipas burimeve të policisë në 5 maj 2009 Gjin Nika së bashku me disa miq të tij kanë shkuar në Malin e Bardhë për të drekuar. Pas drekës ata janë ndaluar për të pirë kafe në afërsi të urës së re në Fushë-Bulqizë, te lokali i shtetasit Faik Dedja. Në kohën që të tre të pandehurit po pinin kafe, i ka parë shtetasi Bujar Shehu, i cili ka pasur konflikte më parë me shtetasin Gjini Nika, pasi ky e kishte goditur më parë. Shtetasi Bujar Shehu njofton dy vëllezërit e tij, Shkëlqim dhe Eduard Shehu, të cilët kanë ardhur menjëherë dhe së bashku me shtetasin Bujar Shehu, i janë afruar tavolinës, ku po pinte kafe i pandehuri Gjini Nika. Të tre vëllezërit kishin marrë në dorë sende të forta për të goditur të pandehurin Gjini. Në momentin që i pandehuri Gjini Nika ka parë të tre vëllezërit Shehu që po afroheshin me vrap në drejtim të tij, është ngritur dhe është larguar me vrap nga lokali. Shtetasit Shehu kur e panë se po largohej i pandehuri Gjini Nika, e kanë ndjekur me vrap dhe në kohën që shtetasi i është afruar shumë i pandehuri ka nxjerrë një pistoletë që e kishte me vete, ka qëlluar në tokë një herë, por kur ka parë se shtetasi Shkëlqim vazhdonte ta ndiqte, ka qëlluar përsëri dhe plumbi e ka kapur shtetasin Shkëlqim në putrën e këmbës dhe menjëherë ai ka ndaluar. Aty kanë mbërritur edhe dy vëllezërit e tjerë, të cilët kishin mbetur mbrapa dhe e kanë marrë të dëmtuarin. Për këtë ngjarje Nika është dënuar me 1 vit burg. Pikërisht në këtë datë Gjini Nika ka qëlluar me pistoletë shtetasin Shaban Shehu. Shkak i kësaj plagosjeje ka qenë një konflikt i vjetër mes tyre dhe se ka ndodhur në lokalin e Faik Dedjas, ku Nika po pinte kafe se bashku me disa persona të tjerë. Në vendimin e Gjykatës së Dibrës që daton 21 dhjetorin e vitit 2009, vërehet se Gjin Nika rezulton fajtor për dy vepra penale, atë të armëmbajtjes pa leje dhe të plagosjes së lehtë me dashje. Ishte dënuar me 1 vit burg dhe se përfitonte edhe gjykimin e shkurtuar, duke bërë kështu që të fitonte lirinë brenda vetëm pak muajve, si edhe në rastin e këtij viti.
Argumentimi i Apelit për ‘lirinë vdekjeprurëse’
Gjin Nika, i cili thuhej se kishte zaptuar galeritë e zonës D në Bulqizë, u arrestua nga Komisariati nr 4 për vrasjen e kushëririt të tij Hasan Talja. Por meqë policia nuk kishte prova që e implikonin Nikën në atentatin ndaj Taljas, blutë mburriten në Ferraj dhe e prangosen Nikën nën akuzën e mbajtjes pa leje të armëve. Në të vërtetë, Nika dhe miqtë e tij të shumta jo vetëm që mbanin armë pa leje, po ata kishin arritur të kishin edhe një vend në zonë ku kryenin qitje dhe stërviteshin. Arrestimi i tij ndodh në 20 janar të këtij viti pas dy operacioneve të forcave speciale të dështuara më parë për arrestimin e tij. Nika, ishte në kërkim i dënuar me 1 vit burg për plagosjen e Shkëlqim Shehut, ai dyshohej dhe për dy vrasje; Hasan Taljan i ekzekutuar në Tiranë në 17 janar dhe të Qerim Markut në shtatorin e vitit 2013 në Bulqizë. Madje, Gjin Nika besohet se i ka shpëtuar një operacioni policor në Kamëz më 20 mars, kur njëri nga tre mjetet që u ndoqën nga policia përfundoi brenda një dyqani celularësh. Vetë oficerët e policisë, mbetën të shtangur kur një informacion i ardhur në rrugë operative fliste për Nikën dhe disa matjanë të armatosur mes të cilëve kishte dhe të kërkuar për vrasje, pasi mendohej se me arrestimin e 20 janarit, Nika do të qëndronte gjatë në qeli. Vendimi Më datë 25 shkurt të këtij viti, pas animimit, Gjykata e Apelit çmoi të arsyeshme lënien tlirë të të arrestuarit Nika, duke i ndryshuar masën e sigurisë në detyrim paraqitje. Ndonëse nga ana e prokurorisë kishte prova që e implikonin Nikën në plagosjen e G. Kaçajt, ai u la i lirë. Vendimi u firmos nga treshja Edmond Goga, Fatmira Hajdari dhe Gramoz Levanaj. Sipas treshes gjykuese konstatohet se nga provat e paraqitura roja ka qenë dëshmitari i ngjarjes, të cilët kur i është dhënë fotoja e Gjin Nikës e ka përjashtuar si autor. Njëkohësisht për Apelin ishte e dyshimtë deklarata e të plagosurit, i cili herën e parë ka deklaruar se nuk e ka parë autorin dhe herën e dytë ka fajësuar Nikën, pasi ky i fundit ishte arrestuar nga blutë për armëmbajtje. “Kolegji i Gjykatës së Apelit konstaton se vendimi i gjykatës nuk është i justifikuar për të vendosur masën e sigurimit arrest ne burg. Ngjarja ka ndodhur me datën 08.04.2013, kurse denoncimi është bërë me 20.01.2014. Si shkak i deklarimit të të dëmtuarit ka qenë se ai në këtë kohë është ndjerë i lehtësuar, pasi i gjykuari ishte arrestuar dhe se ai nuk e kishte më ndihmën e policisë, prokurorisë dhe Gjykatës Bulqizë. Ky përfundim i arritur dhe nga organi i akuzës dhe i pranuar nga gjykata, nuk është i drejtë dhe nuk mund të merret si provë që sjell dyshimin e arsyeshëm, se i gjykuari mund të jetë autor i veprës penale. I dëmtuari nuk del që të ketë pasur ndonjë konflikt me të gjykuarin. Edhe në deklarimet e tij, ai nuk nxjerr ndonjë të dhënë që të ketë pasur konflikte me të gjykuarin”.
Policia: Nika dyshohet për vrasës me pagesë
Pas ekzekutimit me breshëri kallashnikovi Policia ka bërë me dije se në të vërtetë viktima dyshohej edhe si vrasës me pagesë dhe gjatë përgjimeve ka dalë se ai ishte i implikuar edhe në dërgimin e grupeve të shqiptarëve xhihadistë në drejtim të Sirisë. Referuar të njëjtave të dhëna saktësohet se Gjin Nika dyshohej si vrasës me pagesë dhe që vepronte në Vlorë, Fier, Pogradec, Krujë, Shijak dhe Tiranë Paçka se policia i lëshon këto akuza vetëm pas vdekjes së tij, ndërkohë që Nika jetonte me gratë e tij dhe fëmijët vetëm pak kilometra larg qendrës së Tiranës, rezulton se viktima ishte i përfshirë në disa vrasje që ende janë pa autorë. Po kështu dyshime ka se ai kishte lidhje dhe për nisjen e grupeve me shqiptarë në drejtim të Sirisë dhe këtë fakt hetuesit e mbështesin në përgjimet dhe hetimet e grupeve të xhihadit në vendin tonë.
http://shekulli.com.al


Leave a Reply