
Ishin nisur për të festuar 7-8 marsin në Strugë, por udhëtimi përfundoi me një bilanc prej dy të vdekurish dhe 17 të plagosurish, prej të cilëve 4 në gjendje të rëndë shëndetësore. Një mikrobus me 19 pasagjerë, përfaqësues të Shoqatës së Pensionistëve, nisur nga Tirana për në Strugë, u përplas dje në mesditë, në aksin rrugor Prrenjas- Librazhd në vendin e quajtur “Ura e Madhe”, vetëm 10 kilometra nga pika kufitare e Qafë Thanës.
Ndërprerja e rrugës nga një automjet tjetër detyroi shoferin e mikrobusit Bajram Kodra të bëjë një frenim të kushtëzuar, duke humbur kontrollin e mjetit për t’u përplasur më pas me shtyllën elektrike.
Nga aksidenti tragjik humbën jetën dy gra Atlie Toska, 66 vjeçe, dhe Klaudia Nushi 25 vjeçe. Ndërsa 17 të plagosurit ndihmën e parë e morën në Spitalin e Librazhdit. Për një ndihmë më të specializuar 10 prej të plagosurve u transportuan në Tiranë.
Ndërkohë që 4 prej tyre ndodhen në gjendje më të rëndë shëndetësore. Nga hetimet paraprake rezulton se mjeti tip “Ford” me targa “AA 803 CT”, me drejtues shtetasin me inicialet F. S, dyshohet të ketë qenë dhe shkaktari i daljes së mikrobusit nga rruga, duke detyruar drejtuesin që fillimisht të frenojë e më pas të përplaset.
Nga informacionet paraprake të policisë thuhet se mikrobusi me targa “AA074AX” me 19 pasagjerë është përplasur fillimisht me një shtyllë elektrike dhe më pas ka përfunduar në një kanal. Nga të dhënat e fundit mësohet se një nga personat që ndodhen në gjendje kome është edhe drejtuesi i automjetit Bajram Kodra. Klaudia Nushi 25-vjeç dhe Atlie Toska 66-vjeç janë dy viktimat e aksidentit të rëndë.
Njëkohësisht policia ka siguruar edhe dëshmitë e personave që janë jashtë rrezikut për jetën bashkë me personit që pretendohet se i preu rrugën mikrobusit.
“Isha duke punuar në punëtorinë time, servilin automekanik, kur dëgjova krismën nga përplasja e minibusit dhe menjëherë u afrova për tu ofruar ndihmë. Për fat të keq, gjeta një vajzë relativisht të re në gjendje pa jetë-që sipas të tjerave ajo ishte organizatore e udhëtimit. Të aksidentuarat e tjera i kemi nxjerrë nga minibusi që ishte përmbysur pas përplasjes dhe me urgjenca dhe vetura të tjera i kemi nisë drejt qendrave spitalore”-deklaroi për INA një dëshmitar. (INA)


Leave a Reply