•Kandidaturat për ambasadorë janë: Kuko, Bimo dhe Hobdari. Seanca dëgjimore mbahet të hënën në Kuvend
Komisioni i Jashtëm parlamentar do të shqyrtojë të hënën tre kandidaturat e Shqipërisë për ambasadorë të propozuar nga Ministria e Jashtme.
Është propozuar sërish për të qenë pjesë e trupës diplomatike, Artur Kuko. Nga posti i tij i ambasadorit pranë Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), Kuko është propozuar si ambasador në Gjermani.
Më herët ai ka mbajtur dhe postin e ambasadorit në Belgjikë, Luksemburg apo si përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Një tjetër emër i njohur i diplomacisë, Roland Bimo, propozohet si ambasador në Austri. Bimo pasi ka mbajtur postin e ambasadorit të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Hungari, në Mbretërinë e Holandës, tashmë propozohet të përfaqësojë vendin tonë në Vjenë.
Mes emrave të fundit të propozuar është dhe Adriana Hobdari, e cila është propozuar si përfaqësuesja jonë në Strasburg. Edhe pse nuk ka mbajtur më parë një post diplomatik, Hobdari prej vitesh ka punuar pranë Ministrisë së Jashtme. Propozimet për këta emra janë bërë prej Ministrisë së Jashtme që prej datës 13 nëntor.
Aktualisht, në Këshillin e Europës Shqipëria përfaqësohet nga Dastid Koreshi; në Vjenë nga Vili Minarolli dhe në Bon nga Valter Ibrahimi.
Nga kreu I shtetit është dekretuar edhe largimi i ambasadorit të Shqipërisë në Beograd të Serbisë Shpëtim Çaushi, ambasadori i Shqipërisë në Suedi Ruhi Hado si dhe ambasadori i Shqipërisë në Katar, Ridi Kurtezi.
Zëvendësimi i ambasadorëve ishte bllokuar nga mazhoranca e kaluar duke lejuar që disa prej ambasadorëve të qëndrojnë në detyrat e tyre për një kohë më të gjatë se sa mandate që e lejon ligji.
Për më tepër, gjatë kohës kur President ishte Bamir Topi, për shkak të marrëdhënieve jot ë mira me kryeministrin Berisha, emërimet e reja u bllokuan tërësisht. Me rrotacionin politik, një nga ndryshimet në diplomacinë shqiptare ka qenë edhe emërimi i ambasadorëve të rinj.
Shekulli
Leave a Reply