•Një nga prezantueset e sivjetshme të Festivalit “Kënga Magjike” tregon në një intervistë eksperiencën e saj të parë si prezantuese dhe emocionet e forta që ka kaluar
Orjona Braimllari
Evisa Larti 29 vjeçarja brune që prezantoi këtë edicion të 15- të të “Këngës Magjike”, rrëfen momentet e saj të bukura dhe plot emocion në skenën e Pallatit të Kongreseve. Ajo tregon eksperiencën e saj të parë si prezantuese dhe në krah të emrave të mëdhenj si Ardit Gjebrea, Ermal Mamaqi dhe Ervin Bejleri. Ajo gjithashtu trego dhe miqësinë që krijoi me kolegen tjetër Marjelën.
Si ishte të prezantoje Festivalin “Këngën Magjike”?
Të prezantoje Festivalin “Kënga Magjike” ishte një privilegj i madh për mua, është një eksperiencë e pa harruar. Unë mund ta shpreh vetëm me pak fjale, ishte si një ëndërr magjike.
Pse mendoni se iu zgjodhi juve Arditi?
Lidhur me këtë pyetje do të ishte më mirë të pyesni Z. Ardit, pasi ai mund t’iu japë më shumë informacion. Ajo që mund t’iu them unë do të mbetet thjesht në nivelin e supozimeve të mia.
Si iu erdhi propozimi për prezantimin e këtij festivali?
Propozimi ka ndodhur përkatësisht në datën 20 Nëntor, madje e mbaj mend që ka qenë ditë e mërkurë. Unë isha duke zhvilluar kursin e kërcimit latin në një prej qendrave private të kërcimit në kryeqytet. Në një moment pashë Arditin që hyri dhe takoi instruktorin e kursit. Ata njiheshin pasi kanë bashkëpunuar më parë me njeri-tjetrin tek “E diela shqiptare”. Ndërkohë në momentin që ndërrohet kënga, shoh para meje Ardit Gjebrean që më pyet: “A mund të më mësosh edhe mua disa hapa?”
Me kënaqësi i them unë dhe ndërkohe nuk e kisha vënë re që po na filmonin. Sapo përfundon muzika, ai me falënderoi dhe më drejtoi mikrofonin. Këtu nisi ajo intervistë që u shfaq edhe në insertin e prezantimit tim natën e dytë të “Këngës Magjike”. Pas tre ditësh më telefonoi duke më njoftuar se isha përzgjedhur si prezantuese e netëve live. Sigurisht që kjo gjë më emocionoi shumë. U takova me të gjithë stafin e “Këngës Magjike” në ambientet e Pallatit të Kongreseve dhe direkt filloi puna me skenarin.
Si e mendove prezantimin të lehtë apo të vështirë? Si rezultoi?
Gjatë provave zyrtare pata shumë emocione, pasi spektatoret ishin te gjithe VIP-a (qesh), por duke qenë tip që i marr gjërat me sportivitet mendova qe nuk ishte i vështire dhe kështu i dhashë kurajë vetes. Për sa i përket rezultatit nxora si konkluzion se nuk ishte dhe aq i thjeshtë. Dua të veçoj dy apo tre daljet e para të cilat ishin të mbushura me shumë emocione, më pas çdo dalje bëhej gjithnjë e më e thjeshtë. Ndërkohë nata finale nuk ishte aspak e vështirë, përkundrazi e kam shijuar pafundësisht. Kishte vetëm emocione pozitive.
Si ishte të prezantoje në krah të Ermalit, Ervinit dhe Arditin?
Duke menduar që asnjërin prej të treve nuk e kam njohur më parë personalisht, përveç se si persona të njohur për publikun, them me plot gojën se krijova një respekt të veçantë për të tre.
Po me kolegen Mariela njiheshit më parë?
Marjelën nuk e kam hasur asnjëherë më parë, por gjatë atyre netëve ndamë emocione të forta me njëra-tjetrën dhe jemi bërë shoqe.
Sa ishte paga që u shpërblyet për detyrën tuaj si prezantuese?
Për mua personalisht mjafton kënaqësia që mora nga e gjithë kjo eksperiencë, por nga ana tjetër sigurisht që produksioni e vlerësoi si punë. Sa për shifra, sigurisht janë kofidenciale.
A keni pasur kontakt me këngëtarët?
Po, sigurisht që kam pasur pasi kaluam shumë ditë me ta. Në fillim të pakët ishin ata që na uronin, por pas spektaklit morëm përgëzime nga të gjithë.
Festivali
Evisa nuk ka ditur se cilën nga këngët pjesëmarrëse në festival të veçojë si më të bukurën, por është shprehur se gjatë provave është njohur me këngëtarët dhe këngët e tyre. Është impresionuar dhe përlotur kur ka dëgjuar këngën “Gaboja” të Ledina Çelos, “Bekim” të Rozana Radit, “Poltrona jote bosh” të Classic Boys dhe ka kërcyer nën ritmet e këngës “Tatuazh në zemër” të Besës, “Jepe, jepe” të Endrit dhe Stefit etj. Në përgjithësi ishin këngë të bukura që ajo do t’i kujtojë shumë gjatë. Ajo është shprehur për “Këngën Magjike” se kur njihesh me çdo element përbërës të këtij festivali ndryshon këndvështrim. Duke qenë pjesë e atij festivali, Evisa ka kuptuar se përkujdesja e Arditit për të gjitha dhe gjithçka bashkë me stafin e tij, e bëjnë atë festival aq magjik.
Improvizimet në skenë për Evisën kanë qenë të pakta për një arsye shumë të fortë, skenaristja e festivalit ishte nga ato skenariste, të cilës nuk mund ti heqësh dhe t’i shtosh as pikë e as presje. Në fushën e televizionit ajo nuk ka asnjë plan, por i përkushtohet punës së saj si menaxhere në një prej firmave më të mëdha në kryeqytet. Evisa, nuk ka pasur asnjëherë qëllim në vetvete t’i futet botës së televizionit, eksperienca nisi si një rastësi që e ka shijuar pafund.
Ajo ka marrë mesazhe dhe telefonata të shumta urimi nga familjarë dhe miqtë e saj. Para spektaklit kishte shumë nga ata që e vinin edhe para përgjegjësisë me fjalët: Na ndero! Pas spektaklit vinin një lumë urimesh që thoshin: “Na nderove, bravo”. Kishte dhe komente të ekzagjeruar të tipit: “Shkëlqeve”, “Mbretëreshë e skenës” etj etj, por sipas saj kuptohet që dhe ata ishin të emocionuar po aq shumë sa ajo.
Shekulli


Leave a Reply