E s e
Albert Vataj
Kafkiania, ose arti i të humburit në botë, drama e njeriut përballë të panjohurës, është udha në kërkim të kuptimit, dhe universi i dyerve të mbyllura.
Bota e papërmasshme e shpirtit krijues i rrevjen yjësisë së emrave që pushojnë së qeni thjesht emra shkrimtarësh, pena shigjetuese të terratisjeve të anktheve ekzistenciale, shndërrohen në mbiemra të një gjendjeje njerëzore, drithërima “Kafkiane” është njëri prej tyre. Është jo vetëm një univers letrat shpirtëror, por edhe një përkufizim tiran, fjalë kurth dalë nga faqet e një vepre që i mbijetoi zjarrit inkuizitor të një vetëdijeje trazimtare, për të hyrë në gjuhën e përditshme, për të përshkruar jo vetëm një mënyrë të të shkruarit, por një mënyrë të të përjetuarit të botës.
Sepse një situatë është kafkiane atëherë kur njeriu gjendet përballë një realiteti që duket njëkohësisht i pamundur dhe çuditërisht i njohur. Kur përballet me një sistem që funksionon sipas rregullave që askush nuk ia shpjegon dhe ngulmët kërkon një përgjigje për t’u gozhduar në një të vetme dilemë. Po, kur ndihet fajtor pa e ditur fajin, i gjykuar pa e njohur gjykatësin dhe i dënuar pa e kuptuar ligjin.
Në një botë ku njeriu endet nëpër labirinte të pakuptueshme të institucioneve, ku fjalët shpesh humbasin kuptimin dhe realiteti mund të shndërrohet në një makth, “kafkiania” nuk është më thjesht një kategori estetike kumti. Ajo është bërë një gjendje ekzistenciale. Një mënyrë për të emërtuar ankthin e individit përballë një bote që duket se ka rregulla, por që nuk ia zbulon kurrë plotësisht ato.
Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e Franz Kafkës, ai nuk e shpiku absurditetin e botës, por i dha atij një gjuhë absurde, të cilën flet dhe nuk e kupton.
Kafka, shkrimtari i Pragës, i cili vdiq në vitin 1924, pa e përjetuar famën e jashtëzakonshme që do të merrte pas vdekjes, ndërtoi një nga universet më të trazuar të letërsisë moderne. Në jetën e tij pati pasiguri, punë burokratike, ndjenjë izolimi, konflikte të brendshme dhe një marrëdhënie të ndërlikuar me autoritetin, familjen dhe vetveten. Në veprën e tij këto përvoja nuk mbetën thjesht autobiografi e fshehtë, u shndërruan në një mit të ri të njeriut modern.
Kafka e vendosi individin përballë një bote ku absurdi nuk është përjashtim, por rregull, ku autoriteti ekziston, por fytyra e tij mungon, ku ligji është i pranishëm, por kuptimi i tij është i paarritshëm, ku faji paraprin akuzën.
Te “Procesi”, Josef K. arrestohet pa e ditur se për çfarë akuzohet. Ai përpiqet të kuptojë mekanizmin që e ka futur në vorbullën e gjykimit, por sa më shumë kërkon të gjejë rrugën e daljes, aq më thellë futet në labirint. Gjyqi nuk është thjesht një institucion, është një univers. Një univers ku njeriu është gjithmonë pak më i pafuqishëm se sistemi që e rrethon.
Te “Kështjella”, K.-ja përpiqet të arrijë një autoritet që ndodhet diku lart, por që vazhdimisht i largohet. Institucioni është aty, por qasja tek ai është gjithmonë e pamundur. Dyert ekzistojnë, por nuk hapen, zyrat ekzistojnë, por askush nuk di saktësisht se kush vendos, mesazhet qarkullojnë, por kuptimi humbet gjatë rrugës.
Ndërsa te “Shndërrimi”, Kafka e vendos absurditetin brenda trupit të njeriut. Gregor Samsa zgjohet një mëngjes i shndërruar në një krijesë të neveritshme. Por tronditja më e madhe nuk është vetë shndërrimi. Është fakti se bota vazhdon të funksionojë. Puna duhet menduar. Familja duhet ushqyer. Përgjegjësitë duhet të përmbushen. Edhe përballë së pamundurës, rutina vazhdon.
Kjo është një nga ironitë më të errëta të Kafkës, absurdi nuk e ndërpret jetën, ai bëhet pjesë e saj.
Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye Kafka është kaq modern dhe grishës.
Njeriu kafkian nuk është domosdoshmërisht heroi që lufton dhe fiton. Ai është njeriu që përpiqet të kuptojë.
Ai pyet, ai kërkon, ai arsyeton, ai troket në dyer, ai përpiqet të gjejë një rregull në një botë që nuk ia zbulon rregullin.
Dhe tragjedia qëndron pikërisht këtu. Jo gjithmonë humbet sepse nuk lufton, por sepse sistemi me të cilin përballet është aq i ndërlikuar saqë edhe përpjekja për ta kuptuar bëhet pjesë e kurthit.
Kafkiania është, në një kuptim të thellë, drama e njeriut përballë një autoriteti që nuk mund ta shohë plotësisht. Ky autoritet mund të jetë shteti, burokracia, ligji, familja, shoqëria, faji, ndërgjegjja, teknologjia apo vetë ekzistenca.
Prandaj Kafka nuk duhet lexuar vetëm si shkrimtar i absurdit. Ai është edhe shkrimtari i fajit pa burim, i ankthit pa emër, i vetmisë brenda turmës, i individit që nuk arrin të përkthejë veten në gjuhën e botës.
Pas Kafkës, letërsia dhe filozofia e shekullit XX nuk mund të mendonin më njësoj për absurditetin, ankthin dhe lirinë.
Albert Kamy, edhe pse nuk duhet identifikuar thjesht si vazhdues i Kafkës, e vendosi absurdin në qendër të reflektimit të tij filozofik. Te Kamy, njeriu përballet me dëshirën për kuptim dhe heshtjen e botës. Pyetja bëhet: çfarë ndodh kur ne kërkojmë një përgjigje kozmike dhe universi nuk përgjigjet?
Këtu lind dallimi i rëndësishëm: Kafka na fut në labirint; Kamy na pyet se si duhet të jetojmë pasi kemi kuptuar se labirinti nuk na premton një dalje metafizike.
Jean-Paul Sartre dhe ekzistencialistët e tjerë do ta zhvillonin më tej dramën e lirisë, përgjegjësisë dhe ankthit. Njeriu nuk ka një manual të gatshëm të ekzistencës; ai është i dënuar të zgjedhë dhe të mbajë përgjegjësinë e zgjedhjes.
Kështu, Kafka bëhet një pararendës i fuqishëm i ndjeshmërisë ekzistencialiste: ai e vendos njeriun në një botë ku siguria është e brishtë dhe ku kuptimi nuk vjen gjithmonë i gatshëm.
Ndikimi i Kafkës nuk mbeti në Evropën qendrore.
Gabriel García Márquez do ta çonte marrëdhënien mes së zakonshmes dhe së pamundurës në një drejtim tjetër, duke e bërë të jashtëzakonshmen pjesë të realitetit të përditshëm. Në universin e realizmit magjik, e pamundura nuk shpjegohet gjithmonë; ajo pranohet si pjesë e jetës. Kjo nuk do të thotë se Márquezi është thjesht “kafkian”, por ekziston një afërsi në mënyrën se si të dy shkrimtarët e destabilizojnë kufirin mes reales dhe absurdes.
Në letërsinë e Haruki Murakamit, individi shpesh përballet me botë paralele, humbje identiteti, vetmi dhe forca të padukshme që e shtyjnë drejt një realiteti tjetër. Te Thomas Pynchon, sistemi bëhet një labirint paranojak ku individi përpiqet të zbulojë mekanizmin që drejton botën. Te Paul Auster, identiteti, rastësia dhe kërkimi i kuptimit krijojnë një realitet ku personazhet shpesh humbasin kufijtë mes asaj që janë dhe asaj që kërkojnë të jenë. Te José Saramago, absurdi bëhet mjet për të vënë në pikëpyetje moralin, pushtetin, verbërinë dhe vetë strukturën e shoqërisë.
Edhe Clarice Lispector, me introspeksionin e saj të jashtëzakonshëm, e zhvendos ankthin nga burokracia e jashtme drejt humnerës së brendshme.
Në këtë kuptim, ndikimi i Kafkës nuk matet vetëm me numrin e shkrimtarëve që e kanë lexuar. Ai matet me faktin se sa shumë letërsi moderne filloi të pyeste: çfarë ndodh me njeriun kur realiteti i jashtëm nuk përputhet më me logjikën e tij të brendshme?
Edhe letërsia shqiptare nuk mund t’i shpëtonte kësaj fryme, veçanërisht pas përvojës së diktaturës.
Në këtë pikë, Ismail Kadare është një rast veçanërisht domethënës. Te “Pallati i ëndrrave”, shteti ndërhyn në territorin më intim të individit: në ëndërr. Institucioni nuk kënaqet me kontrollin e veprimeve apo të fjalëve; ai kërkon të depërtojë në pavetëdijen e njerëzve, duke e kthyer edhe atë në objekt survejimi dhe interpretimi.
Kjo është thellësisht kafkiane në atmosferën e saj: një aparat i madh, i ftohtë dhe anonim, që kërkon të depërtojë në jetën e individit dhe që krijon një ndjenjë faji edhe aty ku nuk ekziston një faj i përcaktuar.
Por Kadare nuk është Kafka shqiptar. Ai ka universin, historinë dhe mitologjinë e tij. Afërsia qëndron në mënyrën se si të dy shkrimtarët arrijnë të krijojnë, përmes alegorisë dhe absurdit, një realitet letrar që bëhet më i vërtetë se dokumenti.
Në “Kronikë në gur”, absurdi i luftës, deformimi i realitetit dhe përjetimi i fëmijërisë krijojnë një botë ku e jashtëzakonshmja dhe e zakonshmja bashkëjetojnë me një natyrshmëri shqetësuese.
Edhe te Fatos Kongoli, individi shpesh shfaqet i plagosur nga një realitet historik që nuk e lejon të çlirohet lehtë nga e kaluara. Faji, turpi, kujtesa dhe vetmia bëhen forma të një burgimi të brendshëm.
Këtu kafkiania merr një trajtë shqiptare: ajo nuk është vetëm burokracia e ftohtë e një sistemi anonim, por edhe pesha e historisë mbi ndërgjegjen e individit.
Ndoshta arsyeja pse fjala “kafkiane” vazhdon të jetë kaq e gjallë sot është se bota jonë ka prodhuar forma të reja të asaj që Kafka intuitivisht e kishte parë.
Dikur njeriu përballej me një zyrë ku nuk dinte se kush merrte vendimin.
Sot përballet me një algoritëm. Dikur një dosje mund të humbiste në një arkiv. Sot një kërkesë mund të refuzohet nga një sistem automatik. Dikur njeriu pyeste: “Kush më gjykoi?”
Sot mund të pyesë: “Cili algoritëm vendosi për mua?”
Këtu kafkiania merr një dimension të ri. Jo sepse teknologjia është domosdoshmërisht e keqe, por sepse sistemet moderne janë bërë aq komplekse saqë vendimet që ndikojnë jetën e individit shpesh nuk janë plotësisht të kuptueshme për të.
Algoritmet përcaktojnë se çfarë na shfaqet, çfarë na rekomandohet, cilat përmbajtje na afrohen dhe cilat mbeten jashtë fushës sonë të vëmendjes. Sistemet automatike mund të vlerësojnë rrezikun, kredinë, përzgjedhjen, përparësinë apo besueshmërinë.
Dhe këtu lind pyetja kafkiane e epokës sonë: Nëse një vendim merret nga një sistem që nuk mund ta kuptojmë, kujt duhet t’i kërkojmë llogari?
Kjo është arsyeja pse “kafkiane” nuk është një fjalë e vjetër për një botë të vjetër. Ajo është një fjalë që vazhdon të rilindë sa herë që njeriu përballet me një mekanizëm më të madh se vetja, të cilit i nënshtrohet pa e kuptuar plotësisht.
Por Kafka nuk është vetëm burokraci, gjykim dhe ankth. Në thelb të veprës së tij qëndron një pyetje shumë më e thellë: çfarë mbetet nga njeriu kur i hiqen siguritë që e bëjnë të ndihet njeri?
Gregor Samsa nuk është thjesht një njeri që është shndërruar në insekt. Ai është një figurë e tjetërsimit. Ai bëhet i padobishëm në çastin kur nuk mund të prodhojë më, të punojë, të mbajë barrën ekonomike të familjes. Dhe kështu Kafka prek një të vërtetë të hidhur të modernitetit: sa nga vlera që i atribuojmë njeriut varet nga dobia e tij?
Josef K. nuk është thjesht një njeri i përfshirë në një proces gjyqësor. Ai është individi që kërkon drejtësi në një botë ku procedura mund të bëhet më e rëndësishme se drejtësia.
K.-ja i “Kështjellës” nuk është thjesht një njeri që kërkon të hyjë në një institucion. Ai është njeriu që kërkon të arrijë një kuptim, një pranim, një vend në botën ku jeton.
Kjo është arsyeja pse Kafka vazhdon të na shqetësojë. Ai nuk na tregon thjesht se bota është absurde; ai na detyron të pyesim se sa pjesë të absurditetit kemi pranuar si normalitet.
Dhe ndoshta këtu qëndron edhe forca e madhe e letërsisë.
Letërsia nuk na shpëton domosdoshmërisht nga labirinti. Ajo na jep një dritë për ta parë.
Kafka nuk na premton dalje. Ai na jep një pasqyrë.
Në atë pasqyrë shohim njeriun që kërkon një derë, por nuk di kush e ka çelësin; njeriun që kërkon një gjykim të drejtë, por nuk e gjen gjykatësin; njeriun që kërkon kuptimin, por ndeshet me heshtjen; njeriun që dëshiron të jetë i lirë, ndërsa çdo ditë përballet me sisteme që i kërkojnë bindje.
Por pikërisht në këtë përballje lind një mundësi tjetër, të mendosh, të dyshosh, të pyesësh.
Të mos e pranosh absurditetin vetëm sepse është bërë i zakonshëm.
Sepse ndoshta mësimi më i madh i Kafkës nuk është se njeriu është i dënuar të humbasë në labirint, por se vetëdija për labirintin është forma e parë e lirisë.
Kafka na mëson se absurdi mund të jetë i tmerrshëm, por edhe zbulues. Ai na zhvesh nga iluzionet, na detyron të shohim mekanizmat e padukshëm që na rrethojnë dhe na kthen te pyetja themelore e ekzistencës: kush jemi ne, kur bota nuk na jep një përgjigje të gatshme?
Prandaj letërsia kafkiane nuk është letërsi e dëshpërimit, edhe pse lind shpesh prej tij.
Është letërsia e pyetjes së pambyllur.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse Kafka nuk vjetrohet.
Sepse çdo epokë ndërton Kështjellën e vet, Procesin e vet, gjykatën e vet, dyert e veta të mbyllura dhe insektin e vet njerëzor.
Ndryshojnë institucionet, teknologjitë, gjuhët dhe mekanizmat e pushtetit.
Por betet i njëjti njeri, i vogël përballë një bote të madhe, që ende troket në një derë dhe pyet:
“A ka dikush atje?”
Dhe letërsia, si përgjigje, nuk i thotë gjithmonë se kush ndodhet pas derës.
Ajo i mëson të mos pushojë së trokituri mbi portat e përbinshndme të misterit të qenis.
Burimi/Facebook/Revista Vlera


Leave a Reply