Naddja e mirë, zotni!” – kjo përshëndetje e Agron Shepetjes do të mbetet gjatë në kujtesën e atyre shkodranëve që për vite me radhë udhëtuan me autobuz.
Sidomos brezi i vjetër i Shkodrës, nuk do ta harrojnë lehtë zërin dhe fytyrën e Agronit pas timonit. Ishte një personazh i qytetit, një nga ata njerëz që me kalimin e viteve bëhen pjesë e përditshmërisë dhe më pas, pa e kuptuar, pjesë e kujtesës së një qyteti.
Agron Shepetja u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare.
Ai ishte një njeri i thjeshtë, i kulturuar, punëtor dhe i përulur, që pavarësisht prejardhjes afrikane, ishte shkodran në çdo kuptim të fjalës. Kishte lindur dhe ishte rritur në këtë qytet, kishte punuar e krijuar familjen këtu dhe për dekada ishte ulur në timonin e autobusit, duke u bërë fytyrë e njohur për mijëra qytetarë.
Madje, aq thellë ishte rrënjosur në Shkodër, sa Agroni nuk arriti ta mësonte kurrë të vërtetën e plotë mbi ardhjen e gjyshërve të tij në Shqipëri. Historia e familjes mbeti për të një mister i trashëguar, ndërsa ai ndërtoi historinë e vet mes shkodranëve.
Por pas atij burri që qyteti e njihte me një përshëndetje të ngrohtë, fshihej edhe një jetë jo gjithmonë e lehtë.
Agroni u rrit i vetëm dhe, në një shoqëri ku ngjyra e lëkurës e bënte të ndryshëm nga të tjerët, u përball herët me vëmendjen dhe paragjykimet. Në një intervistë të dhënë në vitin 2009, ai e kujtonte kështu:
“Jam dalluar prej të tjerëve. Kjo ishte edhe mirë dhe keq për mua. Si racë tjetër njeri nuk kam pas përveç gruas dhe fëmijëve. Më ka ndihmuar shumë shoqëria, më ka afruar.”
Ngjyra e lëkurës e bënte të veçantë, por nuk e bëri të huaj. Përkundrazi, në Shkodrën ku njerëzit njiheshin e njihen me njëri-tjetrin, Agroni u kthye në një figurë të pamundur për t’u harruar.
Jeta i dha edhe dashurinë.
Ishte ende i ri kur nisi punën si shofer, pranë ndërmarrjes ku punonte vajza që më vonë do të bëhej bashkëshortja e tij, Safetja.
Në atë kohë, dashuria e tyre duhej të përballej edhe me paragjykimet e një Shqipërie që nuk ishte mësuar lehtë me njerëz të një ngjyre tjetër.
“Kam hyrë në punë e re. Aty na lindi dashuria, por prindërit nuk më dëgjuan atëherë dhe u detyrova të largohem nga shtëpia. Agroni ishte njeri shumë i mirë”, do të tregonte Safetja.
Dashuria e tyre do të zgjaste një jetë.
Bashkë, Agroni dhe Safetja ndërtuan familjen e tyre dhe u bekuan me gjashtë vajza. Familja ishte krenaria e tij më e madhe.
Sot, pas 83 vitesh jetë, Shkodra nuk humbet thjesht një ish-shofer autobusi. Humb një prej atyre njerëzve që u bënë pjesë e peizazhit njerëzor të qytetit.
Agron Shepetja ishte një histori më vete: një djalë me prejardhje afrikane, i lindur e rritur në Shkodër, që e kaloi jetën mes njerëzve të këtij qyteti dhe u bë, mbi të gjitha, shkodran.
Dhe ndoshta, për shumë prej atyre që do ta kujtojnë, Agroni do të mbetet përgjithmonë ai shoferi pas timonit, me një buzëqeshje dhe me përshëndetjen e tij karakteristike:
“Nadja e mirë, zotni!”
Agroni ishte gjithashtu xhaxhai i Sokol Shepetjes, talentit të atletikës shkodrane, rekordmenit shqiptar qe i dha shume Shqiperise, njeheresh ish-oficerit të forcave speciale RENEA.
Të premten, në orën 16:00, familjarët, miqtë dhe të njohurit do ta përcjellin Agron Shepetjen në banesën e fundit.
Burimi/Facebook/Portali Veriu Sot


Leave a Reply