
Kriza ekonomike që ka prekur edhe Italinë e shndërron Konsullatën Italiane në Shkodër në “konsullatë nderi”, e cila do të merret me promovimin e kulturës, gjuhës dhe të biznesit italian në rajonin e Veriut të Shqipërisë. Një fakt të tillë e ka pohuar vetë ambasadori italian Massimo Gaiani gjatë një vizite që ka bërë në qytetin e Shkodrës. Ai u takua me drejtuesit vendorë të Shkodrës, por edhe me përfaqësues të biznesit italian që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë rajon, ndërsa sqaroi detajet e funksionit të konsullatës së nderit. Mendohet që ky ndryshim të bëhet pas datës 1 dhjetor të këtij viti. Vetëm tri ditë më parë, ministrja e Punëve të Jashtme italiane, Emma Bonino, deklaroi se për shkak të krizës ekonomike që po kalon shteti fqinj Italia, do të mbyllen disa konsullata italiane në botë, mes të cilave edhe ajo e Shkodrës. Pas kësaj deklarate, ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani, do të shpejtonte për të ardhur në Shkodër e për të sqaruar më mirë përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe biznesmenët italiane se çfarë do të bëhet me Konsullatën Italiane. Ndërkohë, në deklaratën e tij për mediat, ambasadori Gaiani shprehet se nuk ka vend për panik te përfaqësuesit e bizneseve italiane në Shkodër, si dhe siguroi qytetarët e Shkodrës se në shërbim të tyre do të jetë një personel i cili do të vijë nga Ambasada Italiane në Tiranë për të kryer të gjitha ato shërbime që janë kryer gjer tani. Sipas Gaianit, godina e Konsullatës Italiane, pasi t’i nënshtrohet një rikonstruksioni, do të quhet “Pallati Italia”, e më pas do të ketë atributet e një konsullate nderi të Italisë në Shkodër. Kjo konsullatë tashmë do të fokusohet më së shumti në promovimin e gjuhës dhe të kulturës italiane në Shkodër dhe më gjerë, dhe do të mbështesë investimet italiane në Shkodër, për prezencën e shtetit italian në Veriun e Shqipërisë.
shkodra.ws
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply