Fëmijë të ngujuar, larg dijes, larg lojërave në natyrë, qëndrojnë pas dritares nga frika e plumbi. Fëmijëve që u është mohuar e drejta për jetën, fëmijët e ngujuar. Dëshirat i kanë të shumta, me lot në sy ata shprehen se nuk mund të shkojnë në shkollë nga frika e gjakësit. Dy fëmijë që nuk pyetën gjaksin u vranë.
Gazetarja Ola Bruko sjell në emisionin e radhës në News24, ‘Njerëz në fokus’ temën, “Dielli i dijes në kullat e ngujimit”. Sjell temën e dhimbshme, gjakmarrjen. E ftuar Ministrja e Arsimit e Sportit, Lindita Nikolla dhe mësuesja Liljana Luani.
Mësuese Liljana është mësuesja heroinë që shkon derë më derë tek banesat e familjeve të ngujuara me një qëllim të madh, t’u japë dijet e para fëmijëve të mitur që nuk kanë parë dritën e diellit në natyrë.
“Nga dora e gjaksit u vra Maria, nuk e kurseu gjaksi. U vra një fëmijë. U vra Edi, 16 vjec, nuk rrinte dot pa shkollë, ai fëmijë e donte shkollën, dilte jashtë dhe shkonte në shkollë, aty në atë oborr ku dhe gjaksi e vrau. Ishin të dy nxënës që i doja fort dhe u kam dhënë mësim. Ah Eduarti, që i përkëdhelja flokët e bukur dhe biond dhe më thoshte ‘pash Zotin mësuese mos mi prish flokët’. Ata flokën të bukur, ato baluke ia prishi plumbi që e zuri në kokë”, thotë mësuese Liljana dhe shpërthen në lotë.
News 24 udhëtoi në Shkodër, trokiti në dyert e disa familjeve të ngujuara.
“Kur të rritem më pëlqen te behem futbollist”, thotë një prej vogëlushëve vetëm 7 vjeç.
“Dua të bëhem piktor. Kam dorë pikturoj, por ajo që më vjen në mëndje është vetëm një pikturë, një djalë me duart të lidhura”, thotë një prej fëmijëve të familjes Ndrevata.
“Më pëlqen matematika. Është kaq e thjeshtë”, thotë një tjetër fëmijë i një familje të ngujuar.
Mësuese Liljana, bijë Dukagjini tregon në studiot e News24 sesi shpëtoi një djalë nga gjakmarrja.
“Nuk dua të përmend emër. Por, ai djalosh e kishte shkollën me pasion. Donte me cdo kusht, dorëzana u bëra unë. Pasi iu luta gjakësit, u mundova shumë derisa ata e falën gjakun dhe djali vijoi shkollën”.
Ministrja e Arsimit, Nikolla e prekur nga rrëfimi i mësuese Liljanës bën një apel.
“Nuk dua të përdor fjalën gjakës. Por theksoj, shikojini këto lot, të dashura nëna, prindër që jetoni në hakmarrje, shikoni këta fëmijë, këta lot të mësuese Lilianës. Duhet të shkulim nga zemrat tona këtë fenomen të shëmtuar. Kjo nuk është vetëm cështje e arsimimit të këtyre fëmijëve. Më shumë se kaq, për jetën e tyre”.
Më tej ministrja garanton se Ministria e Arsimit do të bëjë çmos të ndihmojë fëmijët e ngujuar. Sipas Nikollës, shteti në 23 vite shteti nuk ka zgjidhur këtë cështje dhe kjo vesh me turp gjithkënd.
“Cmos që ata fëmijë të marrin të mirën më të mundshme për cfarë u ofrohet në arsimimin e tyre. Një fenomen i vjetër aq i vjetër sa i ka kaluar koha, por na vesh të gjithëve me një lloj ndjesie turpi që në këto 23 vite ne do kishim bërë shumë cka por edhe në këto 23 vite nuk është bërë shumë. Nuk kemi të qartë kush janë këta fëmijë, kush janë emrat, cilat janë problematikat e këtyre familjeve, kush janë këto familje”.
“Kjo ndodh për shkak të mungesës së shtetit. Ka pushtet vendor, qendror, organizata ndërkombëtare. Fakti që identifikohemi me këtë fenomen na vret të gjithë. Fondet për këtë grup nuk kanë qenë të pakta. Duhet të ishin identifikuar të prekurit nga fenomeni”, thekson më tej Nikolla.
Ministrja vlerëson mësuese Liljanën për misionin që kryen cdo ditë.
“ Mësues të tillë duhet të mbështeten nga të gjithë. Janë mësues që punojnë me pasion. Mësues si Liljana që këta fëmijë i quajnë fëmijët e tyre dhe punojnë në këto kushte”.
Sipas ministres, fenomeni kërkon urgjent zgjidhje dhe kjo nuk përfshin vetëm ministrinë e Arsimit.
“Kjo është një histori shumë frontëshe. Që nga dënimi maksimal, të vendoset drejtësi dhe të bashkëpunojmë të gjithë”.
Mësuese Liljana shprehet se Ministria e Arsimit ka shpërndarë dhurata në nisje të vitit të ri shkollor, të gjitha mjetet mësimore të duhura për fëmijët e ngujuar. Megjithatë apeli nuk mungon.
“Shoqëria civile, politika, të gjithë bashkë të luftojmë bashkë këtë fenomen. Nëse shoqëria nuk e lufton, drejtësia atëherë vepron Kanuni. Jemi të kulturuar dhe të qytetëruar, të shkojmë në Bashkimin Europian sic jemi në realitet, njerëz të qytetëruar”.
Ndërkohë dhe ministrja Nikolla garanton.
“Sigurisht gjërat do të ndryshojnë. Nuk do jetë vetëm në nismën e saj, do ketë mbështetjen e qeverisë dhe shumë dashamirësve në misionin tuaj humanist”.
(d.b/BalkanWeb)
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply