Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me ftesë të presidentit të Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy, do të niset nesër për në Bruksel, ku në datat 17-18 shtator do të zhvillojë takime zyrtare me personalitetet më të larta të Bashkimit Evropian. Në delegacionin zyrtar, të cilin kryeson presidenti Nishani do të jetë e pranishme dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.
Agjenda e vizitës parashikon ditën e hënë, më 17 shtator, në orën 14.30, takim të presidentit të Republikës, Bujar Nishani me presidentin e Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy, pas të cilit do të ketë deklarata për shtyp dhe në orën 17.30 me presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, që do të pasohet nga një konferencë e përbashkët shtypi.
Ditën e martë, presidenti Nishani do të takohet gjithashtu edhe me komisionerin Evropian për Zgjerimin, Stefan Fule, ndërsa në orën 16.30 me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, me të cilin do të japë edhe një konferencë për shtyp. Po të martën, presidenti Nishani do të pritet nga kryebashkiaku i Sharbeekut, Bernard Clerfayt dhe më pas do të zhvilloje në Universitetin e Lirë të Brukselit, në orën 18.00 një takim me përfaqësues të bashkisisë shqiptare.
Dita e tretë e vizitës së kryetarit të shtetit shqiptar pritet të përmbyllet me një takim me zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian / Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Baroneshën Catherine Ashton.
Vizita zyrtare e Kryetarit të Shtetit në Bruksel zhvillohet në prag të publikimit nga Komisioni Evropian të Raportit të Përparimit të Shqipërisë për vitin 2012. /E.L/
Shekulli
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply