Ministria e rezervuar në informacione. Konsorciumi nuk plotëson kriterin e përvojës në naftë
Shitja e kompanisë së naftës Albpetrol është kthyer në çështje të ditës. Ministria e Ekonomisë është treguar shumë e rezervuar për ti dhënë informacione medias duke u mjaftuar vetëm me thënien: ‘Mos bëni spekulime gara është e hapur dhe transparente’. Pas daljes para medias dy ditë më parë të zv.ministrit Sokol Dervishaj, që është njëherësh edhe kryetar i komisionit të vlerësimit të ofertave për shitjen e Albpetrol, dje ka qenë ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto që ka kërkuar sërish nga media të ndal spekulimet dhe nxjerrjen para kohe të emrave të kompanive fituese.
Shqyrtimi i ofertave
Haxhinasto ka thënë se procesi është në fazën e shqyrtimit të ofertave dhe pas kësaj do të merret vendimi për kompaninë fituese. “Komisioni do shqyrtojë ofertat e kompanive. Pas shqyrtimit të ofertave të kompanive do merret vendimi,” u shpreh ministri. Këto deklarata, kreu i METE-s i bëri gjatë inspektimit në HEC-in e Ashtës. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës bëri të ditur dy ditë më parë se Komisioni i Posaçëm për Vlerësimin e Ofertave për Ankandin e Privatizimit të aksioneve të Albpetrol Sh.a po shqyrton dhe vlerëson të gjithë dokumentacionin e paraqitur nga kompanitë pjesëmarrëse në ankandin e privatizimit të aksioneve të kompanisë Albpetrol sh.a.
Konsulenca amerikane
Gjithashtu, me përfundimin e këtij procesi shqyrtimi dhe në konsultim të vazhdueshëm me firmën amerikane të konsulencës Patton Boggs, do të bëhet edhe vlerësimi final për sa i takon ofertave të paraqitura në këtë ankand. Në një kohë kur vlera e “Albpetrol”-it llogaritej nga qeveria përafërsisht 500 milionë dollarë, në tenderin për privatizimin e kësaj shoqërie, oferta kryesore ishte jo pak, por më e madhe se dyfishi i këtij vlerësimi.
Ankandi
Konsorciumi “Vetro Silk Roud Equity” vuri në tryezë plot 850 milionë euro për të bërë të tijat asetet e “Albpetrol”-it. Falë kësaj shume të konsiderueshme, vështirë që pozitat e konsorciumit në garën për kompaninë shqiptare të naftës të lëkunden gjatë shqyrtimit të ofertuesve të tjerë. Veçanërisht duke parë se, sipas kritereve të vendosura nga qeveria për përcaktimin e fituesit për ofertën më të mirë financiare, kompania merr 75 për qind të pikëve në tender, ndërkohë që 25 për qind kanë të bëjnë me kushte teknike.
“Vetro Silk Road Equity”
Por gjithashtu, vetëm pak orë pas dorëzimit të ofertave, nisën edhe zërat që e quanin surprizë ofertën e bërë nga konsorciumi pak i njohur, i përbërë nga “Vetro” dhe ‘Silk Road Equity’. Mësohet se “Silk Road” është një fond amerikan investimesh nga Çikago, ndërsa ‘Vetro’, një kompani me qendër në Singapor, për të cilën ekzistojnë shumë të dhëna. Ndërsa u nënvizua se asnjë prej subjekteve që përbëjnë konsorciumin nuk plotëson kriterin për “përvojë më shumë se 5-vjeçare” në fushën e hidrokarbureve, kritikët u përqendruan te personi që përfaqësonte “Vetro Silk Roud Equity” në tenderin e djeshëm. Në tender konsorciumi përfaqësohej zyrtarisht nga Essad Pushkar, një boshnjako-amerikan i njohur deri tani jashtë Shqipërisë, veëanërisht në Kosovë.
Tenderi
Nga 19 shoqëri që kishin shfaqur interes, vetëm 6 prej tyre paraqitën ofertë, ku çmimin më të lartë, prej 850 milionë eurosh, e ofroi konsorciumi amerikan “Vetro Silk Roud Equity”. Kompani të tjera që kanë ofruar shuma më të ulëta ishin “Bankers Petroleum” nga Kanadaja, e pranishme në Shqipëri nëpërmjet koncesionit në Patos-Marinë dhe Kuçovë. Ajo ka ofruar 303.8 milionë euro, duke paraqitur edhe garancinë bankare për këtë shifër. Një shifër të lartë ka ofruar edhe kompania “Amber Shajn”, 790 milionë euro, por pa respektuar kushtin e garancisë bankare dhe të njëjtën gjë e ka bërë edhe rusja “Gazprom”, e cila e ka vlerësuar vetëm me 52 milionë dollarë “Albpetrol”-in.
Tiranaobserver
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply