
Rreth 90 banesa të kategorisë së parë, të shpallura monument kulture në Gjirokastër, pritet të përfshihen në një program ndërhyrjeje nga shteti për mbrojtjen e tyre nga degradimi dhe shembja.
Mekanizmi i ri, i prezantuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, synon të ndërhyjë në ato pasuri të trashëgimisë kulturore ku pronarët apo trashëgimtarët nuk kanë kryer punimet e nevojshme për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e tyre.
Ndërhyrjet janë planifikuar të nisin në vitin 2027. Gjirokastra është ndër qytetet ku kjo problematikë është më e dukshme, për shkak të numrit të madh të banesave karakteristike që ndodhen në gjendje të amortizuar.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Ardis Duka, thekson se këto ndërtesa nuk mund të konsiderohen thjesht si prona private, pasi kanë një rëndësi të veçantë për trashëgiminë dhe identitetin e qytetit.
Për Gjirokastrën, ndërhyrja e parashikuar shihet si një hap i rëndësishëm për ruajtjen e dhjetëra banesave tradicionale që rrezikojnë të humbasin. Këto objekte përbëjnë një pjesë të rëndësishme të arkitekturës karakteristike të qytetit dhe janë pjesë e trashëgimisë kulturore të mbrojtur.
Programi synon që përmes ndërhyrjeve të nevojshme të parandalohet degradimi i mëtejshëm i banesave dhe të ruhet vlera historike e tyre për brezat e ardhshëm.
Burimi/Facebook/TV1 Channel – Shkodër


Leave a Reply