Një dëshmi që nuk duhet të harrohet
Ka libra që lexohen dhe harrohen, por ka edhe libra që mbeten përgjithmonë në ndërgjegjen e një kombi. Libri ynë “Nën Hekurat që Ulërinin Liri”, të cilin e kemi shkruar së bashku me vajzën time, poeten Gresilda Rrugeja, është pikërisht një libër i tillë. Ai nuk është thjesht një botim letrar, por një dëshmi e gjallë, një kujtesë historike dhe një homazh i përjetshëm për mijëra shqiptarë që u përndoqën, u burgosën, u internuan dhe u pushkatuan padrejtësisht gjatë diktaturës komuniste, në vitet 1944–1990.
Ky libër është një gërshetim i rrallë mes babait dhe bijës. Unë, Rexhep Rrugeja, kam sjellë historitë e vërteta të ish-të përndjekurve politikë, të mbështetura në dokumente origjinale, dëshmi autentike dhe fakte historike. Ndërsa vajza ime, Gresilda Rrugeja, autore e shtatë librave dhe e vlerësuar me tituj nderi, i ka shndërruar këto dhimbje në poezi prekëse, ku çdo varg është një klithmë shpirti, një britmë dhimbjeje dhe një himn për lirinë.
Lexuesi do të udhëtojë në faqet e këtij libri drejt burgjeve famëkeqe të Burrelit, Spaçit dhe Qafë-Barit, drejt kampeve të internimit të Tepelenës, Savrës së Lushnjës e shumë vendeve të tjera ku mijëra shqiptarë u dënuan vetëm pse mendonin ndryshe ose sepse i përkisnin familjeve të shpallura “armike”. Ai do të njohë hetuesitë çnjerëzore, gjyqet e montuara, pushkatimet pa gjyq, internimet e pafundme dhe punën e detyruar në minierat më të egra të Shqipërisë.
Në këtë libër lexuesi do të përballet me historitë e nënave që përshkonin kilometra të tërë në shi, në vapë e në dëborë vetëm për të parë për pak minuta djemtë apo bashkëshortët e tyre të burgosur. Do të lexojë për familje të tëra që jetuan nën frikë, për fëmijë që u rritën pa prindër dhe për burra e gra që mbijetuan mes urisë, dhunës dhe poshtërimit, por që nuk e humbën kurrë besimin tek liria.
Në poezitë e Gresildës marrin jetë lotët e nënave, britmat e të burgosurve, heshtja e qelive të errëta, mundi i ish të përndjekurve politik në miniera dhe shpresa që nuk u shua kurrë. Vargjet e saj janë një monument shpirtëror kushtuar të gjithë atyre që vuajtën padrejtësisht.
Ky libër është shkruar me respektin më të madh për ish-të përndjekurit politikë. Ata janë heronjtë e heshtur të historisë sonë. Ata mbijetuan përballë një regjimi mizor, duke paguar me rininë, me familjen, me shëndetin dhe shpeshherë edhe me jetën e tyre. Sakrifica e tyre nuk mund dhe nuk duhet të harrohet kurrë.
Si autor i këtij libri, unë nuk mund të shkëputem nga historia ime personale. Jam njeriu që në demonstratën e parë të zhvilluar në Stadiumin “Besa” ngrita i pari dy gishtat lart dhe thirra me gjithë fuqinë e shpirtit: “Liri! Demokraci!”, “Enver Hitler!” dhe “Poshtë diktatura komuniste!”. Ishte një moment historik, kur përballë bishave të egra të diktaturës zgjodha të mos heshtja. Hodha veprat e Enver Hoxhës në pistën e stadiumit dhe u bëra zëri i parë i revoltës për lirinë në qytetin tim.
Për këtë guxim u arrestova dhe u torturova në mënyrën më çnjerëzore. Torturat ishin aq të rënda, sa populli i Kavajës më kishte marrë për të vdekur. Megjithatë mbijetova dhe vazhdova të dëshmoj të vërtetën. Për kontributin tim jam dekoruar nga pushteti vendor dhe nga shoqata të ndryshme.
Një pjesë e jetës sime i përket edhe sportit. Për dymbëdhjetë vjet kam qenë mundës i klubit “Besa”, duke dhënë kontribut në këtë sport fisnik e burrëror. Paralelisht me jetën sportive dhe qytetare, kam ndërtuar rrugëtimin tim si autor i gjashtë librave.
Edhe vajza ime, Gresilda Rrugeja, ka krijuar një identitet të spikatur në letërsinë shqiptare. Me shtatë libra të botuar, me çmime dhe tituj nderi, ajo vazhdon të jetë një zë poetik i ndjeshëm, duke i dhënë fjalës forcën për të mbrojtur kujtesën historike dhe dinjitetin njerëzor.
Së bashku kemi vizituar burgjet dhe kampet e dikurshme të përqendrimit, kemi takuar qindra ish-të përndjekur politikë dhe familjet e tyre, kemi dëgjuar rrëfimet e tyre dhe kemi ndarë dhimbjen me ta. Miqësia jonë me këta njerëz nuk është vetëm njerëzore; ajo është një mision për të ruajtur të vërtetën dhe për ta përcjellë atë tek brezat që vijnë.
“Nën Hekurat që Ulërinin Liri” është një libër që i fton veçanërisht të rinjtë të njohin historinë e vërtetë të Shqipërisë. Një popull që harron vuajtjet e së kaluarës rrezikon t’i përjetojë ato përsëri. Prandaj ky libër nuk është vetëm një rrëfim për të shkuarën, por një thirrje për kujtesë, drejtësi dhe liri.
Së shpejti do ta promovojmë këtë vepër para lexuesve. Me përulësi besoj se ajo do të prekë zemrat e kujtdo që e lexon, sepse çdo faqe është shkruar me dhimbje, me përgjegjësi, me dashuri për të vërtetën dhe me respekt të pafund për martirët dhe të mbijetuarit e diktaturës komuniste.
Rexhep Rrugeja
Autor


Burimi/Facebook


Leave a Reply