Sot, në dhjetë-vjetorin tonë
Dhjetë vjet më parë, diku në Tiranë
fati na takoi në rrugë, në anë të asfaltit,
dhe nuk e dinim çfarë shtrihej para nesh,
një bulevard shetitjeje, apo rrugët e fatit.
Tani, buzëqeshjen ta njoh para se të shfaqet
pa kërcitur taka mbi pllakë hapin ta ndiej,
zëri yt i ëmbël, pas ditës së gjatë
ma mbush shtëpinë me mijëra diej.
Pas dhjetë vjetësh, çdo mëngjes është një pyetje:
A do ta zgjidhnim përsëri njëri-tjetrin sot?
Përgjigja nuk vjen nga fjalë me hënë e yje,
por nga që pa njëri-tjetrin s’jetojmë dot.
Nga momenti kur ti zgjohesh përpara agimit,
më lë në botën e ëndrrave e shkon në kuzhinë,
e kur unë ngrihem, me qytetin që ndez dritat,
e gjej kafenë të ngrohtë mbi tavolinë.
Kur ti, pas ditës së gjatë e lodhjes në punë,
më flet për ndonjë vend, që e ke ëndërruar,
unë me buzëqeshje të vështroj drejt në sy
e të zgjas biletat, ku ai udhëtim është prenotuar.
Nga mënyra si e ruajmë një copë të ditës
për t’ia treguar njëri-tjetrit sa hyjmë në shtëpi,
kur botën e lëmë prapa derës që mbyllet
dhe e gjithë bota bëhemi unë e ti.
Dhjetë vjet na bënë të kuptojmë se dashuria
nuk është çasti kur zemra rreh me furi,
por kur ajo gjen dikë, që t’i jep kuptim jetës,
që në mbrëmje e bën të prehet në lumturi.
Ndue Lazri
Burimi/Facebook


Leave a Reply