Po bie shi nẽ Shkodër,
e njoh që kur isha student,
erdhi për mua
të më qullë flokët gëzueshëm
bashkë me pemët e rrugëve,
mendimet dhe emocionet
që frushullojnë njëlloj si gjethet
me hapat e mi…
Këpucët futin ngjarje si ujin dikur,
këpucë studenti me ndonjë çarje
nga që ndiqnin dëshirat e mia,
rendnin nëpër takime,
po edhe ndiqeshin
nga këpucë të tjera,
të ëndërrta,
por dhe të dyshimta,
nga ato që shkonin fshehurazi
në polici
si në redaksitë e poezive…
Shkodra
në një pikë shiu
në qerpikun tënd,
rrëshqet mbi mollëza…
Gruaja ime, zgjas dorën ta fshij
dhe më mbetet ca Shkodër
nëpër gishtrinj.
Nga përmbytjet tej del një kryq
si ringjallje.
minarja – si thirrje nëpër erë.
Bie Shkodra mbi mua
më shumë si një dashuri.
Shiu bëhet qumështi i gjinjve
prej dielli dhe hëne
të Rozafës.
Buzët e kësaj dite thithin
rrëketë e bardha të legjendës,
përhapen me pikla drite,
buzëqesh e ardhmja si një foshnjë
nën një çadër të kaltër qiellore…
Shkodër, 26 tetor 2025
Visar Zhiti




Burimi/Facebook


Leave a Reply