I riu shqiptar Murat Avdyli nga Drenasi ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në Gjermani, duke u zgjedhur asamblist në qytetin Bad Homburg, në landin Hessen.
Murat Avdyli, i lindur më 23.09.2006 në fshatin Dobroshec të Drenasit, në zgjedhjet e mbajtura më 25.03.2026, si kandidat i CDU-së, arriti të fitojë 8.722 vota, duke siguruar kështu një ulëse në Asamblenë e qytetit Bad Homburg, qytet me rreth 54 mijë banorë dhe mbi 32 mijë qytetarë me të drejtë vote.
Në moshën vetëm 19-vjeçare, ai është shqiptari i vetëm i zgjedhur në këtë Asamble dhe njëherësh asamblisti më i ri në moshë.
Murati ka emigruar në Gjermani që në moshën 4-vjeçare. Atje ai është marrë me futboll nga mosha 5 deri në 18 vjeç. Ka përfunduar me sukses maturën (Abitur) në moshën 18-vjeçare në shkollën “Kaiserin-Friedrich-Gymnasium”. Ndërsa që nga shtatori i vitit 2025 është student në Frankfurt School of Finance & Management, një nga universitetet më prestigjioze të ekonomisë dhe financave në Evropë.
Rrugëtimi i tij politik nisi herët. Në vitin 2023, në moshën 17-vjeçare, ai u bë anëtar i Junge Union në Bad Homburg, organizata rinore e CDU-së dhe një ndër organizatat politike rinore më të mëdha në Evropë.
Në fund të vitit 2024, në moshën 18-vjeçare, Murati u zgjodh anëtar bordi dhe përgjegjës për anëtarësinë në degën lokale të Junge Union, një ndër degët më të mëdha në Gjermani. Ai është përgjegjës për administrimin e të dhënave të anëtarëve dhe njëkohësisht shërben si delegat shtetëror në Kongresin e Partisë së Landit Hessen me të drejtë vote.
Po ashtu, nga i vitit 2025, ai është edhe anëtar bordi në Lidhjen Ekonomike Hochtaunuskreis, ku bashkëpunon me deputetë të Parlamentit të Landit dhe Bundestagut gjerman.
Murat Avdyli përfaqëson një shembull frymëzues të integrimit dhe suksesit të shqiptarëve në diasporë. Ai dëshmon se me përkushtim, edukim dhe punë, të rinjtë shqiptarë mund të arrijnë suksese të mëdha dhe ta bëjnë krenar kombin dhe vendlindjen e tyre, Kosovën.
I apasionuar pas leximit dhe gjithmonë i lidhur ngushtë me vendlindjen e tij, Murati shihet si një i ri me perspektivë të madhe politike dhe profesionale. Shpresojmë që detyrën e asamblistit ta kryejë me nder, përkushtim dhe përgjegjësi, ashtu siç është dëshmuar i suksesshëm në çdo angazhim të tij deri më sot.


Burimi/Facebook/Albanische Zeitung


Leave a Reply